Dylberizm dhe AGK ndajnë për herë të parë çmim për raportimin mbi çështjet LGBTIQ+
Dylberizm, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), do të ndajë për herë të parë çmimin për raportimin mbi çështjet LGBTIQ+, në kuadër të Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2026.
Çmimi synon të vlerësojë gazetarinë profesionale, etike dhe të përgjegjshme që trajton çështjet dhe përvojat e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.
Përmes këtij çmimi, Dylberizm dhe AGK synojnë të vënë në pah rëndësinë e raportimit që i trajton personat LGBTIQ+ me dinjitet, ndjeshmëri dhe përgjegjësi profesionale, si dhe të njohin kontributin e gazetareve dhe gazetarëve që i sjellin këto çështje në vëmendjen e publikut.
Raportimi për komunitetin LGBTIQ+ mbetet pjesë e rëndësishme e gazetarisë me interes publik. Mënyra se si mediat i trajtojnë këto tema ndikon në informimin e publikut, në përfaqësimin e komunitetit dhe në mënyrën se si kuptohen sfidat dhe përvojat e personave LGBTIQ+.
Çmimi i ri është pjesë e kategorive të Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2026, të organizuara nga AGK-ja. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 10 dhjetor 2026.
Thirrja për aplikime pritet të hapet në mesin e nëntorit, kur do të publikohen edhe kriteret, periudha e aplikimit dhe mënyra e nominimit.
Dylberizm i fton gazetaret dhe gazetarët që kanë trajtuar çështje LGBTIQ+ në punën e tyre të përcjellin njoftimet e ardhshme dhe të aplikojnë kur të hapet thirrja.
Ky aktivitet zbatohet me ndihmën e ERA dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm si organizatë zbatuese dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e ERA-s ose të Bashkimit Evropian.






