“52% e infektimeve me HIV në Kosovë përmes seksit heteroseksual, 25% nga seksi homoseksual”njofton MSH në Ditën Botërore të AIDS.

Sot po shënohet 1 dhjetori, Dita Botërore e AIDS-it. Kjo datë është caktuar si Ditë Botërore e AIDS që nga viti 1988, e dedikuar për ngritjen e vetëdijes ndaj kësaj pandemie.

Kjo datë është njëra nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit publik, të shënuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Që nga viti 1980, AIDS ka vrarë në mes të 28.9 – 41.5 milionë njerëz në mbarë botën, ndërsa bëhet e ditur se 36.7 milionë të tjerë jetojnë me HIV, duke e bërë atë një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit publik botëror në historinë e regjistruar.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me QRSHP, nivelin Parësor Shëndetësor dhe Organizatat joqeveritare, do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme, për shënimin e kësaj ditë në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një pjesë e aktiviteteve do të zhvillohen në shkolla, si mbajtja e ligjëratave për HIV/AIDS, trajnime me nxënës të shkollave të mesme për Infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) dhe HIV/AIDS, si dhe do të shpërndahen edhe materiale edukative shëndetësore në shkolla dhe te qytetarët.

Statistikat e HIV/AIDS në Kosovë

Sipas MSH, Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë drogë (PID) dhe punonjëset femra të seksit (PFS).

“Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV. Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor të vitit 2022, në Kosovë janë raportuar 157 raste me HIV dhe AIDS” thuhet në deklaratën e MSH në lidhje me shënimin e 1 dhjetorit.

Sa i përket shpërndarjes së rasteve sipas seksit, numri më i madh i takon meshkujve (76%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe 35-44 vjeç me 27%. Deri më tani 51 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2022, janë raportuar 15 raste me HIV infeksion dhe dy raste me AIDS, prej tyre 6 janë nga komuniteti MSM.

Rruga seksuale e transmetimit të HIV virusit vazhdon të dominoj në vendin tonë në 97% të rasteve, me 52% nga seksi heteroseksual dhe 25% nga seksi homoseksual.

Aktualisht në trajtim janë 52 persona të infektuar me HIV;

Ministria e Shëndetësisë siguron falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me HIV. Në kuadër të Klinikës Infektive, funksionon Qendra për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV (QKTV) ku shërbimi ofrohet falas.

Procedura hap-pas-hapi e testimit për HIV

Përveç QKTV, shërbime falas në lidhje me HIV/AIDS dhe infeksione tjera seksualisht të transmetueshme, për personat LGBTQ+ ofron edhe Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD.

Sa i përket procedurave të testimit për HIV, CSGD aplikon procedurat siç janë të parapara në Udhërrëfyesin kombëtar për shërbime të testimit për HIV. Procesi është i thjeshtë dhe këto janë hapat që duhet ndjekur:

1. Në Kosovë testimi për HIV është vullnetarë, askush nuk mund ta detyroj dikë që ta bëjë testin për HIV pa pëlqimin e personit. Prandaj si hap i parë është marrja me shkrim e pëlqimit apo aprovimit të klientit për t’u testuar.

2. Pas marrjes së pëlqimit, klientit i krijohet Kodi Unik i Identifikimit (KUI), që është kod kombëtar. Me këtë rast klientit i ruhet anonimiteti pa kërkuar asnjë të dhënë personale.

3. Hapi i radhës është këshillimi para testimit. Klienti merr informata që kanë të bëjnë me HIV, për infeksionet e tjera seksualisht të transmetueshme (IST) si dhe informata tjera të ndërlidhura me IST, sa herë që klientët kanë pyetje në lidhje me ketë.

4. Më pas merret mostra e gjakut. Nga gishti i dorës merret 1 ml gjak, apo 1 pikë gjak, që vendoset në kitin e testit rapid.

5. Pas 10-15 minutave kiti i testit rapid tregon rezultatin. Testet rapide, sipas OBSH, janë shumë të sakta deri në 99.7% të saktësisë.

