Tu e lexu qitash
Kemi qenë dhe do t’jemi, mbahet Parada e tetë e Krenarisë në Prishtinë

Kemi qenë dhe do t’jemi, mbahet Parada e tetë e Krenarisë në Prishtinë

Të shtunën me 8 qershor, u mbajt Parada e tetë e Krenarisë në Prishtinë. Nën sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”, dylbera, aktivistë/e, aleatë, familjarë e shumë të tjerë zaptuan rrugët e Prishtinës për të shënuar këtë ditë.

Pjesë e Paradës ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe përfaqësues tjerë të institucioneve.

Parada filloi të sheshi Skënderbeu për të vazhduar më pas deri të Biblioteka Kombëtare ku edhe u mbajt koncerti me Vesa Lumën.

Parada edhe kësaj here na bashkoi për njohje e solidaritet, e kjo u vërejt më së miri në marshin e sivjetmë. Përpos që është rritur numri i pjesëmarrësve që po i bashkohen Paradës, përkundër viteve tjera, njashtu vërehet se edhe më shumë persona po dalin hapur për identitetin e tyre, dhe madje shumë krenarë.

Përgjatë paradës, dylberat kosovarë u solidarizuan me dylberat e Palestinës dhe të gjithë palestinezët tjerë, kundër luftës izraelite që po ushtrohet në territorin e Palestinës.

Gjithashtu, është e rëndësishme të përmendet se, për herë të parë këtë vit, kryeministri Kurti postoi në profilin e tij në facebook, rreth paradës, i cili shkruan:

“Republika jonë është demokratike. Nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin. E është pikërisht barazia që na e mundëson bashkimin, pamundëson përjashtimin dhe sjell gjithëpërfshirjen.

Slogani “Kemi qenë dhe do t’jemi”, jep mesazhe të dashurisë, të të drejtave, pa paragjykime. Parada e krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin.

E ndryshmja reflekton larminë e qenies sonë njerëzore, jo shkakun a arsyen e diskriminimit të tjetrit.”

Anipse postim simbolik, pjesëmarrja e tij dhe shkrimi i tij përçojnë një mesazh të qartë edhe për homofobët edhe për personat LGBTIQ+.

Përkundër Kurtit, Presidentja e vendit Vjosa Osmani, as nuk u bashkua në paradë e as nuk e uroi atë në ndonjë formë.  

Për të parë më shumë momente nga Parada e Krenarisë, vizitoni profilin e Dylberizm në Instagram. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top