Konferenca e Javës së Krenarisë sjell reflektim mbi dhjetë vjet aktivizëm queer në Kosovë
Në ditën e katërt të Javës së Krenarisë 2026, më 4 qershor në Hotel Sirius në Prishtinë u mbajt konferenca “10 vjet Krenari, Rezistencë dhe Veprim”.
Konferenca mblodhi përfaqësues institucionesh dhe organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar rrugëtimin e lëvizjes queer në Kosovë gjatë dekadës së fundit.
Konferenca filloi me fjali hyrëse nga Blert Morina, drejtor ekzekutiv i CEL Kosova, i cili shprehu kënaqësinë për vazhdimësinë e organizimit të Paradës së Krenarisë çdo vit dhe theksoi se një konsistencë e ngjashme do të duhej të ndiqej edhe nga politikanët në Kosovë në proceset zgjedhore, me zgjedhje të rregullta çdo katër vjet.
Në fjalimin e tij, Morina përmendi se të drejtat LGBTQ+ vazhdojnë të shihen më shumë si dekor në takimet jashtë Kosovës, se sa një përkushtim i vërtetë për ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ende po flasim për nevoja bazike dhe trajtim të dinjitetshëm e të barabartë. Sot, nuk jemi këtu vetëm për të festuar dhjetë vite Pride, jemi këtu për të kuptuar se asnjë e drejtë nuk na është dhuruar dhe se çdo hap përpara ka ardhur si rezultat i guximit, këmbënguljes dhe solidaritetit të shumë njerëzve. Pikërisht për këtë nuk do të ndalemi” tha ai.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey, shprehu keqardhjen për mungesën e përfaqësuesve politikë në ngjarje dhe tha se konferenca ofron një mundësi për të reflektuar mbi sfidat që mbeten përpara, përfshirë njohjen ligjore të partneriteteve dhe familjeve queer në Kodin Civil, garantimin e sigurisë përmes strehimores LGBTIQ+, sigurimin e shërbimeve të nevojshme për komunitetin, si dhe angazhimin e qeverisë për zbatimin e Planit të Veprimit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTQ+.

“Shpresoj që sot e shihni të gjithë Prishtina Pride siç e shohim unë dhe kolegët e mi, si një dëshmi ndaj rezistencës të individëve, aktivistëve, organizatave, institucioneve dhe mbi të gjitha, komuniteteve që kanë punuar me kaq ngulm, pavarësisht rrethanave të vështira, të çojnë përpara dinjitetin që u takon personave LGBTQ+ në Kosovë” u shpreh Hennessey.
Pas fjalimeve përshëndetëse, u shfaq dokumentari “10 vite të Krenarisë në Prishtinë” që i ktheu në kohë të gjithë të pranishmit, duke sjellë pamje nga i gjithë rrugëtimi i Paradës së Krenarisë, që nga viti i parë i organizimit të saj e deri te puna e palodhshme e organizatorëve ndër vite për avancimin e të drejtave të komunitetit.

Ndërkaq, tryeza e konferencës, e moderuar nga gazetari dhe themeluesi i Institutit Sekhmet, Dardan Hoti, u fokusua në rrugëtimin e lëvizjes LGBTQ+ në Kosovë dhe vizionin për të ardhmen në drejtim të barazisë dhe përfshirjes së plotë në shoqëri.
Një nga pjesëmarrësit e diskutimit, Avokati i Popullit Naim Qelaj, tha se brenda shoqërisë vazhdojnë të ekzistojnë shumë raste të heshtura, si pasojë e mungesës së besimit në institucione, si dhe mosbesimit se të dhënat konfidenciale mund të mbrohen në mënyrë të duhur. Ai theksoi se ekspozimi i këtyre rasteve mund t’i vendosë personat në situata të vështira, prandaj institucionet duhet t’i trajtojnë këto raste me ndjeshmëri të lartë.

“Për këtë arsye, ne në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile kemi marrë një hap shumë të rëndësishëm, kemi kriju një doracak të trajtimit të ankesave të komunitetit LGBTQ+, për të cilën janë trajnuar stafi dhe janë të gatshëm për trajtimin e dinjitetshëm dhe komod ndaj komunitetit. Ne jemi të gatshëm në çdo rast ta kryejmë punën tonë sipas përgjëgjësive ligjore që kemi” tha Qelaj.
Sipas aktivistes Rajmonda Sylbije, shoqëria vazhdon të mbetet homofobike dhe rezistente ndaj pranimit të dallimeve dhe se aktivizmi përballet me një luftë të dyfishtë, si me institucionet ashtu edhe me shoqërinë.

Ajo shtoi se, përveç sfidave dhe ngecjeve, lëvizja ka edhe arritje për të cilat mund të krenohet.
“Ka përparim, natyrisht që ka. Kosova edhe pse ka fillu goxha vonë në krahasim me vendet e tjera duke i ditë rrethanat e 99-ës, për një kohë shumë të shpejtë ka mbërri me i shty çështjet e aspektit ligjor. Mburrje është edhe guximi me dalë në rrugë në një shtet me jo shumë banorë dhe në një qytet ku shumë lehtë mundesh me u identifiku. Aty e rrezikon çdo sferë të jetës tënde vetëm me një ecje” tha Sylbije.
Pjesë e diskutimit ishte edhe Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit, Habit Hajredini, i cili ndau pikëpamjet e tij mbi politikat e një dekade të lëvizjes.
‘Është shumë e rëndësishme të bashkëpunojmë gjithsesi me aktivistë, por krahas aktivistëve duhen të jenë edhe njerëzit tjerë që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Unë për 26 vjet nuk jam ndalë jo vetëm duke i përkrahë, por edhe me shty procese në të mirë të qytetarëve të komunitetit LGBTQ+. Nuk ka qenë e lehtë, shpeshherë jam paragjyku mirëpo është dashtë me argumentu, fillimisht në oborrin tonë ku punojmë, pastaj edhe në instanca tjera” tha Hajredini.
Ndër të tjera, në një përgjigje ndaj Drejtorit të Zyrës për Qeverisje të Mirë, Qelaj tha se Qeveria e Kosovës ka vepruar shpesh pa kontroll të mjaftueshëm, duke hartuar plane dhe ligje që nuk zbatohen në praktikë.
“S’jemi tu kërku favore, jemi tu kërku respektimin e një të drejte që na takon, që na e garanton Kushtetuta. Konceptet shoqërore të ndërtuara mbi patriarkalizëm janë pengesa e çdo shoqërie, na duhet me i tejkalu ato, e sot nëse diskriminohet një e drejtë e një qytetari vetëm pse i përket një komuniteti, ne jemi duke bë shkelje të rënda dhe jemi duke tregu që nuk jemi shtet demokratik. Këtë duhet me ua bë të qartë të gjithë atyre që lehtësisht thojnë ‘Kosova i ka ligjet e mira, po nuk zbatohen’, atëherë, pse nuk zbatohen? Kush ka me i zbatu?” tha Avokati i Popullit.
Konferenca shërbeu si një reflektim mbi hapat e rëndësishëm të bërë në avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, duke theksuar njëkohësisht sfidat që mbeten përpara dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm.






