SHBA-të, Izraeli dhe Rusia votojnë kundër Deklaratës së OKB-së për HIV/AIDS-in
Më 22–23 qershor 2026, Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara u mblodhën në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku miratuan një Deklaratë të re Politike për HIV/AIDS-in.
Deklarata përcakton prioritetet dhe angazhimet që do ta udhëheqin përgjigjen globale ndaj HIV-it gjatë pesë viteve të ardhshme, me synimin për t’i dhënë fund AIDS-it si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.
Teksti u miratua me 149 vota pro, tetë kundër dhe 14 abstenime. Kundër votuan Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Rusia, Burkina Faso, Burundi, Koreja e Veriut, Nigeria dhe Senegali, ndërsa 14 shtete abstenuan, përfshirë nëntë vende nga Lindja e Mesme.
Sipas UNAIDS-it, angazhimet e reja të përfshira në deklaratë mund të parandalojnë 3.2 milionë infeksione të reja me HIV dhe 1.3 milionë vdekje të lidhura me AIDS-in deri në vitin 2030, nëse zbatohen plotësisht.
Një nga pikat që nxiti kundërshtime ishte referimi ndaj Deklaratës së Durbanit kundër Racizmit. Izraeli e kundërshtoi këtë referencë, duke e cilësuar deklaratën si “antisemitike”. Edhe Bashkimi Evropian shprehu rezerva ndaj këtij formulimi, megjithëse shtetet anëtare të BE-së votuan pro deklaratës. Teksti përfundimtar përfshiu gjithashtu mbështetje për popullin palestinez.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia e kundërshtuan gjithashtu deklaratën për përdorimin e terminologjisë që lidhet me gjininë, duke pretenduar se ajo “nuk bazohet në konsensus”. Ky qëndrim u mbështet edhe nga Bjellorusia, Burundi dhe Senegali.
Drejtoresha Ekzekutive e UNAIDS-it, Winnie Byanyima, e mirëpriti miratimin e deklaratës, duke thënë:
“Një shumicë dërrmuese e vendeve kanë miratuar një deklaratë të fuqishme që përcakton objektiva ambicioze për ta çuar botën drejt arritjes së synimit për t’i dhënë fund AIDS-it si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030. Ato kanë mbajtur premtimin e dhënë 25 vjet më parë.”
Sipas UNAIDS-it, Deklarata Politike 2026 përfshin angazhime për:
- zgjerimin e qasjes në trajtim dhe parandalim;
- sigurimin e financimit të qëndrueshëm;
- mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë barazinë gjinore, si dhe eliminimin e stigmës, diskriminimit dhe dhunës të lidhura me HIV-in;
- sigurimin e qasjes në barna, integrimin e shërbimeve dhe forcimin e llogaridhënies;
- arritjen e objektivave të vitit 2030 për uljen e rasteve të reja me HIV dhe vdekjeve të lidhura me AIDS-in.
Megjithatë, siç raportoi Health Policy Watch, shumë organizata paralajmërojnë se mungesa e financimit vazhdon të rrezikojë progresin në luftën kundër HIV-it. Programet e parandalimit, veçanërisht ato të udhëhequra nga komunitetet, mbeten ndër më të cenueshmet. Në vitin 2024, financimi i jashtëm përbënte pothuajse 80% të fondeve për parandalimin e HIV-it në Afrikën Subsahariane, 66% në Karaibe dhe 60% në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Deklarata thekson se HIV-i vazhdon të mbetet një emergjencë e shëndetit publik në nivel global. Edhe pse rastet e reja kanë rënë në shumë pjesë të botës, ato u rritën midis viteve 2010 dhe 2025 në tri rajone: në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (77%), në Amerikën Latine (13%) dhe në Evropën Lindore e Azinë Qendrore (15%).
Burimi: Heath Policy Watch.






