Meta po heq 79% më pak përmbajtje me gjuhë urrejtjeje pas ndryshimit të politikave ndaj personave LGBTQIA+
Meta ka ulur ndjeshëm heqjen e përmbajtjes me gjuhë urrejtjeje në platformat e saj, pasi ndryshoi politikat e moderimit në fillim të vitit 2025. Sipas të dhënave të paraqitura para Komisionit Mbretëror Australian për Antisemitizmin dhe Kohezionin Social, veprimet për heqjen e përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje në Facebook kanë rënë me 79%.
Në janar 2025, Meta hoqi programin e verifikimit të fakteve në Shtetet e Bashkuara dhe ndryshoi politikën e saj për “Sjelljen e Urrejtjes” (Hateful Conduct), duke lejuar forma të caktuara të gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+. Sipas drejtorit të politikave të përmbajtjes në Meta, Benjamin Good, ndryshimet – të miratuara nga Mark Zuckerberg – synonin të lejonin “më shumë përmbajtje dhe më shumë liri shprehjeje” në platformë.
Ndryshimet përfshinë dobësimin e mbrojtjeve për personat LGBTIQ+, veçanërisht për personat transgjinorë, ndërprerjen e programeve për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje (DEI), heqjen e programit të verifikimit të fakteve në SHBA dhe ndryshimin e mënyrës se si zbatohen rregullat për gjuhën e urrejtjes. Meta tani mbështetet kryesisht te raportimet e përdoruesve për të identifikuar shkeljet.
Edhe pse kompania pretendon se këto ndryshime kanë ulur rastet kur përmbajtja hiqej gabimisht, të dhënat e paraqitura para Komisionit Mbretëror tregojnë se ato kanë sjellë edhe një rënie prej 79% të veprimeve për heqjen e përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje.
Sipas raportit të Indeksit të Sigurisë së Mediave Sociale (Social Media Safety Index), ndryshimet në politikat e Meta-s i kanë bërë Facebook-un dhe Instagram-in më pak të sigurt për personat LGBTIQ+, veçanërisht për personat transgjinorë dhe jobinarë. Instagram u vlerësua me 41 pikë nga 100, ndërsa Facebook me 40.
Raporti shpreh gjithashtu shqetësim për përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale në moderimin e përmbajtjes, duke argumentuar se kjo ka çuar në kufizimin ose shtypjen e përmbajtjeve dhe llogarive të personave LGBTIQ+. Media australiane QNews ka raportuar vazhdimisht për raste të pezullimit të llogarive, fshirjes së profileve dhe shadowban-it (kufizim i fshehtë i shikueshmërisë së përmbajtjes) që kanë prekur përdorues dhe organizatorë të eventeve queer.
Si përgjigje, organizata Digital Rights Watch, në bashkëpunim me Repro Uncensored, po dokumenton rastet e censurimit të personave LGBTIQ+ në platformat e Meta-s në Australi. Ndërkohë, organizata queer në Holandë dhe aktivistë për të drejtat digjitale kanë nisur veprime ligjore kundër Meta-s, duke argumentuar se ndryshimet në politikat e kompanisë po dëmtojnë sigurinë dhe lirinë e shprehjes së komuniteteve queer.





