Tu e lexu qitash
Spotify prezanton programin GLOW në mbështetje të artistëve dhe krijuesve LGBTQ+

Spotify prezanton programin GLOW në mbështetje të artistëve dhe krijuesve LGBTQ+

Spotify ka prezantuar iniciativën më të re të përqendruar në mbështetjen e artistëve dhe krijuesve LGBTQ+ anembanë globit.

Më 25 janar, gjiganti i transmetimit të muzikës njoftoi programin e tyre më të ri rreth barazisë të quajtur GLOW —i cili u konceptua për të “përforcuar artistët dhe krijuesit LGBTQ+”, raporton GayTimes.

“Komuniteti LGBTQ+ e ka zhvilluar dhe influencuar tepër muzikën, dhe si muzika, ashtu edhe kultura janë përpunuar prej kohësh nga komuniteti,” deklaroi Spotify për media.

Në deklaratë po ashtu thuhet se, “Spotify prezanton GLOW për të mbështetur njerëzit e zërat e këtij komuniteti historikisht të margjinalizuar, dhe për të ritheksuar angazhimin për barazi në audio. Kjo siguron që krijuesit queer dhe kontributet e tyre në muzikë dhe kulturë, të dëgjohen dhe nderohen përgjatë gjithë vitit.”

Si pjesë e programit gjithëpërfshirës, artistët LGBTQ+ do të paraqiten The GLOW hub—një hapësirë e dedikuar në Spotify që do të “theksojë audio-ofertat e tyre”.

Gjithashtu do të “përforcohen” 11 artistë queer nga pjesë të ndryshme të botës duke i shfaqur ata në billborde dhe forma të tjera publiciteti gjatë krejt vitit. Së fundi, programi do të ofrojë “mundësi editoriale dhe partneriteti, mbështetje marketingu dhe bamirësi” për një sërë organizatash —përfshi këtu QORDS, Astrea, Black Trans Femmes In The Arts, ChamberQueer dhe plot tjera.

Kompania Spotify theksoi se janë në dijeni për fuqinë që e kanë për të ngritur, lartësuar dhe për të nxjerrë në pah zërat që kanë qenë historikisht të margjinalizuar, dhe se janë të përkushtuar ta përdorin këtë fuqi për të nxitur ndryshime pozitive kulturore në botë.

Si pjesë e nisjes së programit, këta janë 11 artistët e përzgjedhur që do të theksohen në GLOW hub: Bruses, Jean Seizure, Leland, Liniker, Natalia Lacunza, Arlo Parks, Joesef, Pabllo Vittar, Sam Smith, Tove Lo dhe Villano Antillano.

Reagues ndaj lajmit, disa nga talentët e lartpërmendur postuan në rrjete sociale për të shprehur emocionet e tyre për programin e ri.

Kqyre edhe qito

“Faleminderit, @spotify, që më keni bërë pjesë të ndërtimit të komunitetit me fushatën e re GLOW, familja e zgjedhur dhe dashuria kanë qenë gjithmonë shtyllat e jetës dhe punës sime – ju tash mund të dëgjoni gjatë gjithë vitit këngën time “Weightless” në listën “Alternative Pride” – ndjenjë e veçantë t’i shoh këto billborde në jetë reale”, shkroi Arlo Parks në Twitter.

Ndërkaq Joesef shtoi: “S’më besohet që është fytyra ime në Time Square, përshëndetje për të gjithë të mëdhenjtë në @spotify @spotifyuk që më zgjodhën të jem pjesë e fushatës së tyre GLOW, duke mbështetur artistët LGBTQ+ që krijojnë artin e tyre në ditët e sotit, ndihem shumë me fat që mund të jem vetvetja në punën time, legjenda!”

Ndonëse kjo është një nismë e qëlluar nga Spotify, kjo kompani ka tërhequr kritika të konsiderueshme që nga fillimi i saj në 2006, kryesisht për kompensimin e artistëve. Ndryshe nga shitjet fizike ose shkarkimet, të cilat u paguajnë artistëve një çmim fiks për këngë ose album të shitur, Spotify paguan honorarë bazuar në “pjesën e tregut” të artistit—numrin e transmetimeve për këngët e tyre si përqindje e totalit të këngëve të transmetuara në shërbim.

Spotify shpërndan afërsisht 70% të të ardhurave totale te mbajtësit e të drejtave, të cilët më pas paguajnë artistët në bazë të marrëveshjeve të tyre individuale. Shumë artistë e kanë kritikuar politikën, ndër ta edhe Thom Yorke dhe Taylor Swift, të cilët e tërhoqën përkohësisht muzikën e tyre nga shërbimi.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top