Tu e lexu qitash
“Më kujtoni si komuniste revolucionare” Leslie Feinberg, pioniere e aktivizmit queer

“Më kujtoni si komuniste revolucionare” Leslie Feinberg, pioniere e aktivizmit queer

Leslie Feinberg (1 shtator 1949 – 15 nëntor 2014) ishte një aktiviste revolucionare transgjinore, e cila e përkufizonte veten si person i bardhë, antiracist, hebre laik, transgjinor, lezbike, grua, pjesëtar i klasës punëtore dhe komunist revolucionar. Leslie përdorte përemrat zie/hir dhe she/her (ajo/asaj). Për hir të lexueshmërisë në shqip, në këtë tekst përdorim përemrat ajo/asaj. Mendimi dhe veprimtaria e saj mbështeteshin në marksizëm. Feinberg besonte se çlirimi i vërtetë i të gjithë njerëzve të shtypur kërkonte mundësinë për t’u shprehur lirshëm, jashtë normave të ngurta shoqërore.

Feinberg ishte teoricienja e parë që shtjelloi një koncept marksist të “çlirimit trans”. Mendimi dhe veprat e saj ndikuan në kulturën popullore, kërkimin akademik dhe organizimin politik.

Shkrimet e saj historike dhe teorike janë përfshirë në shumë antologji dhe studiohen gjerësisht në qarqet akademike në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës.

Ndikimi i saj në kulturën popullore u shtri kryesisht përmes romanit të saj të parë, Stone Butch Blues, botuar në vitin 1993. Romani konsiderohet gjerësisht, brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, si një vepër novatore që trajton kompleksitetin e gjinisë. Libri është shitur në qindra mijëra kopje dhe është përcjellë dorë më dorë edhe brenda burgjeve. Romani është përkthyer në gjuhët kineze, holandeze, gjermane, italiane, sllovene, turke dhe hebraike. Të ardhurat e Feinberg nga botimi në hebraisht iu dhuruan ASWAT-it, organizatë e grave lezbike palestineze.

Në fillim të të njëzetave, Leslie Feinberg u njoh me Partinë Workers World (Workers World Party – WWP) gjatë një demonstrate në mbështetje të të drejtave të palestinezëve për tokën dhe vetëvendosjen. Së shpejti, ajo iu bashkua partisë përmes degës së saj themeluese në Buffalo.

Feinberg ishte një nga organizatoret kryesore të marshimit kundër racizmit, të mbajtur në Boston në dhjetor të vitit 1974. Kjo fushatë kundërshtonte sulmet e supremacistëve të bardhë ndaj banorëve dhe nxënësve afrikano-amerikanë të qytetit. Feinberg udhëhoqi një grup prej dhjetë personash që identifikoheshin si lezbike, përfshirë disa nga South Boston, në një aksion që zgjati gjithë natën. Ata mbuluan nëpër South Boston çdo mbishkrim racist që mund të shihej në hapësirat publike.

Në vitet 1983–1984, ajo ndërmori një turne në mbarë vendin për të folur rreth AIDS-it si një epidemi që autoritetet refuzonin ta pranonin.

Feinberg punoi si gazetare për Workers World që nga viti 1974. Për 15 vjet, ajo ishte redaktore e rubrikës “Political Prisoners” (Të burgosurit politikë) në gazetën e partisë, ndërsa në vitin 1995 u bë redaktore menaxhuese. Ajo ishte gjithashtu anëtare e Komitetit Kombëtar të partisë.

Feinberg ishte anëtare e Unionit Kombëtar të Shkrimtarëve (National Writers Union), në degën lokale 1981, si dhe e organizatës Pride at Work, një grupim i përfaqësuar brenda federatës sindikale amerikane AFL-CIO. Për kontributin e saj në çështjet transgjinore dhe drejtësinë sociale, ajo mori një doktoratë nderi nga Starr King School for the Ministry. Gjithashtu, u nderua me një sërë çmimesh të tjera, përfshirë Lambda Literary Award dhe çmimin e Shoqatës Amerikane të Bibliotekave për libra me tematikë gej dhe lezbike (American Library Association Gay and Lesbian Book Award).

Gjatë një periudhe kur sëmundjet e pengonin të lexonte, të shkruante apo të fliste, Feinberg vazhdoi të komunikonte përmes artit. Ajo mori për herë të parë një aparat fotografik dhe publikoi mijëra fotografi në platformën Flickr. Ndër to ishte edhe seria The Screened-In Series, një projekt dokumentar fotografik që ndërthurte përvojën e aftësisë së kufizuar me vetëdijen klasore. Seria dokumentonte lagjen Hawley-Green, ku jetonte Feinberg, përmes fotografive të realizuara tërësisht nga dritaret e apartamentit të saj.

Në vitin 2008, Feinberg u diagnostikua me sëmundjen Lyme dhe disa infeksione të tjera të shkaktuara nga rriqrat. Ajo ishte infektuar për herë të parë në fillim të viteve 1970, në një kohë kur dihej shumë pak për këto sëmundje. Vetëm gjatë gjashtë viteve të fundit të jetës arriti të merrte trajtim për to. Feinberg shprehej: “Përvoja ime me trajtimin sipas protokolleve të ILADS-it ofron shpresë të madhe për njerëzit rëndë të sëmurë, të cilët ndodhen në fazat e hershme të sëmundjeve të shkaktuara nga rriqrat.”

Bashkëshortja e Feinberg, Minnie Bruce Pratt, është aktiviste dhe poete, si dhe autore e veprës Crime Against Nature, e cila trajton humbjen e kujdestarisë mbi djemtë e saj për shkak të identitetit të saj si nënë lezbike. Ato u njohën në vitin 1992, kur Feinberg prezantoi një material vizual mbi hulumtimin e saj për çështjet transgjinore në Washington, D.C., në një aktivitet të organizuar nga dega lokale e Workers World. Pas një periudhe lidhjeje në distancë, ato ndërtuan jetën e tyre së bashku në New Jersey, ku jetuan për shumë vite. Për të siguruar mbrojtje ligjore për marrëdhënien e tyre, në vitin 2004 regjistruan bashkëjetesën si partneritet civil (domestic partnership), ndërsa në vitin 2006 lidhën një bashkim civil (civil union). Në vitin 2011, ato lidhën gjithashtu martesë civile në Massachusetts dhe në shtetin e New York-ut.

Feinberg la pas bashkëshorten e saj, Pratt, familjen e saj të zgjedhur, si dhe shumë miq, aktivistë dhe bashkëluftëtarë anembanë botës, të cilët vazhdojnë luftën kundër shtypjes dhe për çlirim.

Feinberg këmbëngulte se autoritetet shtetërore nuk kishin të drejtë të përcaktonin se kush duhej të konsiderohej apo jo si pjesë e rrethit të njerëzve të saj të dashur. Ajo theksonte se familjen e saj të zgjedhur e përcaktonte vetë, duke iu referuar Marksit dhe thënies së tij se vlera e këmbimit të dashurisë është dashuria.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top