“Barazi ose Revoltë!” mbahet Parada e dhjetë e Krenarisë në Prishtinë
Sot, me 5 qershor, u mbajt Parada e dhjetë e Krenarisë në Prishtinë. Nën sloganin “Barazi ose Revoltë!”, dylbera, aktivistë/e, aleatë, familjarë e shumë të tjerë zaptuan rrugët e Prishtinës për të shënuar këtë ngjarje.
Pesha e kësaj parade ishte e veçantë pasi shënoi një dekadë të këtij organizimi publik të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. Dhjetë vjet më parë, dalja në rrugë ishte një akt guximi dhe rezistence përballë paragjykimeve, ndërsa sot parada dëshmon rrugëtimin, luftën dhe këmbënguljen e brezave të tërë të aktivistëve/eve që kanë kërkuar liri dhe barazi.
“Kam dalë sot sepse besoj që dashnia është për krejt edhe jam shumë e kënaqur që po ndodh kjo gjë në Kosovë, edhe jam ardhë me i mbështet krejt ata njerëz që krejt çka dojnë është me e dashtë njani-tjetrin” tha njëra prej pjesëmarrëseve në paradë.
“Mendoj që hala kemi shumë punë edhe dalja këtu si për vete, si për tjerët që s’munden, është pjesë e punës që më takon me bo” u shpreh një tjetër.
Tubimi filloi te Sheshi Skënderbeu nga ora 12:00, duke vazhduar më pas deri të Biblioteka Kombëtare ku edhe u mbajt koncerti me Adelina Ismailin. Për shumë dylbera, Adelina ka qenë prej kohësh ikonë dhe aleate e komunitetit LGBTQ+, duke e shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj publike me mesazhet e lirisë, guximit dhe autenticitetit që e kanë shoqëruar karrierën e saj.
Disa të tjerë, shënuan 10-vjetorin e marshit duke dalë për herë të parë për të festuar se kush janë me të vërtetë.
“Kjo është parada e parë për mu, unë jam panseksuale andaj gjithmonë kam pasë dëshirë me qenë afër njerëzve që janë queer. Dashnia duhet me u festu, kështu le te knaqemi!” tha një pjesëmarrëse tjetër. “Është shumë ndjenjë e mirë me e përjetu krejt këtë eksperiencë me të gjithë bashkë. ”
Parada edhe kësaj here na bashkoi për njohje e solidaritet.
“Kam dalë sot në marsh se krejt njerëzit e meritojnë me jetu qysh kanë qef” tha dikush prej të pranishmëve.
Më shumë persona po dalin hapur për identitetin e tyre, dhe madje shumë krenarë.
“Po dal sepse jam queer edhe po dal për veten si adoleshent” tha një tjetër marshues. “Për me festu dashninë. Love is love, edhe është për të gjithë!”
Në Paradën e Krenarisë nuk morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe as ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe përveç mungesës në marshim, nuk pati as ndonjë mesazh publik urimi apo mbështetjeje për ngjarjen, qoftë përmes deklaratave zyrtare apo rrjeteve sociale.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një prononcim për Dylberizm, ka uruar komunitetin queer për Javën e Krenarisë duke bërë thirrje për një qytet ku çdo person trajtohet me dinjitet e barazi.
Marshimi i sivjetmë ishte njëkohësisht festim i arritjeve të deritanishme dhe thirrje për ndryshimet që ende mungojnë. Dhjetë vjet pas paradës së parë, komuniteti vazhdon të dalë në rrugë për të kërkuar atë që slogani i këtij viti e shprehu qartë: barazi.
Për të parë më shumë momente nga Parada e Krenarisë, vizitoni profilin e Dylberizm në Instagram.






