Tu e lexu qitash
Dita e prindërve jobinarë ma jep ndjenjën e përkatësisë që ditët e nënës e babait nuk ma japin

Dita e prindërve jobinarë ma jep ndjenjën e përkatësisë që ditët e nënës e babait nuk ma japin

Një prind jobinar tregon se ngarkesa gjinore e prindërimit ia jep ndjenjën e përjashtimit dhe pse Dita e Prindërve Jobinarë mund të ndihmojë

Shkruar nga Emrhys Ma

E dija që fëmija im nuk do të më quante ‘mami’. Por, nuk e kisha menduar ndonjëherë që të gjithë të tjerët do të më quanin ashtu. Përvoja e prindërimit është dërrmuese si përvojë e gjinizuar dhe shtatzënia është katapultim në atë hapësirë gjinore. Kur isha 12 javë shtatzënë, një mamí më tha se ndoshta nuk do të isha në gjendje për gjoksdhënie për shkak të “problemeve të mia gjinore”, siç tha ajo. 

Kisha bërë hulumtime me orë të tëra duke kërkuar mamí që janë të përshtatshëm për personat trans. I thërrisja paraprakisht për të konfirmuar se ofronin kujdes shëndetësor trans-miqësor dhe përsëri përballesha me një grua të më thoshte që fakti që jam person transgjinor do të më bënte një prind më të keq.

Sipas përvojës së saj si mamí, ajo tha se pacientët me një identitet gjinor të ndryshëm nga seksi i tyre biologjik femëror nuk vazhduan të kenë sukses në gjoksdhënie. Ajo ndjeu gjoksin tim dhe parashikoi që unë do të kisha të njëjtën përvojë, qoftë për arsye biologjike apo shoqërore-emocionale. Ajo thjesht nuk besonte se njerëzit trans mund të ushqenin me qumësht. Për arsye shumë të qarta, unë nuk vazhdova me atë mamí. Por kur lindi fëmija im, ushqimi me gjoks më shkoi me sukses.

Për mua si prind jobinar Dita e Prindërve Jobinarë, e cila festohet të dielën e tretë të muajit prill, është edhe festë e edhe lehtësim. Unë kam vite të tëra përvojë në prindërim dhe ende jam duke ia bërë vendin vetes në një hapësirë kaq të gjinizuar.

Johnny Blazes, person jobinar që merret me edukim dhe performanca, e krijoi dhe filloi të festonte Ditën e Prindërve Jobinarë në 2017. E festa duket se ka çdo vit e më shumë festues. Kur je person jobinar, shpesh detyrohesh të zgjedhësh një gjini binare: ndërmjet departamentit të burrave apo grave, mes Ditës së Nënës apo Ditës së Babait. Të qenit prind jobinar nënkupton shumë të pathëna e kërkon shumë shpjegime, por Dita e Prindërve Jobinarë është një ditë vetëm për ne.

Djali më thërret “mimi”. Unë nuk e kisha vendosur përfundimisht për atë emër kur isha shtatëzënë, por e dija vetëm se nuk do të isha “mami”. Por çdo javë teksa bëja ushtrimet joga të para-lindjes, instruktorët i përfundonin orët e tyre në të njëjtën mënyrë: “Tani, nana, vendosni duart mbi barkun tuaj”.

Edhe shkrimi i kësaj sjell përsëri një valë parehatie, një mungesë të plotë përkatësie. Ka shumë prindër jobinarë që janë të kënaqur me emërtimet prindërore binare, por “mami” nuk jam ndjerë kurrë. Për mua, amësia është e lidhur me të qenit grua, dhe unë nuk jam grua. Unë kurrë nuk kam qenë.

Për rrjedhojë, shtatzënia ishte një përvojë e disforisë gjinore për mua. Sa herë që isha në një hapësirë të krijuar për nënat shtatëzëna, u ndjeva sikur po mashtroja. Kur u rikuperova nga lindja e bebes, fjeta në “Repartin e foshnjave dhe nënave”. I kisha printuar në një letër përemrat e mi në planin tim të braktisur të lindjes, por vetëm disa infermierë/e i përdorën ato. Isha shtatzënë në New Jersey, një shtet pro-demokrat me politikë progresive. Prapëseprapë, takova ofrues të shërbimeve mjekësore, një pas një, që më thoshin se po punonin për të qenë më gjithëpërfshirës gjinor, por kur më takonin më thërrisnin “mami”.

