Tu e lexu qitash
Magnus Hirschfeld teoricient i rëndësishëm i seksualitetit

Magnus Hirschfeld teoricient i rëndësishëm i seksualitetit

Magnus Hirschfeld, mjek gjerman, teoricient i rëndësishëm i seksualitetit dhe përkrahës i shquar i të drejtave të dylberave në fillim të shekullit 20, lindi në 1868, Kolberg, Prusi (tani Kołobrzeg, Poloni) dhe vdiq në 1935, Nice, Francë.

Hirschfeld lindi nga prindër hebrenj në një qytet prusian në brigjet e Baltikut. Fillimisht studioi gjuhët moderne dhe më pas mjekësinë. Pas një periudhe udhëtimi, ai u kthye në Gjermani dhe krijoi një praktikë mjekësore në Magdeburg. Më vonë u shpërngul në Berlin, ku kontribuoi aktivisht në studimin shkencor të seksualitetit – në veçanti, homoseksualitetit.

Hirschfeld pohoi se orientimi seksual ishte i lindur dhe jo një zgjedhje e personit, dhe besonte se kuptimi shkencor i seksualitetit do të nxiste tolerancën ndaj orientimeve të tjera seksuale. Hulumtimet e tij rreth seksologjisë u drejtuan nga empirizmi dhe aktivizmi, i nxitur nga besimi se ideologjia seksuale e qytetërimit judeo-kristian ishte një pengesë serioze për të kuptuarit e seksualitetit dhe për reformimin e ligjeve dhe praktikave që e rregullonin atë.

Fillimisht Hirschfeld mbështeti idenëse homoseksualët/ përbënin “gjininë e tretë”, megjithëse ai shpejt u distancua nga kjo ide. Ai është më i njohur për teorinë e tij të mëvonshme të ndërmjetësve seksual, e cila thoshte se kishte shumë lloje të variacioneve seksuale të natyrshme që gjenden në popullatën njerëzore, si hermafroditizmi (te pasurit organet riprodhuese të dy sekseve, homoseksualiteti dhe transeksualiteti. Atij i atribuohet edhe shpikja e termit transvestit*.

Hirschfeld gjatë jetës së tij, u fokusua në hulumtim, shkrim dhe përpjekje përkrahëse për dylberat. Në 1897 Hirschfeld themeloi Komitetin Shkencor-Humanitar me Max Spohr, Franz Josef von Bülow dhe Eduard Oberg; ishte Organizata e parë në botë për të drejtat e dylberave. Qëllimi i tij kryesor ishte të luftonte për shfuqizimin e paragrafit 175 të Kodit Penal Suprem Gjerman, i cili dënonte kontaktet seksuale në mes burrave. Në vitin 1899 ai filloi Librin Vjetor të llojeve të ndërmjetme seksuale, revista e parë në botë që trajtonte variantet seksuale; u botua rregullisht deri në vitin 1923. Ai gjithashtu botoi një studim të rëndësishëm mbi veshjen e kryqëzuar (cross dressing) dhe për Personat Trans (1910). Hirschfeld ishte një nga themeluesit e Shoqatës Mjekësore për Shkenca Seksuale dhe Eugjenike, e themeluar në vitin 1913. Vitin tjetër ai botoi studimin e tij Homoseksualiteti te Burrat dhe Gratë, i cili bazohej në anketa të gjera statistikore mbi homoseksualitetin. Përveç botimit të veprave mbi seksologjinë dhe reformat seksuale, Hirschfeld shkroi gjithashtu për racizmin, politikën dhe historinë e moralit.

Më 1919 Hirschfeld hapi institutin e parë të seksologjisë në botë, Institutin për Shkenca Seksuale, në Berlin; instituti dhe zotërimet e konsiderueshme të bibliotekës dhe arkivave të tij u shkatërruan nga demonstruesit nazistë në vitin 1933. Hirschfeld gjithashtu mori pjesë në prodhimin e filmit të parë që bën thirrje për dekriminalizimin dhe pranimin e homoseksualitetit, Different from the Others (1919). Filmi i diskutueshëm ndezi shumë debate dhe u ndalua shfaqja e tij nga zyrtarët gjermanë brenda një viti. Në vitin 1928 Hirschfeld themeloi Ligën Botërore për Reformën Seksuale (WLSR), e cila i kishte rrënjët në një konferencë të hershme që ai kishte organizuar në vitin 1921, Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Reformën Seksuale mbi baza Shkencore. Konferencë e cila bëri thirrje për reforma të legjislacionit për seksin, të drejtën për kontraceptiva dhe edukim seksual, dhe barazi ligjore dhe sociale të gjinive.

Kqyre edhe qito

Duke qenë një hebre, një burrë homoseksual  dhe një aktivist i çlirimit seksual e bëri Hirschfeld të bie në sy të mbështetësve të krahut të djathtë dhe ai pësoi lëndime të rënda nga një sulm në vitin 1920. Më vonë, me fuqinë në rritje të nazistëve, ai u sulmua rregullisht, e leksionet e tij u ndërprenë, ndërsa pas përfundimit të turneut të tij ndërkombëtar në vitin 1932, ai nuk mundi të kthehej në Gjermani. Në vend të kësaj ai shkoi në Zvicër dhe më pas në 1934 në Francë, ku vdiq një vit më vonë.

*Transvestit është term i vjetruar dhe ofendues, një zëvendësim më i përshtatshëm është termi “Transgjinor”.

Artikulli fillimisht u publikua në Britannica dhe u përkthye nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top