Kuba lejon ndryshimin e gjinisë në dokumente për personat trans pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike

Kuba ka miratuar një ligj të ri që u lejon personave trans të ndryshojnë shënjuesin e gjinisë në dokumentet zyrtare pa pasur nevojë të kryejnë ndërhyrje kirurgjike. Ligji u miratua më 18 korrik nga Asambleja Kombëtare e Pushtetit Popullor (NAPP), duke e hequr kërkesën për urdhër gjykate apo dëshmi të operacionit në zonën gjenitale.
Pavarësisht se ndërhyrjet kirurgjike për personat trans janë teorikisht të garantuara që nga viti 2008 prej qeverisë, aktivistët LGBTIQ+ në Kubë kanë denoncuar mungesën e qasjes për shkak të kufizimeve ekonomike, të cilat janë përkeqësuar nga sanksionet e gjata amerikane ndaj vendit, raporton them.us.
Ky ndryshim është pjesë e një reforme më të gjerë në regjistrin civil të Kubës, që përfshin edhe njohjen ligjore të partneriteteve jashtëmartesore dhe procesin e digjitalizimit të dokumenteve zyrtare. Ministri i Drejtësisë, Oscar Silvera Martínez, e përshkroi ligjin si hap drejt një “regjistri civil modern” që do të lejojë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemet shtetërore.
Ky është një nga reformat më të mëdha për të drejtat LGBTIQ+ në Kubë që nga viti 2022, kur u miratuan ndryshime në Kodin e Familjes që njohën martesën dhe birësimin nga çiftet e të njëjtit seks. Këto reforma janë kundërshtuar ashpër nga Kisha Katolike Kubane dhe konservatorë të tjerë që e akuzojnë shtetin për promovim të “ideologjisë gjinore”, një retorikë që përdoret gjerësisht edhe nga e djathta ekstreme në SHBA kundër të drejtave të personave trans.