Shpesh, kjo vjen prej qëllimit të mirë. Kur një nga njerëzit që s’i njoh më thërrasin “mami”, e kanë hallin që të mos harroj ndonjë shishe uji ose thjesht përpiqen të gjejnë të rriturin për një fëmijë tjetër në këndin e lojërave. Dhembshuria dhe shoqëria në mes të prindërve mund të jenë një forcë për të mirë. Herën e fundit që familja ime po merrej me një pije të derdhur në një restorant, ishin prindërit e tjerë ata që më ndihmuan. Para se të mblidhnim copat e xhamit, prindërit nga një tavolinë afër nesh sollën faculeta dhe shaka për të porsalindurit.

Midis prindërve, ne mund të bëjmë shaka për rrëmujën që bëjmë dhe për gjumin që nuk e bëjmë. Ideja është që ne jemi në të njëjtin ekip. Problemi është se gjuha mungon.
Kur përpiqem të gjej një dentist të mirë pediatrik në zonën ku jetoj, e gjej veten në “grupet e nënave” në internet. Kur krijoj përmbajtje rreth prindërimit, përveç nëse i përfshij përemrat e mi në mënyrë të dukshme, në mënyrë të pashmangshme do të marr një koment si: “Bravo mami!”. 

Këto linja gjinore kanë për qëllim t’i bëjnë bashkë prindërit dhe të theksojnë atë që e kemi të përbashkët, por si prindër jobinarë, përjashtimi që na ato na sjellin mund të na dhembë.
Sigurisht, ka shkëndija të përparimit drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse. Kur e regjistroja fëmijën tim në parashkollor, gjeta administratorë dashamirës që i shlyejnë emrat “Nëna” dhe “Babai” në formularë dhe e shkruanin “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Edhe ligjëratat “Mami dhe unë” që i kam ndjekur shpesh kanë mësues të vetëdijshëm për gjuhën e papërditësuar.

Por, në fund të fundit, unë jam prind trans që jetoj në jug të Shteteve të Bashkuara. Një vit pasi u lind djali im, u transferuam në Karolinën e Veriut. Këtu ka komunitet të gjallë trans, por edhe unë kam një ndjenjë se duhet të bëj kujdes. E gjej veten duke kërkuar stikera miqësorë, para se t’ia tregoj personit përgjegjës te këndi i lojërave përemrat e mi.

Çdo javë në futboll, trajneri i John e përfundon klasën duke u thënë fëmijëve “gjeni nënat dhe baballarët tuaj”. Unë nuk e korrigjoj atë. Fëmija im di të më gjejë. Është delikate dhe rraskapitëse. Dhe kjo bën që një festë e krijuar për prindërit jobinarë të jetë më e vlefshme.

Jam me fat që kam prindër të tjerë jobinarë në jetën time. Ne jemi këtu. Jemi gjithandej. Ne thjesht presim që ju të tjerët të ecni pëkrah nesh. Ne zgjedhim të gjitha llojet e emrave, si Mapa, Baba, ose, në rastin tim, Mimi. Kur i prezantojmë fëmijët tanë me njëri-tjetrin, të gjithë kemi gjuhët tona rreth përemrave. Fëmijët s’u bën syri tërr. Këto janë struktura familjare që ata i quajnë shtëpi, të kompletuara e pa kode strikte gjinore.

Në familjet me prindër jobinarë, kjo mungesë e gjuhës gjinore vjen natyrshëm. Për aleatët, një ndryshim në fjalor mund të jetë mënyra më e shpejtë për të treguar se hapësirat tuaja prindërore janë gjithëpërfshirëse. Fjala neutrale “prind” është tashmë një pjesë e leksikut tonë dhe shkon përtej.

Kur ndërveproni me familjet, inkurajimi i fëmijëve për të gjetur “të rriturit” e tyre në një kënd lojërash përfshin prindërit jobinarë, por edhe gjyshërit, vëllezërit e motrat dhe kujdestarët e tjerë me anë të të cilëve mund të rriten fëmijët. Familjet kanë forma të ndryshme. Gjuha e gjerë na lejon t’i përfshijmë të gjithë.

Në familjen time të vogël, të qenit jobinar është e lehtë. Fëmija im e di se kush jam unë, ashtu si edhe partneri im. Dhe në Ditën e Prindërve Jobinarë, edhe bota mund të më shohë.

Terminologji

Mamí: [person me përgatitje të posaçme si mjek/e për periudhën e shtatzënisë dhe që jep mësim e këshilla për gjidhënien pas lindjes]

Gjoksdhënie: [ushqimi i bebes me qumësht nga gjoksi. Është term që funksionin si zëvendësim i ndjeshëm gjinor i fjalës “gjidhënie”. Termi “gjidhënie” nuk përkon me një pjesë të personave jo-binarë e trans të cilët nuk i ndjejnë gjinjtë, por gjoksin si pjesë të anatomisë së trupit të tyre]

Burimi: Well + Good

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top