Tu e lexu qitash
Filmi queer ku luan kosovarja Luana Bajrami fiton Oscar

Filmi queer ku luan kosovarja Luana Bajrami fiton Oscar

Gjatë ceremonisë së Academy Awards, aktorja dhe regjisorja kosovare Luana Bajrami, bashkë me ekipin e filmit Two People Exchanging Saliva, pranuan çmimin për Filmin më të Mirë të Shkurtër. Në këtë bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, Bajrami luan rolin e Malaise.

Regjisorët Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, gjatë pranimit të çmimit, e cilësuan filmin si një projekt queer. “Faleminderit Akademisë që mbështeti një film që është queer dhe që është bërë nga një shumicë grash”, tha Musteata.

Fjalimi falënderues nga ekipi i Two People Exchanging Saliva gjatë ceremonisë së Academy Awards.

Filmi zhvillohet në një version distopik të Parisit, ku puthja është e ndaluar dhe dënohet, ndërsa transaksionet (blerja e mallrave) kryhen përmes shuplakave në fytyrë. Në këtë botë, ku dhuna është bërë normë dhe afërsia kriminalizohet, historia ndjek Angine dhe lidhjen e saj në zhvillim me një shitëse të re, Malaise, një afërsi që shpejt ngjall dyshim, xhelozi dhe rrezik.

Filmi përdor një premisë të skajshme për të eksploruar tema si shtypja, dëshira dhe mbikëqyrja, duke e zhvendosur intimitetin nga një përvojë personale në një akt të kontrolluar dhe potencialisht të dënueshëm. Në këtë kontekst, marrëdhënia mes dy grave nuk është vetëm narrativë romantike, por një formë rezistence ndaj një rendi që e rregullon trupin dhe e kufizon dëshirën.

Vetë regjisorët e filmit e lidhin këtë botë me realitetin politik bashkëkohor. Ata e kanë zhvilluar projektin si reagim ndaj rritjes së autoritarizmit dhe kufizimit të lirive individuale në vende të ndryshme, nga polarizimi dhe lëvizjet ekstremiste në SHBA, te dhuna shtetërore dhe shtypja e grave në Iran gjatë lëvizjes “Woman, Life, Freedom”. Ngjarje që, siç sugjerojnë ata, shpesh duken aq absurde sa ngjasojnë më shumë me fiksion sesa me realitet, shkruhet në faqen zyrtare të filmit.

Two People Exchanging Saliva funksionon si një alegori për shtypjen e dëshirës dhe normalizimin e dhunës. Duke e zhvendosur puthjen nga një akt i zakonshëm në një krim, filmi e bën të dukshme atë që shpesh mbetet e padukshme, se kontrolli mbi trupin dhe afërsinë është gjithmonë edhe kontroll mbi lirinë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top