Tu e lexu qitash
Terapia kundër HIV (PrEP) në dispozicion në Kosovë pa pagesë
Nale Dheze

Terapia kundër HIV (PrEP) në dispozicion në Kosovë pa pagesë

Terapia kundër infektimit me HIV, që njihet si PrEP, ka nisur të jepet në Kosovë falas. Këtë e ka konfirmuar Arbër Nuhiu, drejtori i CSGD (Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore).

“Po, të mërkurën më 12 qershor është iniciu për herë të parë PrEP-i, i cili mund të merret në klinikën infektive në QKUK në Prishtinë. Terapia është falas dhe ku nuk duhet të paguani as ni cent”, tha Nuhiu.

Nuhiu ka treguar se ky është zhvillim i rëndësishëm për komunitetin LGBTQ+, por edhe të tjerët. Në një intervistë për Dylberizm, ai ka thënë se ardhja e terapisë PrEP në Kosovë pa kosto për ata që marrin trajtim është me rëndësi të veçantë për komunitetin sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore.

“PrEP-i parandalon mundësinë e infektimit me HIV edhe nëse bëni marrëdhënie seksuale të pambrojtur. Është e rëndësishme. Është e rëndësishme jo vetëm për komunitetin LGBTIQ+ por edhe të tjerët që e kanë mundësinë për tu infektuar. Arsyeja pse është bash e rëndësishme për komunitetin është për shkak të stigmës dhe paragjykimeve që ekzistojnë ndaj personave LGBTIQ+ e edhe shkaku që shërbimet shëndetësore nuk janë ato më adekuate të mundshme andaj mundësia për tu infektuar (me HIV) është më e madhe pikërisht për shkak të trajtimit të (pa)barabartë të të gjithë qytetarëve prej punëtorëve shëndetësorë. Prandaj, ka rëndësi të madhe sepse parandalon mundësinë e infektimit me HIV dhe mundëson një jetë më të shëndetshëm”, tha Nuhiu.

Ai u shpreh se ka keqkuptime dhe paragjykime në publik lidhur me shpërndarjen e HIV-AIDS si infeksion. Ai kujton që hetereoseksualët, botërisht e përbëjnë shumicën e të infektuarve.

“Statistikat botërore, por edhe të vendit tregojnë se më pak se 25% e personave të infektuar me HIV janë persona të komunitetit LGBTIQ+, apo më shumë të themi gej dhe transgjinorë”, tha Nuhiu. “Mund të them se statistikat botërore tregojnë që 50% e të infektuarve janë gra hetetoseksuale e pastaj vijnë edhe grupet e tjera shoqërore”, u shpeh Nuhiu. 

Nuhiu tha se keqkuptimet e publikut i kanë ushqyer edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. 

“Puna e keqkuptimeve në publik ishte e qartë  kur disa deputetë në seancën në marsin e vitit 2022 kur është disktutuar për Kodin Civil kanë përhapur dezinformata se komuniteti, personat LGBTI janë bartës të infeksionit që të gjitha statistikat botërore tregojnë që është e pavërtetë”, u shpreh Nuhiu.

Me arritjen e PrEP-it në vend, “Kosova bëhet vendi i dytë në rajon pas Maqedonisë Veriore që ofron këtë terapi pa pagesë për qytetarët e interesuar, dhe për këtë jemi shumë krenarë” përfundoi Nuhiu. 

Më 1 dhjetor 2023, në ditën ndërkombëtare për ndërgjegjësimin lidhur me HIV AIDS, sipas Radio Evropës së Lirë, është bërë e ditur për 13 raste të reja të personave të prekur me HIV në Kosovë. Siç ka raportuar REL, nisja e terapive falas është rezultat i një donacioni dy-vjeçar të Global Fund, porse rolin në financimin pas dy vjetësh pritet ta marrë Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa sa i përket testimit, organizata CSGD është edhe adresë për testim falas për të gjithë të interesuarit për tu testuar për sëmundje seksualisht të transmetueshme, si dhe për këshillim.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top