Polonia bën histori me regjistrimin e martesës së parë mes dy burrave gej
Kryeqyteti i Polonisë, Varshava, regjistroi të enjten martesën e parë mes dy burrave duke zbatuar vendimet gjyqësore që kërkojnë nga vendi të njohë martesat mes sekseve të njëjta që janë regjistruara jashtë vendit.
Në nëntor, gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian urdhëroi Poloninë të regjistrojë martesat mes personave të të njëjtit seks që janë lidhur në vende të tjera të BE-së, edhe pse ligji polak aktualisht nuk i lejon ato. Ndërsa në mars, Gjykata Supreme Administrative e Polonisë, iu referua këtij vendimi duke urdhëruar autoritetet e vendit të njohin martesën e dy burrave polakë, që janë martuar në Gjermani.
“Sot në mëngjes lëshuam certifikaten e parë martesore për një çift të të njëjtit seks, në përputhje me vendimet e gjykatës,” tha kryetari i Varshavës, Rafał Trzaskowski.
Kryetari premtoi gjithashtu se qyteti i tij do të njohë në mënyrë proaktive edhe martesat e tjera të polakëve të të njëjtit seks të regjistruara diku tjetër në BE, edhe pa një vendim specifik gjykate.
Kryeministri Donald Tusk deklaroi të martën se qeveria e tij do të gjejë mënyra për të zbatuar vendimet sa më shpejt të jetë e mundur dhe, duke iu drejtuar çifteve të të njëjtit seks, kërkoi falje “të gjithë atyre që për shumë vite janë ndjerë të refuzuar dhe të poshtëruar”.
Tusk u bëri thirrje zyrtarëve polakë, pavarësisht opinioneve të tyre personale, “të respektojnë dinjitetin e çdo individi dhe të kujtojnë se personat LGBTIQ+ jetojnë rreth nesh, mes nesh, pranë nesh, dhe se meritojnë të njëjtat ndjenja respekti, dinjiteti dhe dashurie si çdo person tjetër”.
Personat LGBTIQ+ prej dekadash kanë luftuar për të drejta të barabarta në Poloni, ku martesa mes personave të të njëjtit seks dhe partneritetet civile janë të paligjshme.
Sipas një sondazhi të Ipsos+ vitin e kaluar, 67% e polakëve mbështesin martesën mes personave të të njëjtit seks ose njohjen ligjore të bashkimeve për çiftet LGBTIQ+.
Edhe pse kanë ekzistuar dy iniciativa që qeveria të paraqesë projektligje për partneritetet civile në parlament, të dyja dështuan për shkak të mungesës së mbështetjes nga anëtarët konservatorë.






