Tu e lexu qitash
Kur gjuha nuk të njeh

Kur gjuha nuk të njeh

Për shumicën e njerëzve, gjuha është diçka që përdoret pa u menduar. Fjalët vijnë natyrshëm dhe mjaftojnë për të folur për veten, për trupin dhe për mënyrën se si e përjetojnë botën. Por për shumë persona jobinarë, gjuha nuk e ofron këtë mundësi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave Jobinarë, sjellim në vëmendje një pyetje të thjeshtë, por me peshë: si i trajton gjuha shqipe personat jobinarë?

Mënyra se si është ndërtuar një gjuhë ndikon në mënyrën se si e kuptojmë botën dhe njëri-tjetrin. Po aq, ndikon edhe në mënyrën se si flasim për identitetin tonë. Për njerëzit që nuk e identifikojnë veten brenda ndarjes tradicionale gjinore burrë/grua ose që janë ende duke e eksploruar identitetin e tyre gjinor, gramatika ndikon në mënyrën se si emërtohen, si u drejtohen të tjerët dhe nëse gjuha u lë hapësirë të flasin për veten pa u detyruar të zgjedhin një kategori që nuk i përfaqëson.

Pikërisht këtë përshkruan edhe një person jobinar në bisedë me Dylberizm.

“Nuk di si me e përshkru atë që ndiej në gjuhën time amtare. Është pothuajse e pamundur me iu referu vetes në një mënyrë neutrale. Nuk e di nëse kjo e bën ma të vështirë me e kuptu që je jobinar, por sigurisht të nxit me e zgjedh njërën anë të ndarjes binare.”

Sipas tyre, anglishtja u duket shumë më e rehatshme, sepse u lejon të përdorin forma neutrale.

“Shpesh përdori shumë ma tepër fjalë vetëm për mos me iu referu vetes me përemra krejtësisht femërorë. Ndihem 100% ma rehat duke folë anglisht. Në anglisht më duket shumë e lehtë me qenë neutral ndaj gjinisë, por në shqip kisha preferu thjesht mos me folë.”

Përvoja të tilla tregojnë se gjuha përveç se mjet komunikimi, ajo mund ta bëjë më të lehtë ose më të vështirë mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dhe e shprehin identitetin e tyre.

Gjuha nuk jeton e ndarë nga shoqëria. Ajo bart paragjykimet, frikën, turpin, heshtjen dhe mohimin e saj, por bart edhe mundësinë për ndryshim. Fjalët mund të përdoren si etiketa, si mjete talljeje ose si mënyrë për të përjashtuar. Por të njëjtat fjalë, kur përdoren me kujdes dhe mbështeten në burime të besueshme, mund të krijojnë hapësirë për mirëkuptim.

Sipas gjuhëtarit Hajdin Morina, gjuha ndikon në mënyrën se si njerëzit e kuptojnë botën dhe gjininë.

“Gjuha patjetër që ndikon në formimin e njeriut, duke fillu si fëmijë, ndikon në zhvillimin intelektual por edhe në atë se si e shohim botën, gjininë, çka na mësohet se është e drejtë e çka e gabuar, andaj një gjuhë e caktuar ndikon në mënyrën se si shprehet identiteti gjinor dhe këtë mund ta vërejmë dukshëm edhe në gjuhën tonë shqipe.”

Morina thotë se, njësoj si vetë gjuha, edhe gramatika zhvillohet me kalimin e kohës.

“Shqipja ka një sistem me tri gjini gramatikore: mashkullore, femërore dhe asnjanëse, megjithëse statusi i saktë i gjinisë asnjanëse është ende objekt diskutimi midis gjuhëtarëve. Gjuha jonë si gjuhë e vjetër, ndryshon. Unë si gjuhëtar mendoj që gramatika duhet të ndryshojë me një konsensus të gjuhës, të jetë më gjithëpërfshirëse, duke ruajtur disa variante si në të shkruar edhe në të folur.”

Për shumë persona jobinarë, një nga sfidat më të mëdha lidhet me përemrat. Ata/ato nuk janë vetëm mënyra se si u drejtohen të tjerët, por edhe mënyra se si shprehin identitetin e tyre gjinor. Prandaj, përdorimi i tyre mund ta afirmojë një person ose ta bëjë të ndihen të padukshëm. Në shqip, për shumë persona jobinarë, shpesh ndodh kjo e dyta.

Megjithatë, kjo nuk është një çështje që lidhet vetëm me shqipen.

Gjuhët ndryshojnë në mënyrën se si e shprehin gjininë. Anglishtja dhe suedishtja, për shembull, nuk u caktojnë objekteve gjini gramatikore, ndërsa gjuhë si spanjishtja, gjermanishtja dhe frëngjishtja përdorin gjini gramatikore si për njerëzit, ashtu edhe për sendet. Në anën tjetër, kinezishtja, estonishtja dhe finlandishtja nuk i klasifikojnë emrat si mashkullorë ose femërorë dhe përdorin të njëjtën fjalë për t’iu referuar si “atij”, ashtu edhe “asaj” kur flitet për njerëzit.

një shkrim për Secondary Archive, artistja dhe studiuesja queer Silvi Naçi shkruan:

“Si dikush që e jeton jetën brenda hapësirave jobinare, e gjej veten në jetërsime dhe mëtime nëpër kufizimet e gjuhës – veçanërisht gjuha shqipe që nuk i bën vend trupave queer. Për mua është thelbësore dhe primare që artisteve të ngjashme me mua, lindur e rritur në Shqipëri, t’u bëj vend që të munden ta banojnë këtë hapësirë liminale të mos/përkatësisë.”

Edhe pse shqipja nuk ka ende forma të standardizuara për t’iu referuar personave jobinarë, kjo nuk e zbeh ekzistencën, identitetin apo dinjitetin e tyre. Personat jobinarë kanë ekzistuar gjithmonë dhe meritojnë të njihen, të respektohen dhe të ndihen të përfshirë, pavarësisht kufizimeve që mund të ketë gjuha.

Të mos harrojmë, ndryshimi nuk fillon vetëm kur ndryshon gramatika, por ai ndodh edhe me mënyrën se si e trajtojmë njëri-tjetrin. Të mos e supozojmë gjininë e dikujt, t’i pyesim njerëzit se si dëshirojnë t’u drejtohemi, t’i respektojmë emrat dhe përemrat që përdorin dhe të pranojmë se identiteti i tyre nuk ka nevojë për miratimin e askujt. Këto janë hapa të vegjël që mund ta bëjnë gjuhën dhe shoqërinë më gjithëpërfshirëse.

Të jeni aleatë më të mirë për personat jobinarë nuk është edhe aq e vështirë. Lexoni këtë material për të mësuar më shumë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top