Monitorimi i Vrasjeve Transgjinore 2025 zbulon një trend të ri në dhunën anti-trans: Targetimi sistematik i aktivistëve dhe udhëheqësve të lëvizjes
Paralajmërim: Ky artikull diskuton dhunën, vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTIQ+, andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.
Të dhënat e reja globale nga Monitorimi i Vrasjeve Transgjinore 2025 (Trans Murder Monitoring) i TGEU -TGEU (Trans Europe and Central Asia- është një organizatë jofitimprurëse e udhëhequr nga persona transgjinorë për të drejtat dhe mirëqenien e personave transgjinorë në Evropë dhe Azinë Qendrore) zbulojnë një ndryshim të rrezikshëm: një numër në rritje i viktimave të vrasjeve janë udhëheqës dhe aktivistë të lëvizjes transgjinore. Gjatë vitit të kaluar, aktivistët transgjinorë përbënin 14% të vrasjeve të raportuara dhe janë grupi i dytë më i synuar globalisht, pas punonjësve të seksit. Rritja e vrasjeve të aktivistëve transgjinorë vit pas viti tregon se kjo është një përpjekje për të heshtur ata/ato që luftojnë për të drejtat e transgjinorëve në të gjithë botën.
Për të shënuar fillimin e Javës së Ndërgjegjësimit Transgjinor 2025, që çon në Ditën e Përkujtimit të Transgjinorëve më 20 nëntor, TGEU publikon përditësimin vjetor të projektit global të monitorimit të vrasjeve transgjinore. Ky hulumtim ka dokumentuar vrasjet e personave transgjinorë dhe me gjini diverse në nivel global që nga viti 2009.
Gjetjet kryesore
- 281 persona transgjinorë dhe me gjini diverse u raportuan të vrarë në mes të 1 tetorit 2024 dhe 30 shtatorit 2025.
- Që nga viti 2009, monitorimi i TGEU ka regjistruar 5322 vrasje në të gjithë botën.
- Punonjësit e seksit (34%) mbeten grupi më i synuar nga të gjitha profesionet e njohura.
- Ka një rritje të dukshme të vrasjeve të aktivistëve dhe udhëheqësve të lëvizjeve, të cilët janë grupi i dytë më i synuar sipas profesionit këtë vit, duke përbërë 14% të rasteve (nga 9% në vitin 2024 dhe 6% në vitin 2023).
- Duke përsëritur modelin e viteve të kaluara, 90% e vrasjeve të raportuara ishin femicide (viktimat ishin gra transgjinore ose persona transfemininë).
- 88% e viktimave ishin persona transgjinorë të zi e të kaftë, një rënie prej 5% nga niveli më i lartë i vitit të kaluar (93%).
- 24% e viktimave të vrasjeve ishin të moshës 19-25 vjeç, 25% të moshës 26-30 vjeç, 26% të moshës 31-40 vjeç dhe 5% nën 18 vjeç.
- 68% e vrasjeve ndodhën në Amerikën Latine dhe Karaibe; Brazili kryeson listën për të 18-tin vit radhazi me 30% të rasteve totale.
- Pesë raste u raportuan në Evropë, nga tetë në vitin 2024.
- 31 raste u raportuan në Shtetet e Bashkuara, nga 41 në vitin 2024.
- 44% e vrasjeve të raportuara ishin të shtëna me armë.
- 25% e vrasjeve ndodhën në rrugë dhe 22% ndodhën në shtëpinë e viktimës.
Ashtu si në vitet e kaluara, gratë transgjinore me ngjyrë, si dhe punonjëset transgjinore të seksit janë të mbi-përfaqësuara në mes të viktimave të vrasjeve, me punonjëset e seksit (34%) që janë më të synuara nga të gjitha profesionet e njohura. Kjo nxjerr në pah se si mizogjinia, racizmi, dhe ksenofobia kryqëzohen në mënyra vdekjeprurëse.
“Në dy vitet e fundit, vrasjet e aktivistëve transgjinorë dhe udhëheqësve të lëvizjeve janë dyfishuar”, tha Deekshitha Ganesan, Menaxhere e Politikave në TGEU.
“Kjo rritje është një përpjekje e qëllimshme për të heshtur ata/ato që mbrojnë lirinë dhe barazinë. Këto vrasje janë pasoja më ekstreme e diskursit politik që dehumanizon njerëzit transgjinorë. Qeveritë duhet të veprojnë tani për të mbrojtur avokuesit e të drejtave të njeriut transgjinorë dhe për të siguruar që komunitetet transgjinore të mund të jetojnë dhe të organizohen në mënyrë të sigurt.”
“Çdo aktivist i vrarë përfaqëson një komunitet të heshtur”, tha Freya Watkins, Zyrtare e Lartë e Hulumtimeve në TGEU.
“Qeveritë dhe institucionet duhet të mbështesin shoqërinë civile, të harmonizojnë ligjet për krimet e urrejtjes dhe të dekriminalizojnë punën seksuale për të ndaluar këtë dhunë.”
