Tu e lexu qitash
Psikologja Lokaj: Jeta e dyfishtë stres e konfuzion psikologjik, pranimi nga familja ndihmon në shëndet mendor

Psikologja Lokaj: Jeta e dyfishtë stres e konfuzion psikologjik, pranimi nga familja ndihmon në shëndet mendor

Më 8 qershor në Fondacionin Shtatëmbëdhjetë u organizua diskutimi rreth shëndetit mendor të personave LGBTIQ+. Ky diskutim u moderua nga Bind Skeja, Themelues i Linjës së Jetës, ndërsa pjesë e panelit ishin edhe Nol Musa nga Support Group Kosova dhe Lirije Lokaj, Psikologe Klinike nga Klinika Uni. Në këtë diskutim janë ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo nuk i janë përgjigjur ftesës. 

Këtu u diskutua për ndikimin e mos pranimit të familjes në shëndetin mendor të personave LGBTIQ+, mekanizmat të cilat mund t’i përdorim për ta ruajtur shëndentin mendor në rrethana kur të duhet ta fshehësh identitetin gjinor dhe orientimin seksual për shkak të rrethit, mungesën e statistikave rreth cështjeve LGBTIQ+ në Kosovë, dhe rëndësinë e ndarjes së profesionalizmit nga bindjet personale të psikologëve në Kosovë të cilët në shumicën e rasteve, sidomos jashtë Prishtinës janë homofob, bifob dhe transfob. 

“Në bazë të një statistike adoleshentët LGBTIQ+ janë gjashtë herë më të prirur për me pasë simptoma depresive se adoleshtentët straight. Sa i përket mendimeve për vetëvrasjeve, edhe tek të rriturit LGBTIQ+, janë dy herë më të shpeshta se personat tjerë, ndërsa tentimet për vetëvrasje shkojnë deri në katër herë më shumë, që është një dallim shumë i madh dhe këto të dhëna na tregojnë se realisht duhet me punu shumë për shëndetin mendor. Këtu ndikon diskriminimi në punë, mungesa e qasjes dhe barrierat në shërbime të shëndetit, dhe mungesa e mbështetjes së familjes. Diku rreth 60% e personave LGBTIQ+ gjatë jetës së tyre kanë me pasë një epizodë të ankthit ose depresionit, e dhënë kjo alarmante të cilën e verifikova për shkak se ishte shumë e lartë.

Në shumicën e rasteve familjet nuk janë të informuar. Ka shumë barriera në sistemin familjar këtu për me pranu një realitet të tillë, prandaj është e kuptueshme që personat LGBTIQ+ hezitojnë m’u çelë me familje. Kur provohet m’u nda kjo informatë, familjarët i kthejnë në hapin e parë përmes kërcënimeve. Modeli më tipik që e kam hasë është se ngrohtësinë edhe pranimin e kanë gjet më shumë te shoqëria se tek familja. Në disa raste ka tendencë që mos me nda kurrë këtë informatë me familjarët e tyre dhe mundemi me paramendu se çfarë stresi psikologjik shkakton kjo me jetu me një familje që nuk ta njeh një pjesë të madhe të identitetit e duhet gjithë kohës me shpikë një persona që e paraqet para familjes. Ky është stres e konfuzion psikologjik. 

Në studime po tregohet se personat që kanë dalë hapur para shoqërisë e familjes, niveli i mirëqenies, vetbesimit dhe vlerësimit po rritet, kjo na tregon se nëse jemi të vërtetë me vetën, familjen dhe personat që kanë rëndësi për ne, e nuk kemi nevoje të shtiremi, po rritet mirëqenia për shkak se vetja që e paraqesim dhe kush jemi brenda janë në koherencë. Pra, personat që kanë mbështetje nga familja dhe rrethi janë më pak të thyeshëm dhe më të fortë ndaj faktorëve të jashtëm” – u shpreh psikologja Lirije Lokaj kur u pyet rreth situatës të shëndetit mendor të personave LGBTIQ+ dhe rrethanave që ndikojnë në shëndet mendor.

