Tu e lexu qitash
“Nuk ka progres në ndërtimin e strehimores LGBTIQ+”, thuhet në Raportin e Progresit 2025 për Kosovën

“Nuk ka progres në ndërtimin e strehimores LGBTIQ+”, thuhet në Raportin e Progresit 2025 për Kosovën

Raporti i Progresit 2025 i Bashkimit Evropian për Kosovën vlerëson se mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTIQ+ mbetet e pamjaftueshme dhe diskriminimi është ende i lartë.
Kosova, sipas raportit, ende nuk ka miratuar një strategji apo plan veprimi për të drejtat e personave LGBTIQ+ dhe nuk ka zhvilluar fushata ndërgjegjësimi, duke lënë boshllëqe të mëdha në mbrojtjen institucionale të dylberave.

Në mungesë të veprimit shtetëror, shoqëria civile vazhdon të mbajë barrën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, psikosociale dhe ligjore për dylberat, ndërkohë që institucionet publike mbeten pasive.

“Shoqëria civile po e mbush boshllëkun e krijuar nga mungesa e përgjegjësisë shtetërore,” thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Një zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2025 ishte dënimi me burg i kryesve të një krimi urrejtjeje kundër një personi LGBTIQ+ – vendimi i parë i tillë në Kosovë. Megjithatë, BE-ja thekson se rasti mbetet përjashtim, pasi shumica e dhunës dhe diskriminimit ndaj komunitetit queer mbetet e pandëshkuar.

Në të njëjtin vit, u formua një koalicion zgjedhor që kundërshton haptazi të drejtat e personave LGBTIQ+, të cilin raporti e përshkruan si një zhvillim negativ në diskursin publik, që tregon se barazia gjinore dhe seksuale po përdoren si terren politik për përçarje dhe popullizëm.

Në anën tjetër, Java e Krenarisë dhe Parada e Krenarisë u zhvilluan në Prishtinë pa incidente, çka Komisioni e vlerëson si një tregues pozitiv të përpjekjeve të vazhdueshme të komunitetit queer për hapësirë publike dhe shprehje të lirë. Por ky është, sipas raportit, një nga pak zhvillimet pozitive në një realitet ku mungon progresi strukturor dhe ligjor.

Raporti thekson se vonimi i miratimit të Kodit Civil dhe Ligjit për gjendjen civile po pengon njohjen ligjore të gjinisë për personat trans dhe interseks, ndërsa unioni civil i të njëjtit seks vazhdojnë të mos njihen ligjërisht, pavarësisht premtimeve të qeverisë për ta bërë këtë në vitin 2024.

Më shqetësuesja mbetet fakti që “nuk ka pasur progres në ndërtimin e strehimores së planifikuar për viktimat LGBTIQ+ të dhunës në familje”, një dështim që BE e cilëson si tregues të mungesës së vullnetit institucional për të ofruar siguri dhe mbrojtje për dylberat që përballen me dhunë brenda familjes.

Raporti i BE-së e bën të qartë se të drejtat LGBTIQ+ janë pjesë e standardeve themelore demokratike që çdo vend kandidat duhet të garantojë. Kosova mund të ketë fituar liberalizimin e vizave, por pa një sistem që mbron barazinë, ajo mbetet e largët nga standardet evropiane.

Raportin e plotë në gjuhë angleze mund ta lexoni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top