Trende të tjera
Një total prej 281 personash transgjinorë dhe me gjini diverse u vranë që nga përditësimi i vitit 2024, një rënie nga 350 rastet e vitit të kaluar. Megjithatë, kjo rënie nuk sinjalizon domosdoshmërisht rritje të sigurisë. Me shumë mundësi pasqyron padukshmërinë në rritje të këtyre vrasjeve në raportimin mediatik – një trend që mund të formohet nga ndryshimet në algoritmet e motorëve të kërkimit dhe rrjeteve sociale ose nga mosinteresimi i përhapur i medias, gjë që mund t’i bëjë vrasjet më të vështira për t’u identifikuar dhe verifikuar.
“Që nga viti 2020, kam vënë re një rënie në këto lloj lajmesh, e cila mund të jetë për shkak të padukshmërisë së këtyre incidenteve ose rritjes së mos-raportimit”, tha një nga partnerët e hulumtimit të TGEU, Sayonara Nogueira, Observatorio Trans & Rede Trans Brasil.
“Nuk është e mundur të pretendohet se informacioni dhe rezultatet e paraqitura këtu përfaqësojnë të gjitha vrasjet dhe dhunën kundër personave transgjinorë, për shkak të kufizimeve gjatë monitorimit dhe mungesës së të dhënave qeveritare.”
Meqenëse shumë vrasje raportohen gabimisht ose lihen jashtë, shpesh për shkak të përcaktimit të gabuar të gjinisë, stigmës ose raportimit të gabuar në media, numri i vërtetë i vrasjeve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Në të njëjtën kohë, mjedisi më i gjerë i dhunës kundër komuniteteve trans po intensifikohet. Armiqësia anti-trans e mbështetur nga shteti po legjitimon dhunën dhe po dobëson mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke i lënë njerëzit transgjinorë gjithnjë e më të pambrojtur dhe të ekspozuar.
Këtë vit, Azia ishte i vetmi rajon global ku rastet u rritën krahasuar me vitin 2024, me një total prej 51 rastesh – më i larti ndonjëherë për rajonin, që përbën 18% të numrit global. Pakistani raportoi më shumë vrasje në Azi në vitin 2025, duke tejkaluar Indinë. Sa i përket rasteve të të gjitha kohërave, Pakistani tani renditet i shtati globalisht, duke e bërë atë vendin e dytë aziatik me renditjen më të lartë pas Indisë.
Ndërkohë, të dhënat sugjerojnë se shumica e rajoneve po përjetojnë një trend në rënie të vrasjeve të raportuara që synojnë personat transgjinorë. Amerika Latine dhe Karaibet vazhdojnë të përbëjnë shumicën dërrmuese të rasteve, me Brazilin, Meksikën, Kolumbinë dhe Venezuelën që kanë numrat më të lartë në rajon. Megjithatë, numri i regjistruar në vitin 2025 ishte nën 200 – hera e parë që totali kishte rënë nën këtë prag në 15 vitet e fundit.
Rastet në Amerikën e Veriut janë rikthyer në nivelet para pandemisë, kanë arritur kulmin e të gjitha kohërave në katër vitet e fundit. Në Evropë, numri i vrasjeve të këtij viti (5) është më i ulëti i regjistruar që nga fillimi i TMM në vitin 2009.
Numri alarmues i vrasjeve të aktivistëve trans nxjerr në pah realitetin e ashpër të hapësirave demokratike në tkurrje, ku udhëheqësit e lëvizjes janë gjithnjë e më shumë nën sulm, të shënjestruar për atë që janë dhe për punën e tyre në mbrojtje të barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Shumë organizata të shoqërisë civile dhe udhëheqës të lëvizjes veprojnë në mjedise armiqësore, pa mbështetje ose përballen me persekutim nga qeveritë e tyre.
TGEU rekomandon që qeveritë dhe institucionet:
Të mbështesin mbrojtësit e të drejtave trans dhe organizatat e shoqërisë civile duke lehtësuar presionet financiare, duke siguruar sigurinë e tyre dhe duke i mundësuar ata/ato të vazhdojnë të organizohen dhe të avokojnë pa frikë.
Të harmonizojnë dhe miratojnë legjislacionin për krimet e urrejtjes dhe antidiskriminimin që mbron në mënyrë të qartë personat trans dhe zhvillojnë kuptime të përbashkëta për atë që përbën gjuhë të paligjshme urrejtjeje.
Të ofrojnë trajnime për profesionistët për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme dhunës anti-trans, veçanërisht për ata që përballen me forma të kryqëzuara të diskriminimit, siç janë gratë trans me ngjyrë dhe punonjëset e seksit.
Të dekriminalizojnë punën e seksit dhe të sigurojnë mbrojtje të punës për personat trans dhe personat me diversitet gjinor.
Lexoje lajmin origjinal këtu.






