Kush e ka vendosë që seksi është domosdoshmëri?
Kur ERN-i ishte në vitet e para të fakultetit, e kishte një ndjenjë të vazhdueshme që diçka nuk po përputhej me mënyrën se si të tjerët e përjetonin afërsinë. Ajo që për shumicën dukej e natyrshme – tërheqja seksuale, dëshira, mënyra si flitej për afërsinë – për të nuk kishte të njëjtin kuptim. Jo pse nuk ndiente afërsi, por sepse ajo afërsi nuk vinte me atë që pritej prej tij.
Për një kohë të gjatë, e kishte kuptu veten brenda kornizës së biseksualitetit. I pëlqenin vajzat dhe djemtë, por gjithmonë kishte një boshllëk që nuk mbushej. Si adoleshent, mendonte që ndoshta kështu është për të gjithë, ose që diçka nuk është në rregull me të. Nuk e kishte gjuhën për me e kuptu veten. Nuk e dinte që ajo që po përjetonte – mungesa e tërheqjes seksuale – kishte një emërtim.
Vetëm në fakultet, në një moment krejt të zakonshëm, dikush ia përmendi për herë të parë mundësinë që mund të ishte aseksual. Deri atëherë, ERN e kishte përshkru përvojën e vet si mungesë ndjenjash, si një boshllëk që nuk dinte me e shpjegu. Kur e lexoi për aseksualitetin, për herë të parë, gjithçka filloi me marrë kuptim. Siç thotë vetë, ishte një ndjenjë që “gjithçka po ka kuptim edhe nuk jam njeri i çuditshëm”.
Edhe sot, ERN e përshkruan këtë proces si diçka që vjen në valë. Nuk është një identitet i mbyllur, por diçka që vazhdon me u kuptu. Ajo që ERN e di me siguri është që kurrë nuk e ka përjetu atë momentin e menjëhershëm të dëshirës seksuale ndaj dikujt: “kurrë në jetë nuk më ka ra me e pa dikan edhe me thanë ‘kisha dashtë me bo seks me to”. Afërsia për të lidhet me rehati, me njohje e me afërsi emocionale.
Në një shoqni ku tërheqja seksuale trajtohet si e vetmja formë legjitime e dëshirës, kjo përvojë shpesh mbetet jashtë gjuhës. Aseksualiteti reduktohet në mungesë, në diçka që duhet me u “rregullu” ose që do të ndryshojë sapo të vijë “personi i duhur”. Pikërisht kjo është ajo që ERN-i e ka dëgju vazhdimisht – që ende nuk e ka gjetë dikë, që ndoshta është diçka tjetër, që ndoshta thjesht nuk e kupton veten.
Për të, aseksualiteti nuk është mungesë e diçkaje, por qartësi. Është momenti kur e kupton që nuk ke nevojë me u përshtatë me pritshmëritë që nuk të përkasin.
Kjo qartësi është lidhë ngushtë edhe me pranimin e identitetit të tij si person trans. Me kohë, ERN filloi me e kuptu trupin dhe kufijtë e vet ndryshe – me ma shumë siguri dhe ma pak dyshim. “Ma herët thojsha pse nuk më pëlqen qiky send… a kam probleme?”, ndërsa tash e sheh si diçka që thjesht është pjesë e tij.
Edhe marrëdhënia me seksin për të nuk është e njëjtë me atë që zakonisht përshkruhet. Nuk e përjeton si formën kryesore të afërsisë, por më shumë si një eksperiencë që mund të ekzistojë, pa qenë qendrore – “seksin ma shumë e përjetoj si një lojë se sa si afërsi”.
Kur lidhjet maten shpesh me seksin, kjo e vendos në një pozitë të vështirë. Sepse problemi vazhdon me qenë struktural. Ideja që një lidhje pa seks është e mangët, ose që intimiteti duhet patjetër me u shpreh përmes seksit, është diçka që përjashton përvojat si të ERN-it.
ERN e thotë hapur që e ka të vështirë me e imagjinu një lidhje afatgjatë ku seksi nuk është në qendër, jo pse nuk është e mundshme, por sepse rrallë gjen dikë që e sheh lidhjen në të njëjtën mënyrë. Kjo e ka bë me u tërheqë pak prej idesë së lidhjes afatgjate, me e pa si diçka që kërkon shumë kompromis nga njëra anë.
Në të njëjtën kohë, ERN është i vetëdijshëm që ka njerëz aseksualë që përballen me shumë ma shumë presion – me pritshmëri për seks brenda lidhjeve, me mungesë mirëkuptimi, me ndjenjën që duhet me u përshtatë për me u pranu.
Për ERN-in, një prej gjanave ma të rëndësishme sot është që nuk ka nevojë me u shpjegu vazhdimisht. Që mundet me fol për pëlqimin e tij pa u keqkuptu – që kur thotë që i pëlqen dikush, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht tërheqje seksuale.
Në një kontekst si Kosova, ku aseksualiteti rrallë përmendet, kjo mungesë gjuhe e ka bë përvojën edhe ma të vetmuar. Për një kohë të gjatë, ERN e kishte ndjenjën që është i vetmi. Që ajo që përjeton nuk ekziston askund tjetër.
Vetëm kur ka fillu me pa njerëz të tjerë që flasin hapur për këtë, ka ardhë edhe ndjenja e komunitetit – një komunitet brenda komunitetit, ku përvojat mund të jenë të ndryshme, por prapë kanë një pikë takimi.
Aseksualiteti, në këtë kuptim, është një mënyrë për me e sfidu idenë që intimiteti ka vetëm një formë. Që dashnia matet me seks. Që afërsia duhet me u dëshmu në mënyra të caktuara.
Për ERN-in, kjo sfidë është personale, por edhe politike. Sepse me ekzistu jashtë këtyne normave, vetë ekzistenca e tij e vë në pikëpyetje atë që konsiderohet “normale”.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pesha e kësaj përvoje: jo në atë çka mungon, por në atë çka hap – mundësinë për me mendu ndryshe për lidhjet, për trupin, për afërsinë.






