Rusia e kategorizon grupin kryesor për të drejtat LGBT si “ekstremist”
Javën e kaluar, një gjykatë në Shën Petersburg, në një seancë të mbyllur, e shpalli grupin e njohur rus për të drejtat LGBTQ+ ‘Coming Out’, si një “organizatë ekstremiste,” duke dhënë një goditje të rëndë për dylberat që tashmë janë vënë në shënjestër nga agjenda e Kremlinit për “vlerat tradicionale.”
Kjo shënon herën e parë që një organizatë për të drejtat LGBTQ+ është kategorizuar zyrtarisht si ekstremiste që nga momenti kur Gjykata Supreme e Rusisë ndaloi Lëvizjen Ndërkombëtare LGBTQ+ në vitin 2023, një vendim që hapi rrugën për ndjekje arbitrare të individëve LGBTQ+ dhe mbështetësve të tyre.
Rasti kundër Coming Out nisi nga një padi e klasifikuar e depozituar nga Ministria e Drejtësisë së Rusisë, ku autoritetet nuk dhanë asnjë detaj për procedurat. Ky veprim tregon se si autoritetet ruse vazhdojnë të përdorin sistemin e drejtësisë për të margjinalizuar dhe censuruar njerëzit LGBTQ+, duke shkelur të drejtat e tyre për shprehje të lirë, shoqërim dhe pa diskriminim.
Në përgjigje, Coming Out, që tani operon nga jashtë Rusisë, deklaroi se kishte pritur një vendim të tillë dhe riafirmoi angazhimin e saj për të mbështetur individët LGBTQ+, si brenda Rusisë, ashtu edhe në mërgim. Organizata theksoi se ky emërim nënvizon rëndësinë e punës së tyre dhe i bëri thirrje komunitetit të mos dorëzohet ndaj frikës apo izolimit, duke nxjerrë në pah nevojën e vazhdueshme për mbështetje psikologjike, ndihmë ligjore dhe solidaritet.
Vlerësimi si “ekstremistë” i ekspozon aktivistët e Coming Out ndaj ndjekjes penale, me mundësi burgimi deri në dhjetë vjet, dhe kushdo që bashkëpunon me organizatën rrezikon deri në gjashtë vjet burg.
Avokatët për të drejtat e njeriut bëjnë thirrje që qeveritë e tjera dhe institucionet ndërkombëtare të ushtrojnë presion mbi Kremlinin për të ndalur shtypjen ndaj njerëzve LGBTQ+ dhe të sigurojnë strehim dhe mbrojtje për ata që largohen nga Rusia për t’i shpëtuar ndjekjes penale.






