Nale Dheze

Trupi po e njifke rrezikun para se me kuptu truni!

Paralajmërim: Ky tekst shtjellon elemente që lidhen me abuzimin narcisist, traumat, abuzimin me droga, dhunën psikologjike dhe vetëlëndimin, të cilat mund të jenë shqetësuese ose të papështatshme për disa lexues. Po ashtu përmban fjalor eksplicit në kontekstin e stories personale. 

Jam vajzë queer. Storia që po du me nda me ju osht’ lidhja jeme e fundit me nji gru narciste. Arsyja osht’ që po du me i vetëdijsu edhe mi ndihmu krejt shokëve dhe shoqeve t’komunitetit që mundën me qenë n’lidhje t’tillë, kanë qenë ose kanë me qenë. 

Storia jeme ka nisë n’fillim t’vitit t’kalum. Pak a shumë jemi njoftë se ka qenë e martume me dikon që unë e njifsha. Qysh n’ditën e tretë a t’katërt t’njoftimit ajo m’tha që “nuk ka me ekzistu kurrë kërkush që ka me t’dashtë” sa m’don ajo. E qaty unë e përjetova nji shok emocional pa e ditë pse. Ke veç fillimi i nji faze me love-bombing t’cilën komplet organizmi jem ma ka refuzu, deri n’pikën kur unë u ktheva n’rrugën e Zotit, se nuk kish kush me m’ndihmu n’atë gjendje shumë t’randë emocionale edhe n’gjendje t’randë fizike se u bojshin nja tri ditë pa hangër. 

Bile, kam shku edhe te hoxha me m’fry, se menojsha që kam diçka që nuk po m’len me qenë e lumtun. Prej kur i çelsha sytë n’mëngjes, kur m’shkojke n’mend që si te hapi telefonin kam me gjetë mesazhe dashnie, prej dikujt që e njifsha qe ni javë, e kur unë nuk mujsha me ja kthy t’njejtën, dojsha mu tranu! Mbane mend qetu, që trupi po e njifke rrezikun para se me kuptu truni! 

Do javë ma vonë, masi që unë fillova me u qetësu, se e njifsha ma shumë edhe gjanat u stabilizun pak, ajo vendosi që i duhet me qenë n’lidhje me nji burrë – për me qenë e sigurtë n’rrethin ku jetojmë – për me ja dhuru djalit t’saj nji figurë t’babës, n’kuptimin që ju kthy ishit t’saj, mafiash i njoftun n’ant tona. 

Edhe unë normalisht që tu qënë toksike-empatike e pranova. Kur m’manipulojke, m’thojke që meqë me atë burrin i duhët me nejtë vetëm për siguri edhe interes, po i duhët me e gjetë nji gru për dashni. Sigurisht ja ofrojsha veten asaj. Në t’njejtën kohë, u munojsha mi bo krejt për to – nanë e fmisë t’saj, terapiste për traumat e saj, dashnorja e saj, kurvë n’shtrat, hapsina e saj e sigurtë… E çka merrsha prej saj mbasi u kry periudha me love-bombing ish e tmerrshme. 

Kam qenë dashnorja e femnës t’mafiashit edhe isha shumë e vetëdijshme ku kam hy. Tu ecë përmi therra… Po kta ta bon lidhja narcisiste se osht’ si droga. E din që po t’bon dam, t’kap kriza kur nuk e merr se ta lyp trupi edhe qetsohësh veç kur ta merrsh.

U ndajke prej meje dhjetëra herë me idenë që me mbetë shoqe, po gjithmonë i ka shty kufijtë. Kurrë nuk e ka respektu termin “shoqni”, se narcisti nuk njeh kufi. Kur t’i afrohësh t’sulmon e kur t’i largohësh bon çmos me të afru prap, vetëm e vetëm që me ta bo ma zi – se narcistat jetojnë për hakmarrje.

