Tu e lexu qitash
Me dashni qëndrojmë bashkë kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë

Me dashni qëndrojmë bashkë kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë

Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë shënon momentin historik drejt barazisë LGBTIQ+. Anipse ne e festojmë këtë moment si ndër përparimet kryesore, në sallat e pushtetit betejat kundër homofobisë, transfobise dhe bifobisë shpërfaqin një tjetër realitet me shumë paragjykime e gjuhë të urrejtjes. 

Retorika homofobike që po mbizotëron nga deputetët, të verbëruar nga fanatizmi, vetëm se po përjetëson paragjykimet dhe stereotipet e dëmshme, kësisoj duke e përshkuar diskursin legjislativ.

Për neve, homofobia, transfobia dhe bifobia nuk janë koncepte abstrakte që përkufizohen në librat e historisë apo si përjetime të botës perëndimore. Janë realitetet tona të përditshme që, në një mënyrë a tjetër, formësojnë  jetën tonë, shkollimin, familjen, vendin e punës, mënyrën se si ndihemi për vetën apo jetën dashurore.

Sot po reflektojmë mbi rezistencën e përbashkët që e kemi ndërtu. Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë përpos që ua rikujtojmë politikëbërësve, familjarëve e shoqnisë rëndësinë e pranimit të dylberave, në retrospektivë, ua kujtojmë edhe dëmin e shkaktuar nga gjuha e urrejtjes, me të cilën jemi duke u përballur për kohë të gjatë.

“Përgjithësisht ndihem e pambrotjur në Kosovë, edhe si grua edhe si grua lezbike, ama të paktën se kam imagjinu asniherë që në vend tem ka me u ndje njeri i huj”, shprehet ajo. “A ka me u ndalë ndoniherë urrejtja dhe dezinformimi, apo personat publik kanë me vazhdu njejtë deri sa t’ndodhë ma e keqja?,” thotë Sara*, një grua lezbike që jeton në Kosovë.

Kurse Elvira*, grua biseksuale gjysmë boshnjake, ndër të tjerash, shprehë se shpërndarja e urrejtjes dhe dezinformatave, shkon jashtë çdo logjike njerëzore. Elvira ka një mesazh për Duda Balje, “unë jam queer dhe gjysmë boshnjake, na ekzistojmë dhe kemi ekzistu gjithmonë, nuk jemi të padukshëm.”

Nga shtypja në sferën private e deri tek ajo publike, këto janë veç disa nga storiet e panumërta që ilustrojnë ndikimin e homofobisë, transfobisë dhe bifobisë në jetët tona.

Megjithë urrejtjen dhe sfidat, kjo ditë na shtynë me reflektu mbi arritjet tona, rezistencën dhe ekzistencën tonë. Rrugëtimi jonë është i përbashkët deri kur dashninë dhe identitetet tona t’i jetojmë në liri. 

*Emrat e përdorur janë ndryshuari për çështje të sigurisë, si pasojë e rrezikut të homofobisë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top