Mbyllja e strehimores së dylberave në Shkup duhet të jetë alarm për krejt Ballkanin Perëndimor

Banorja e fundit e strehës së vetme të Maqedonisë së Veriut për viktimat LGBTIQ+ të dhunës në familje tani po përpiqet të mbijetojë e vetme. Ajo është e punësuar, mezi ia del të përballojë shpenzimet e qirasë dhe jetesës. Por ajo është një nga të paktat me fat. Që nga shkurti, një strehë e tillë nuk ekziston në vend. Dylberat maqedonas që përballen me abuzimin nuk kanë se ku të strehohen.
Strehimorja e dylberave Safe House në Shkup, e vetmja në Maqedoninë e Veriut dhe ndër të rrallat në të gjithë rajonin, është mbyllur si pasojë e mungesës së financimit. Ky nuk është vetëm një dështim i Maqedonisë së Veriut – është një kambanë alarmi për gjithë rajonin. Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, tani nuk ka strehimore të dedikuara për viktimat LGBTIQ+ të dhunës në familje. Kosova, Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë pasur asnjëherë strehimore të tilla. Në vend të kësaj, shërbimet thelbësore për më të margjinalizuarit u janë dhënë prej kohësh organizatave të shoqërisë civile, zakonisht të mbështetura nga donatorë ndërkombëtarë.
“Ju njoftojmë se qendra e strehimit Safe House do të ndërpresë përkohësisht funksionimin dhe ofrimin e shërbimit social: strehimin e përkohshëm në qendrën tonë për viktimat e dhunës me bazë gjinore. Marrja e këtij vendimi ishte e vështirë dhe u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha aspekteve të situatës aktuale në të cilën ndodhemi.” – u tha në njoftimin zyrtar të Safe House të lëshuar në Facebook më 17 shkurt.
Streha e dylberave në Shkup, e drejtuar nga organizata Safe House mbijetoi për aq kohë sa financimi përmes donatorëve të huaj ishte në dispozicion. Por kur këto fonde u ndërprenë, dhe donatorët e huaj u larguan, dhe kur qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk morri ndonjë veprim, kjo strehë u detyrua t’i mbyllë dyert e saj. Që nga shkurti, një strehë e tillë nuk ekziston në vend. Dylberat maqedonas që përballen me abuzimin nuk kanë se ku të strehohen.
Sipas Ivana Kostovska, drejtore e organizatës, tërheqja e donatorëve, financimi i paqëndrueshëm dhe indiferenca e qeverisë kontribuan në mbylljen e saj.
“Politikat qeveritare e ndarjes së fondeve për secilin të strehuar – vetëm për rastet kur Qendrat për Punë Sociale vendosin që është rast i dhunës me bazë gjinore – nuk ka kontribuuar në qëndrueshmërinë e strehimores. Kjo politikë përjashtoi shumë persona LGBTIQ+ dhe fatkeqësisht, shteti dështoi ta njohë rëndësinë e ekzistencës së Safe House”, thotë Kostovska.
Përfundimi është shkatërrues. Në një rajon tashmë të rrënuar nga dhuna, varfëria dhe paqëndrueshmëria politike, dylberat përballen me kërcënime jo vetëm në publik, por edhe në shtëpi. Refuzimi i familjes, abuzimi, dëbimi dhe traumat psikologjike janë të zakonshme. Një strehë nuk është thjesht një shtrat – është një litar shpëtimi.
Mbyllja e kësaj strehimoreje, që shërbente si shtëpi e sigurt për viktimat e dhunës në familje, tregon më së miri se si shtetet e Ballkanit Perëndimor i llogarisin shërbimet thelbësore për dylberat si përgjegjësi të donatorëve ndërkombëtarë dhe organizatave jo-qeveritare, por asnjëherë si obligim bazik që shteti parimisht do të duhej ta ofronte.
Në Shqipëri, Streha – strehimorja e vetme e vendit për personat LGBTIQ+, ka mbijetuar për shkak të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm midis organizatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky partneritet, për të cilin u deshën vite avokimi, sado pak i ka ndihmuar udhëheqësve të Strehës të kenë shpresë në qëndrueshmërinë e qendrës. Edhe pse pjesa më e madhe e financimit të kësaj qendreje në Tiranë bëhet nga donatorë të huaj, Streha na tregon se shtetet mund t’i mbështesin këto shërbime, nëse ata dëshirojnë.
Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2024, streha e parë e vendit për dylbera hapi dyert e saj dhe brenda një viti, ajo kishte ofruar tashmë strehim të sigurt, mbështetje psikologjike dhe ndihmë ligjore për shumë individë që përballeshin me dhunë dhe përjashtim. Siç tha një banor për Këshillin e Evropës, “E pashë veten në historinë e një të mbijetuari tjetër – kjo ishte shtytja që më duhej për të arritur. Kjo strehë më ndryshoi jetën”. Strehimorja, e hapur nga Fondacioni Wings of Hope mbështetet plotësisht nga donatorët e huaj, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës.
Asnjëra nga dy strehimoret ekzistuese për viktimat dylbera të dhunës në baza gjinore nuk është e mbështetur plotësisht nga shteti.
Ndërkaq në Kosovë, ndërtimi i strehimores ndonëse ka qenë në diskutim e sipër tash e shumë vite, vendosja e këtij diskursi në publik u bë në dhjetor të vitit të kaluar, në diskutimin publik ‘‘Kur po hapet strehimorja LGBTQ+ në Kosovë?’’ organizuar nga Dylberizm përgjatë fushatës 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me bazë Gjinore. Në këtë diskutim u bë e ditur se të paktën 17 shtetas të Kosovës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre për në Shqipëri shkaku i rrezikut ndaj jetës së tyre që nga viti 2016. Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey e cilësoi hapjen e strehimores ‘‘urgjencë sociale dhe e drejtë papërmbushur e njeriut’’.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, pesë organizata jo-qeveritare i janë bashkuar Dylberizm duke i bërë thirrje institucioneve që ta jetësojnë urgjentisht strehimoren për dylberat, e cila është premtuar tash e sa vite. I kemi bërë thirrje Komunës së Prishtinës që ta ndajë pronën për strehimoren, Kuvendit që të ndajë buxhet adekuat për strehimoren, ministrisë që t’i zbatojë zotimet e saj që i ka miratuar me strategjinë kundër dhunës në familje.
Deri më sot, asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për jetësimin e strehimores. Si në shumë vende të rajonit, mbijetesa e dylberave mbetet e varur nga projektet e përkohshme të donatorëve dhe jo nga vullneti politik i shtetit. Dhe kur këto projekte mbarojnë, hapësirat mbyllen, njerëzit mbesin të pasigurtë, dhe cikli i dhunës vazhdon.
Si Kosova, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia duhet të marrin përgjegjësi. Nuk mund të mbështetemi në donatorë ndërkombëtarë për të ofruar shërbime kaq themelore si strehimi dhe siguria. Hapja dhe funksionimi i strehimoreve për personat LGBTIQ+ duhet të jetë pjesë e politikave publike dhe të financohet nga buxhetet shtetërore.
Të jetosh i/e sigurt nuk mund të trajtohet si privilegj, është e drejtë bazike. Koha është tash që të gjitha qeveritë të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë me urgjencë ne institucionalizimin e mbështetjes për dylberat.