Rob Jetten dhe Zohran Mamdani takojnë të rinjtë queer në qendrën LGBTQ+ të New York-ut
Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, dhe kryetari i New York-ut, Zohran Mamdani, vizituan më 24 shtator një prej hapësirave më të rëndësishme komunitare LGBTQ+ në Manhattan, ku u takuan me të rinj queer dhe u njohën me arkivin e historisë LGBTQ+.
Jetten, kryeministri i parë holandez që është haptazi gej dhe më i riu në historinë e vendit, ndodhet në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë vizitës së tij, ai ka përfshirë në agjendë edhe hapësira që dokumentojnë historinë dhe rezistencën queer. Më herët gjatë javës, Jetten vizitoi edhe Stonewall Inn, vendin historik të revoltës së vitit 1969 që konsiderohet një prej pikave kyçe të lëvizjes moderne për të drejtat LGBTQ+.
Takimi me Mamdanin u zhvillua në The Lesbian, Gay, Bisexual & Transgender Community Center (The Center), organizatë e themeluar në vitin 1983 që ofron programe për të rinjtë LGBTQ+, shërbime komunitare, mbështetje ekonomike, programe kulturore dhe ruan koleksione historike LGBTQ+.
Dy zyrtarët u takuan me të rinjtë që marrin pjesë në programet e qendrës dhe panë punimet artistike dhe zinat e krijuara prej tyre, disa prej të cilave ruhen në arkiv. Jetten foli për rëndësinë e dokumentimit të historisë queer, duke e lidhur punën e qendrës me përpjekjet për ruajtjen e historisë LGBTQ+ edhe në Holandë.
“Bëhet fjalë për kremtimin e diversitetit të komunitetit, por edhe për t’u treguar vizitorëve se ka ende shumë punë për t’u bërë në mbarë botën”, tha Jetten.
Mamdani, nga ana tjetër, iu drejtua të rinjve duke vlerësuar rëndësinë e hapësirës si vend ku krijohet komunitet dhe ku të rinjtë mund të ndihen të mbështetur.
Një prej tyre ishte Jaylynn Gaston, 19 vjeç, nga Bronx-i, i/e cili/a prezantoi një kolazh fotografik të krijuar prej tyre. Gaston tha se ka përfituar nga disa prej programeve të qendrës, përfshirë mbështetjen për përgatitje profesionale, udhëzime rreth kujdesit shëndetësor dhe kampin veror për të rinjtë LGBTQ+.
“Është vërtet fuqizuese të jesh me komunitetin tënd dhe të kesh qasje në burime që të ndihmojnë në jetë. Të kesh një hapësirë të tillë mund të shpëtojë jetë”, tha Gaston për The Advocate.
Drejtorja ekzekutive e The Center, Carla Smith, tha se vizita ishte e rëndësishme për ta bërë më të dukshme punën e qendrës dhe rolin e saj në ruajtjen e historisë LGBTQ+. Sipas saj, njerëz nga e gjithë bota e vizitojnë qendrën për të mësuar më shumë rreth historisë queer.
Vizita e Jetten dhe Mamdani erdhi në një kohë kur të dy kanë folur publikisht për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave LGBTQ+. Pas takimit, Jetten tha se Holanda dhe New York-u ndajnë sfida të përbashkëta dhe se të dy palët e konsiderojnë të rëndësishme mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTQI+, në një kohë kur këto të drejta janë nën presion në shumë vende të botës, raporton The Advocate.






