Tu e lexu qitash
Elton Ilirjani dhe “dy gjinitë” e kapitalizmit

Elton Ilirjani dhe “dy gjinitë” e kapitalizmit

një intervistë të fundit, Elton Ilirjani u shpreh se “ekzistojnë vetëm dy gjini” dhe se “identitetet trans e të tjera gjinore janë interesa politike e financiare të ekstremit të majtë, të atyre që nuk besojnë në Zot, kishë apo xhami.” Këto janë fjalët e një njeriu që ka ndërtuar famën e vet mbi çlirimin gjinor, për ta përdorur tani si mjet për të grumbulluar më shumë kapital dhe vëmendje.

Eltoni e di mirë se çfarë po bën. Eltoni e di se diskursi konservator dhe fetar është në rritje, dhe se duke iu afruar kësaj mase, siguron më shumë ndjekës, ekspozim dhe rrjedhimisht – më shumë fitim. Jo si mungesë dijeje, por si strategji e ftohtë kapitaliste. Eltoni po shet “normalitet” për të ruajtur pasurinë e vet, duke e kthyer transfobinë në marketing personal.

Në një kohë kur komuniteti queer në Shqipëri po përballet me një valë të re sulmesh – nga media që përqesh identitetet tona, nga përfaqësues të qeverisë që na akuzojnë si “import kulturor”, nga lëvizja antigjinore që po përhap urrejtje në çdo platformë – deklaratat e Eltonit janë helm që ushqen pikërisht këto struktura. Ato ushqejnë mosbesimin, talljen dhe dhunën ndaj njerëzve që përpiqen të jetojnë me dinjitet. Eltoni po u jep argumente atyre që duan të na fshijnë nga hapësira publike. Dhe ta bësh këtë duke pretenduar se je “përfaqësues i lirisë” është poshtërsi e pastër.

Elton Ilirjani mund të ketë para, famë e platformë, por Eltoni nuk ka komunitet. Eltoni nuk është pjesë e këtij komuniteti. Eltoni nuk flet për ne. Eltoni flet për tregun, për klikime, për pushtet personal. Çdo deklaratë e tillë jo vetëm që është e dëmshme, por është shumë e rrezikshme. Sepse çdo herë që një figurë e privilegjuar flet kundër personave trans, dikush tjetër ndjehet më i justifikuar për të na sulmuar, për të na përjashtuar, për të na shuar.

Në një realitet ku të rinjtë trans në Shqipëri po përballen me dhunë, papunësi, përjashtim dhe stigmatizim të përditshëm, një “sipërmarrës queer” që tallet me ekzistencën e tyre është një tradhti e rëndë ndaj çdo vlere që pretendon se përfaqëson. Është një akt egoizmi i pastër, i neveritshëm dhe i pafalshëm.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me aktivistët dhe komunitetin queer e trans në Shqipëri. Ne e dimë që ky është një moment i vështirë, por nuk do të heshtim. Do të vazhdojmë të luftojmë kundër çdo forme dhune, manipulimi e mashtrimi, qoftë ai i maskuar si “opinion personal” apo si “besim”.

Ne e dimë kush jemi. Ne nuk kemi vetëm dy gjini – kemi dhjetëra mënyra të të qenit vetvetja. Dhe asnjë zë që vjen nga maja e kapitalizmit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë.

E sa për ty Miss Thing, well guess what: you still won’t be liked by them.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top