Tu e lexu qitash
Nepali bëhet shteti i 40-të që njeh barazinë martesore për dylbera 

Nepali bëhet shteti i 40-të që njeh barazinë martesore për dylbera 

Më 18 qershor, Gjykata Supreme e Nepalit urdhëroi qeverinë të garantojë të drejta të barabarta martese për personat queer dhe transgjinorë. Me këtë vendim, Nepali bëhet shteti i 40-të në botë që njeh ligjërisht martesën e barabartë.

Martesa e barabartë ishte njohur përkohësisht në vitin 2023, pas një vendimi të përkohshëm të Gjykatës Supreme, kur nëntë aktivistë LGBTQ+ paditën ligjin që e përkufizonte martesën si bashkim mes një burri dhe një gruaje. Si rezultat, qeveria u detyrua të krijonte një regjistër të veçantë për martesat e çifteve queer. 

Vendimi i ri u jep siguri ligjore çifteve queer duke garantuar njohjen e plotë të martesave të tyre.  

Aktivisti për të drejtat e njeriut, murgu dhe ish-politikani Sunil Babu Pant e cilësoi atë si një moment historik për të drejtat e njeriut në vend. “Ky vendim historik shënon një moment të rëndësishëm për barazinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut në Nepal, ndërsa ofron qartësi dhe mbrojtje të domosdoshme ligjore për të drejtat e çifteve të së njëjtës gjini” tha ai.

Sipas tij, vendimi rikonfirmon parimet kushtetuese të vendosura në çështjen Sunil Babu Pant kundër Qeverisë së Nepalit dhe të forcuara nga raste të mëvonshme, përfshirë regjistrimin e parë ligjor të martesës jo tradicionale heteroseksuale, atë të Maya Gurung dhe Surendra Pandey. .

Edhe organizata Blue Diamond Society, që mbron të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në Nepal, deklaroi se liria për t’u martuar me personin që do është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e Nepalit.

“Ky vendim është i katërti i Gjykatës Supreme gjatë afro dy dekadave që e bën të qartë se liria për t’u martuar me personin që dashuron është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e Nepalit dhe se çifteve LGBTQIA+ dhe familjeve të tyre duhet t’u garantohen dinjiteti, respekti dhe mbrojtja që vetëm martesa mund t’i ofrojë”, thuhet në deklaratën e organizatës në Instagram.

Organizata shtoi se gjykata hodhi poshtë edhe një padi që synonte të bllokonte njohjen e këtyre të drejtave dhe shprehu pritshmërinë që qeveria ta zbatojë vendimin në praktikë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top