Represioni ndaj komunitetit LGBTQ+ në Turqi përshkallëzohet, mbi 1,250 akademikë kërkojnë ndaljen e operacioneve
Represioni ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe organizatave të të drejtave të njeriut në Turqi po përshkallëzohet, me arrestime të reja, bastisje të organizatave, bllokime digjitale dhe ndalime të protestuesve. Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare po shtohen, me organizata të të drejtave të njeriut, si dhe Judith Butler, Noura Erakat, Slavoj Žižek dhe të tjerë të cilët u bashkuan më shumë se 1,250 akademikëve që kërkojnë ndaljen e operacioneve dhe lirimin e personave të ndaluar në një letër të përbashkët kundër shtypjes së personave LGBTQI+.
Operacionet, të nisura më 12 shtator nën emrin “Ailem Güvende” (“Familja ime është e sigurt”), janë zhvilluar në të paktën 15 provinca dhe kanë shënjestruar organizata LGBTQ+, aktivistë/e, mbrojtës/e të të drejtave të njeriut, klube studentore, lokale dhe persona të tjerë të lidhur me komunitetin.
Sipas Human Rights Watch, gjatë bastisjeve të 12–14 shtatorit janë ndaluar të paktën 112 persona, ndërsa 82 prej tyre vazhdonin të mbaheshin në paraburgim me urdhër gjykate më 18 shtator. Mes të arrestuarve janë të paktën 24 aktivistë/e LGBTQ+ ose themelues/e dhe drejtues/e të organizatave të shënjestruara.
Ndërkohë, sipas përditësimeve të organizatave në terren, hetimet penale janë zgjeruar ndaj më shumë se 160 personave dhe kanë përfshirë nëntë organizata dhe 13 biznese. Në Ankara, mes të arrestuarve janë edhe anëtarë të bordeve të organizatave LGBTQ+ dhe pesë gra transgjinore. Në Mersin janë nisur procedura për shpërbërjen e dy organizatave LGBTQ+.
Represioni është shtrirë edhe ndaj protestave kundër operacioneve. Më 15 shtator, mbi 100 persona u ndaluan para Gjykatës së Stambollit, ku kishin dalë për të protestuar kundër arrestimeve dhe bastisjeve. Protestuesit u mbajtën për më shumë se 24 orë dhe më pas u liruan.
Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë shtuar kufizimet në hapësirën digjitale. Më shumë se 180 llogari në rrjete sociale dhe një numër faqesh interneti të organizatave LGBTQ+, aktivistëve/eve, gazetarëve/eve dhe organizatave të të drejtave të njeriut janë bllokuar ose kufizuar. Mes tyre është edhe llogaria e Amnesty International Türkiye në X.
Hetimet përfshijnë akuza për “turpësi”, vepra të lidhura me prostitucionin dhe drogën, si dhe shkelje të Ligjit për Shoqatat. Human Rights Watch ka raportuar gjithashtu se në disa raste autoritetet kanë përdorur akuza për “krijimin, drejtimin ose anëtarësimin në një organizatë kriminale”.
Mbi 1,250 akademikë kërkojnë ndaljen e represionit
Në reagimin më të fundit ndërkombëtar, më shumë se 1,250 akademikë dhe studiues nga vende të ndryshme kanë nënshkruar një letër të përbashkët kundër represionit ndaj komunitetit LGBTQ+ në Turqi.
Përveç Judith Butler, Noura Erakat dhe Slavoj Žižek, mes nënshkruesve janë edhe filozofi Étienne Balibar, teoricienet queer Jasbir Puar dhe Susan Stryker, si dhe filozofja Wendy Brown, ndër shumë akademikë e studiues të tjerë nga universitete dhe institucione akademike në mbarë botën.
Letra dënon arrestimet dhe hetimet ndaj mbrojtësve/eve të të drejtave LGBTQ+ dhe kërkon lirimin e personave të ndaluar, ndërprerjen e hetimeve, kthimin e pajisjeve të sekuestruara dhe heqjen e bllokimeve ndaj faqeve dhe llogarive në rrjete sociale.
Akademikët theksojnë se organizatat e shënjestruara janë të regjistruara ligjërisht dhe se disa prej tyre kanë funksionuar për më shumë se tri dekada. Sipas letrës, kriminalizimi i punës së këtyre organizatave përbën kërcënim për lirinë e organizimit, shprehjes dhe veprimtarisë akademike.
Edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë kërkuar reagim urgjent. Amnesty International ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistëve/eve të ndaluar dhe për ndaljen e goditjes ndaj organizatave LGBTQ+, ndërsa organizata të tjera kanë kërkuar që institucionet ndërkombëtare dhe misionet diplomatike të reagojnë publikisht dhe ta ngrenë çështjen drejtpërdrejt me autoritetet turke.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa arrestimet, procedurat gjyqësore, hetimet ndaj organizatave dhe kufizimet digjitale vazhdojnë të monitorohen nga organizatat LGBTQ+ dhe ato për të drejtat e njeriut.






