Tu e lexu qitash
Sulm në Paradën e Krenarisë në Berlin, një i vdekur dhe 29 të plagosur

Sulm në Paradën e Krenarisë në Berlin, një i vdekur dhe 29 të plagosur

Policia gjermane ka njoftuar se një grua ka humbur jetën dhe 16 persona të tjerë janë lënduar pasi një veturë është futur mes një turme në një aktivitet të “Berlin Pride”.

Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur në parkun Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut, pak para orës 22:00 të shtunën, ku një furgon i bardhë me shpejtësi të madhe kaloi nëpër një rrugicë anësore që dilte nga parku, duke u përplasur më pas me një pemë. 

Sipas policisë, disa prej të lënduarve kishin edhe plagë të shkaktuara me thikë, çka e bën ende të paqartë nëse bëhet fjalë për një sulmues të vetëm.

Në kryeqytetin gjerman po zhvillohet një operacion intensiv kërkimi. Policia ka publikuar një fotografi të të dyshuarit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për ndihmë në gjetjen e tij.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka cilësuar incidentin si një “akt të tmerrshëm” dhe ka premtuar një hetim të plotë.

Personi i dyshuar raportohet se është një terrorist i dënuar, i cili kishte tentuar t’i bashkohej grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). 

Rreth 2,000 policë janë angazhuar në operacion kërkimi për kapjen e Abdul Ballout, 21 vjeç, shtetas gjerman me prejardhje libaneze, i cili është përshkruar si “ndoshta i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Ai është dënuar më parë për lëndim të rëndë trupor dhe detyrim me dhunë, por së fundmi duket se ishte radikalizuar si ekstremist islamik.

Rrethanat e radikalizimit të tij mbeten të paqarta, por ai ishte arrestuar në Liban pasi kishte tentuar t’i bashkohej Shtetit Islamik në Siri dhe kishte planifikuar një sulm terrorist.

Më pas, Ballout u kthye në Gjermani, ku, sipas gazetës Die Welt, u dënua me një vit e dhjetë muaj burg për planifikimin e një akti të rëndë dhune që d

rrezikonte sigurinë e shtetit.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej dy vjetësh e dhjetë muajsh burg, thuhet në raport.

Autoritetet dyshojnë se sulmi është kryer me qëllim dhe me synimin për të vrarë njerëz.

Me një gjatësi prej rreth 1.90 metrash dhe flokë të errët, Ballout ishte tashmë i njohur për autoritetet gjermane.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, ka thënë se ngjarja ishte “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe me mendje të hapur”.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka deklaruar të dielën se sulmi me veturë në Paradën e Krenarisë në Berlin, tregon se bëhet fjalë për një sulm islamist.

“Gjithçka që po shohim këtu tregon se kemi të bëjmë me një sulm islamist”, është shprehur Dobrindt teksa po fliste para gazetarëve.

Sipas tij, i dyshuari ka lindur në Gjermani në vitin 2004 dhe nëna e tij kishte marrë shtetësinë gjermane në vitin 2002.

Ministri ka thënë po ashtu se janë 29 të lënduar nga 16 sa u raportuan fillimisht. 

Alfonso Pantisano, komisioneri për çështjet LGBTQ+ i qeverisë së Berlinit, shkroi në Instagram: “Për ju, komuniteti im i dashur: E di që shumë prej jush ndihen të frikësuar tani. Nuk do ta zbus të vërtetën – edhe unë kam frikë. Por nuk jeni vetëm në këtë frikë, në këtë pikëllim dhe në këtë zemërim.”

Autoritetet e Berlinit vlerësojnë se deri në një milion persona marrin pjesë çdo vit në paradën CSD (Christopher Street Day).

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top