Tu e lexu qitash
Ocean Vuong (14 tetor, 1988)

Ocean Vuong (14 tetor, 1988)

Ocean Vuong (lindur më 14 tetor 1988) është poet, eseist dhe novelist vietnamez-amerikan.


Stili unik i shkrimit të poezisë së Vuong është si zhytje në kërkim të pandalshëm të dashurisë dhe kuptimit të humbjes, duke frymëzuar në lexuesin nostalgji dhe çlirim. Në poezitë e tij ai shtjellon tema të ndryshme rreth jetës, dashurisë, seksualitetit, familjes dhe aftësive që gjuha i mundëson njeriut.


Kur ai ishte dy vjeç, prindërit e tij u shpërngulën nga Vietnami në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata u vendosën në Glastonbury, Connecticut, dhe asnjëri nga anëtarët e familjes së tij nuk fliste anglisht.


Për shkak se babai i Vuong e abuzonte fizikisht nënën e tij, prindërit e tij u divorcuan shpejt pas shpërnguljes. Babai i tij u largua dhe më nuk u kthye. Kështu që shkrimtari u rrit i vetëm me nënën e tij, e cila e mbante familjen duke punuar në një sallon të thonjve, ku kaloi 25 vjet të jetës së saj. Ajo ndërroi jetë në vitin 2019.


Nëna e tij nuk dinte të lexonte anglisht dhe Vuong ishte anëtari i parë i familjes që mësoi të lexonte dhe të shkruante në mënyrë të shkathët. Dëshira për gjuhën dhe shkrimin e shtyu të regjistrohej në Brooklyn College, ku përfundoi studimet bachelor për letërsi angleze të shekullit të 19-të. Ndërkaq studimet master i përfundoi në programin për poezi në Universitetin e Nju Jorkut.


Dy librat e tij përmbledhje me poezi të titulluar “Night Sky” dhe “Exit Wounds”, i ndihmuan të arrijë famën si shkrimtar dhe të dallohet për shkrimet e tij në mbarë botën. Për poezitë e tij, në vitin 2016 fitoi çmimin Whiting Award, ndërkaq në vitin 2017 fitoi çmimin T.S. Eliot Prize. Shkrimet e tij janë përkthyer në 30 gjuhë të botës.

Kqyre edhe qito


Në vitin 2019 ai publikoi novelën e tij të parë të titulluar “On Earth We’re Briefly Gorgeous”. Ky libër, me të cilin e fitoi çmimin American Book Award, në thellësi trajton traumat, racizmin, identitetin gjinor dhe orientimin seksual, duke qenë po ashtu një eksplorim autobiografik i disa ngjarjeve të fëmijërisë së tij.


Vuong jeton hapur si gej, dhe praktikon Zen Budizmin. Ai punon si profesor i asociuar në Universitetin e Massachusetts në Amherst. Jeton në Northampton, Massachusetts, së bashku me partnerin e tij Peter Bienkowski, i cili punon si avokat.


Në një intervistë ai ka thënë se të qenit queer e shpëtoi në jetë dhe e bëri njeri më të mirë, sepse i ndihmoi të gjente kënde më të veçanta prej të cilave e percepton botën.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top