“Problemet e ankthit, depresionit dhe tentimeve për vetëvrasje i hasim më shumë tek personat LGBTIQ+. Këto nuk janë problematika të cilat janë vetëm të personave LGBTIQ+ por diskriminimi stigma dhe mos-hapja me familjen dhe shoqërinë e bënë këtë grup më të ndjeshëm. Në Kosovë komuniteti LGBTIQ+ jeton i izoluar, sidomos personat të cilët jetojnë në zona jashtë Prishtinës dhe në fshatra. Personat LGBTIQ+ jetojnë çdo ditë në frikë, e frika është baza e ankthit. Eshtë detyrë e aktivistëve, shoqërisë civile dhe institucioneve që me punu e me kriju kushte ku diskriminimi luftohet, ku personat LGBTIQ+ janë të mikpritur në zona të sigurta dhe kanë mbrotje ligjore. Dalja hapur është një prej proceseve jetesore më të vështira për një person LGBTIQ+ dhe secili person e përjeton në mënyra të ndryshme. Dalja haptas e rrit konfidencën për shkak se izolimi e ulë vetbesimin dhe e bën personin më të mbyllur. Shpresoj që kemi me ardhë në një kohë kur asnjë person LGBTIQ+ nuk ka nevojë me dal haptas për shkak se të gjithë njerëzit munden me qenë kush janë e dëshirojnë të jenë.”- tha aktivisti Nol Musa.

Diskutimi vazhdoj edhe për gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale nga persona të ndryshëm dhe nga hoxhallarët në Kosovë, ku Lokaj tha: “Gjuha e urrjejtes është problem i madh sidomos në 10 vitet e fundit, mirëpo dallon komenti në rrjete sociale dhe komenti nga një hoxhë për shkak se hoxhallarët e kanë një grup mbrapa që e mbështesin dhe në shumë zona hoxhallarët janë liderë të pacënueshëm dhe çdo fjalë e tyre mirret si e drejtë. Këtu duhet të hyjnë në punë mekanizmat institucional.” ndërsa sa i përket ruajtjes së shëndetit mendor ajo na tregoj mënyra të ndryshme se si mundemi m’i menaxhu situatat të cilat nuk janë në favor tanë “këshillat janë si për të gjithë ne: fillimisht duhet të kujdesemi për ushqimin, ushtrimet, orarin e gjumit dhe shëndetin personal, duket e dëgjuar më parë, mirëpo rezultatet janë magjike të cilat munden m’u vrejtë pas disa dite se si po e ndikojnë shëndetin mendor për të mirë. Kur të dëgjojmë biseda që janë homofobike, transfobike dhe bifobike, është krejt në rregull m’u largu nga këto biseda me një grup të njerëzve. Nuk ke nevojë gjithmonë me tregu të drejtën, sidomos me këtë grup të personave të cilët nuk të kuptojnë e të marrin energji. Mundet me ardhë momenti kur mundesh me diskutu me ata mirëpo në ato momente kujdesu për veten. Nëse situata fillon me qenë më e tensionuar, duhet me kërku ndihmë psikologjike ose me kërku një hapësire të sigurt te ndonjë shok, shoqe ose person LGBTIQ+.”

Sa i përket ofrimit të shërbimeve psikologjike, Nol Musa u shpreh se “personat LGBTIQ+ në Prishtinë janë më të privilegjuar për shkak të resurseve që janë të përqendruara këtu. Ka psikolog që nuk kanë reflektu asnjëherë rreth gjinisë dhe orientimit seksual e të cilët janë homofobik dhe transfobik. Ka shumë raste kur psikologu ka bërë më shumë dëm se mirë. Për një person LGBTIQ+ të shkosh te psikologu është një thikë me dy tehe, mendon se po shkon te një psikolog i mirë mirëpo përfundon tek një i keq. Kështu që është gjithmonë mirë m’u informu mirë për bindjet e psikologut para se me shku.”, këtu kishte ndërhyrje nga Bind Skeja i cili na njoftoi se Linja e Jetës e ka bërë gati një listë të psikologëve të cilët janë aleat dhe të informuar për cështjet LGBTIQ+ dhe çdo person mundet me kontaktu Linjën e Jetës që me nda informatën me ata. Ndërsa për këtë, Lirije Lokaj shtoi se është shumë e rëndësishme që secili psikolog të jetë i informuar mbi të dhënat shkencore në fushën e psikologjisë dhe se është e rëndësishme të ndahen bindjen personale nga ato profesionale. 

Kqyre edhe qito

Diskutimi përfundoj me pyetje nga audienca rreth përvojave personale të tyre me shëndetin mendor. 

Në rast se keni mendime për vetëvrasje, thirrni pa pagesë në 0800 12345 çdo ditë nga ora 10:00 deri në 02:00. Linja e jetës është qendër telefonike për parandalimin e vetëvrasjes. Çdo thirrje është plotësisht anonime dhe trajtohet pa gjykime.

Ndërsa për shërbime psikologjike falas, kontaktoni CEL Kosovo. 

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top