Në solidaritet me studentët dhe rezistencën në Shqipëri
Në Shqipëri, të rinjtë po përballen me dhunë brutale policore, arrestime dhe një shtet që po përgjigjet me terror ndaj atyre që refuzojnë me me u nënshtru. Gazetarët po pengohen me raportu, protestuesit po i lëndojnë e po i sulmojnë me armë, ndërsa shumë të tjerë po arrestohen e procedohen penalisht. Kur pushteti përgjigjet me dhunë policore, atëherë pyetja drejtohet se kujt po i shërben ky shtet dhe çfarë po mbron kaq dhunshëm?
Këto protesta nuk kanë lindë prej hiçi. Janë shpërthim i një mllefi të akumuluar prej vitesh ndaj një sistemi që i varfëron njerëzit, ua vjedh të ardhmen, e përqendron pasurinë në duart e oligarkëve dhe ua shet mbijetesën si përgjegjësi individuale. Kur kërkesat injorohen, kur institucionet mbrojnë të pasurit dhe policia sulmon ata që kundërshtojnë, revolta është e vetmja përgjigje!
Ne jemi në anën e atyre që rezistojnë. Kundër dhunës shtetërore, kundër pushtetit të oligarkëve dhe kundër një rendi që e trajton jetën e shumicës si të pavlerë. Përgjegjësia për dhunën policore bie mbi ata që e ushtrojnë dhe ata që e urdhërojnë. Jetët e të rinjve vlejnë më shumë se ndërtesat, bankat, pronat dhe imazhi i një qeverie që kërkon me e mbajtë pushtetin përmes frikës.
Çlirimi queer nuk mund të ndahet prej luftës kundër shfrytëzimit, varfërisë, patriarkatit dhe dhunës shtetërore. Nuk ka liri të vërtetë kur dikush duhet me fshehë vetën, kur punëtorët nuk e përballojnë jetesën, kur të rinjtë nuk shohin të ardhme dhe kur pushteti u përgjigjet kërkesave për drejtësi me dhunë.
Prandaj, solidariteti ynë duhet me u kthy në organizim. Në universitete, në lagje, në vendet e punës, në komunitete dhe përtej kufijve. Na duhet me u bashku përtej dallimeve që ky sistem i shfrytëzon për me na përça, me ndërtu forma të qëndrueshme të rezistencës dhe me refuzu çdo përpjekje që tenton me na izolu dhe me heshtë.
Asnjë qeveri, asnjë oligark dhe asnjë aparat shtetëror nuk është më i fuqishëm se njerëzit kur ata organizohen bashkë.
Nga Kosova, qëndrojmë me studentët, punëtorët dhe krejt ata e ato që po e kundërshtojnë këtë rend autokrat në Shqipëri. Me ata që po përballen me dhunë, që po kërkojnë një jetë me dinjitet dhe që po refuzojnë me e pranu të padrejtën si normalitet.
Dilni në rrugë. Organizohuni. Bashkohuni. Mos e lini askënd vetëm përballë shtypjes.
Liria nuk na dhurohet nga pushteti. Ajo fitohet duke u organizu kundër tij.
Rroftë solidariteti përtej kufijve. Rroftë rezistenca. Deri në çlirim dhe barazi sociale, nuk ndalemi.