Fatmirësisht, ia nisa me seanca psikoterapeutike, meniherë masi fillova me njoftë ata përmine. Ata që e qujsha “versioni monstrum i saj” se menojsha që del najher kur t’jetë nervoz. Po n’fakt ajo ka qenë forma e saj e vërtetë. E kjo pjesa “e mirë” ka qenë veç maskë. Mbas nji kohe t’shkurtë kam arritë me e kuptu që është narcisiste edhe fillova pak ka pak me u vetëdijsu. Kjo “pak-ka-paki” m’ka zgjatë gati nji vjet. Po, tu e marrë n’konsideratë se sa ju zgjasin njerëzve lidhjet me narcista, jam me fat.

M’ka armiqsu me krejt botën, tu m’bo me besu që krejt i kanë bo dam asaj e ajo kurrë kërkujt. M’ka shti me dyshu n’vete mos jam bipolare. M’ka shti me mendu që unë jam e tepërt edhe e papjekun (nime 11 vjet diferencë i kemi). M’ka shti me mendu që unë kurrë mjaftushëm për kërkon s’kam me qenë, aq mirë m’ka bo grooming sa unë u bona vetëm nji robot që funksionojke nën komandën e saj. Fjala “jo” nuk ka qenë n’fjalorin tem se u bojke luftë nëse ia thojsha.

N’momentet kur dojsha me u largu prej saj, ajo e lujke at kartën që “familja m’ka bo kështu qysh jam” ose që traumat që ja ka shkaktu ish-burri (me droga edhe abuzim fizik) edhe e mshelsha gojën e rrijsha me to. M’ka mësu me e mshelë gojën dhe mos me reagu. Se nëse reagojsha, unë u bojsha fajtorja që dhihet lidhja. 

M’ka mbajtë 24 ORË nën stres. Çka ish interesant, sa herë që m’shkrujke durt mu njersitshin edhe unë menojsha që osht’ prej dashnisë; NUK OSHT’, OSHT’ PREJ ANKTHIT! M’ka shti me ja marrë inati frajerit t’saj, ku bukfalisht n’kohë t’mira m’tregojke se sa keq i vjen që rrin n’at’ lidhje për interes edhe sa e urren atë njeri. Po kur ishim keq, m’thojke që ai ja jep botën, që ai bon sene çka unë s’mundem, se ai osht’ heroi i saj edhe që unë jam e pavlerë. E kam pa tu dalë me to, tu i dediku postime me foto e me video, tu e lujtë rolin e “burrë e gru” me to edhe tu m’thanë sa mirë bon seks me to. Jam mundu mu përshtatë aty ku s’e kisha venin. 

Këshilla jeme osht’ kjo:
Narcistat janë identikë t’njejtë mes vete. S’ka randësi gjinia apo mosha. Narcisti nuk ndryshon kurrë. Sa ma gjatë që rrin me to, qaq ma t’vështirë e ki shërimin. Por osht’ i mundshëm. Mu vetëm psikoterapeutja m’ka shëru, kurgjo tjetër. Narcisti osht’ veç nji fmi i rritun, t’cilit ose i kanë dhanë pak vëmendje/dashni kur ka qenë fmi ose i kanë dhanë tepër. Por ti NUK MUNËSH me e shëru tu e dasht’. E pamundshme osht’. Narcistin pikturoje n’kry si nji vampir që pin gjak për me metë gjallë. Shenjat nuk janë t’lehta mu identifiku prej secilit, po pjesë e tyne janë: love-bombing, manipulimi, viktimizimi… Lexoni ma shumë në internet se ka shpjegime t’detajume. Nëse e ndjeni që ka diçka që s’po shkon te ni person, largohuni prej tij sa ma herët që e keni t’mundshme. Kujdesuni për veten dylberat e mi se bohët mirë! 

Terminologji: 
Love-bombing [Kur dikush e bombardon dikon me dashni për me manipulu për qëllime egoiste];
Toksik-empatik [Kur nji person bahët aq empatik me tjerët saqë ia ndikon mirëqenien e tij/saj; sinonim i hiper-empatik]; 
Grooming [Përgatitja që ni person ia bon personit tjetër për me e vendosë nën abuzim; kur nji person e manipulon nji tjetër, fillimisht tu ja fitu besimin, për me vazhdu me shftytëzim ose abuzimin e personit tjetër pas ni kohe]; 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top