Tu e lexu qitash
Sulmohet “Qendra e Informimit të Krenarisë” në Beograd

Sulmohet “Qendra e Informimit të Krenarisë” në Beograd

Dje, më 7 janar 2024, derisa shumica e qytetarëve në Serbi po festonin Krishtlindjet Ortodokse, zyra e qendrës së informimit të Belgrade Pride u sulmua nga një sulmues i maskuar.

“Pride Info Center” është qendra e Belgrade Pride dhe shërben si hapësirë për aktivitete dhe shërbime për personat LGBTIQ+ dhe aleatët. Kjo qendër është publike dhe e fokusuar në një zonë qendrore të kryeqytetit, afër Parlamentit të Serbisë.

Qysh prej hapjes së saj e deri tash, kjo zyrë është sulmuar disa herë nga persona të ndryshëm. Disa herë janë shpërndarë video nga kamerat e sigurisë të Belgrade Pride, ku shihen persona kryesisht të maskuar por ndonjëherë edhe jo, duke sulmuar qendrën.

Ky ishte sulmi i parë që theu të gjitha dritaret e hapësirës dhe tregon një akt më të ashpër të sulmit dhe dhunës. Gjithsesi, jo i pari ndaj të cilit nuk kanë reaguar institucionet e sigurisë. Kjo hapësirë supozohet të jetë e sigurtë për personat LGBTIQ+ për shkak se përveç se ndodhet afër institucioneve të rëndësishme shtetërore, hapësira është e siguruar edhe nga një kompani private e sigurimit dhe kontrollohet me kamera.

Në komunikimin zyrtar te Belgrade Pride dhe ERA- LGBTI Equal Rights Association, thuhet që përkundër sulmeve të ndryshme dhe fakteve vizuale të këtyre sulmeve, organet e rendit në Serbi nuk kanë marrë asnjë hap për identifikimin e këtyre personave, zbardhjen e rasteve apo parandalimin e rasteve të tjera.

Ne qëndrojmë në solidaritet me personat LGBTIQ+ dhe e vlerësojmë rezistencën e tyre përkundër sulmeve të vazhdueshme!

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top