Në një vendim historik, Gjykata e Italisë njeh ligjërisht tre prindër për një fëmijë
Një vendim historik i Gjykatës në Itali ka njohur ligjërisht tre prindër, dy baballarë dhe një nënë, për një fëmijë 4 vjeçar. Ky vendim ka hapur debat të gjerë në Itali.
Vendimi u raportua të martën nga mediat italiane dhe u konfirmua nga Pasqua Manfredi, avokatja e njërit prej baballarëve të fëmijës.
Fëmija i lindur në Gjermani jeton atje me dy burra të martuar, njëri prej të cilëve është prindi biologjik, i cili e ka lindur fëmijën me ndihmën e një gruaje që është shoqe e çiftit. Babai jo-biologjik, i cili është italo-gjerman, më pas e adoptoi fëmijën sipas ligjit gjerman, por ai kërkoi që adoptimi të njihej edhe në Itali.
Një autoritet lokal e refuzoi kërkesën, duke dyshuar se fëmija ishte lindur përmes surrogacisë jashtë vendit, një praktikë që qeveria konservatore e Italisë e ka kriminalizuar.
Megjitatë, Gjykata e Apelit në qytetin jugor italian të Barit e rrëzoi vendimin, duke pranuar se nuk kishte marrëveshje surrogate në këtë familje. Vendimi, i cili është përfundimtar, thotë se Italia, ashtu si Gjermania, pranon që fëmija ka dy baballarë të njohur ligjërisht dhe një nënë.
“Nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë për surrogaci këtu. Ky është një rast ku tre persona duan të jenë prindërit e këtij fëmije, dhe gjykata e ka njohur këtë,” tha Manfredi për Reuters.
Vendimi është marrë në janar, por u bë publik në kohën kur Italia shënoi 10-vjetorin që nga votimi i parlamentit për legalizimin e partneriteteve të të njëjtit seks.