6. Pas kumtimit të rezultatit, klientit i ofrohet këshillimi pas testimit.

Në rastet kur rezultati del pozitiv, klienti informohet që ky test nuk është përfundimtar pasi që sipas ligjeve dhe protokolleve kombëtare, vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) mund të konfirmoj rezultatet përfundimtare.

Pas informimit të klientit për rezultat pozitiv, klienti referohet në IKSHPK për rezultatin konfirmues i cili bëhet me ELISA dhe Western Blot (dy teste konfirmuese për HIV). Rezultati zakonisht del pas 7-10 ditëve. Pastaj, klienti njoftohet për rezultatin përfundimtar dhe referohet në klinikën infektive për trajtim të mëtutjeshëm nga infektologët specialist të kësaj fushe.

Përveç testimit për HIV, CSGD ofron edhe testimin për Hepatitin B dhe Sifiliz.

Furnizimi me PrEP dhe PEP në Kosovë

Në gusht të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht për themelimin e Grupit Punues për hartimin e protokollit klinik për Profilaksë para infektimit me HIV (Pre Exposure Prophylaxis – PrEP), grup ky i themeluar nga Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. CSGD është pjesë e këtij grupi punues dhe për Dylberizm njoftuan se “nëse gjërat shkojnë sipas planit, atëherë PrEP do të filloj së përdoruari në Prishtinë si pilot projekt në 6 muajt e parë të vitit tjetër.”

Gjatë kësaj faze të pilotimit, PrEP do të lëshohet nga mjeku specialist në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Sa i përket ilaçeve PEP, ato tashmë janë në dispozicion në Kosovë dhe mund të merren në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, pas përshkrimit të mjekut specialist.

PEP, ose profilaksia pas ekspozimit, është një kurs i shkurtër i ilaçeve HIV të marra shumë shpejt pas një ekspozimi të mundshëm ndaj HIV për të parandaluar që virusi të mbahet në trupin tuaj.

Ju duhet ta filloni atë brenda 72 orësh pasi të jeni ekspozuar ndaj HIV, ose përndryshe nuk do të funksionojë.

Fushata dhe aktivitetet për vitin 2022

Fushata për vitin 2022 zhvillohet me moton “BARAZI”.

Siç njofton MSH, motoja “BARAZI” është thirrje për veprim, është një nxitje për të gjithë ne që të punojmë për të adresuar pabarazitë dhe për të ndihmuar në përfundimin e AIDS-s, duke përfshirë:

Rritjen e qasjes, cilësisë dhe përshtatjen e shërbimeve për trajtim, testim dhe parandalim të HIV-it, në mënyrë që të gjithë të marrin shërbime të nevojshme.

Reformimin e ligjeve dhe praktikave që trajtojnë stigmën dhe përjashtimin me të cilin përballen njerëzit që jetojnë me HIV, grupet vulnerabile dhe të margjinalizuara, në mënyrë që të gjithë të trajtohen me respekt.

Ndërsa CSGD në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Qendrën Labirint do të jenë në sheshin e Prishtinës me klinikën mobile, nga data 1 deri më 7 dhjetor, për të ofruar testime falas për të gjithë qytetarët të cilët kanë dëshirë që të testohen. Gjatë këtyre ditëve qytetarët do të testohen për HIV, Hepatit B, Hepatit C dhe Sifiliz.

Ndërsa të shtunën më 3 dhjetor, CSGD organizon nejën “Testimi është kulturë” nga ora 20:00 në Teatrin ODA.

Duke filluar nga ora 20:00 klinika mobile për testim për HIV do të qëndroj në parkingun te Teatri ODA ku mund të testoheni me teste rapide për HIV, Hepatit B dhe Sifiliz nga profesionistë shëndetësor.

Testimi është vullnetar, anonim dhe konfidencial, dhe të gjithë ata/ato që do të testohen do të kenë dy pije gratis. Për muzikë do të përkujdeset REBISWAN.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top