Tu e lexu qitash
Shpia e dylberave në Prishtinë, Bubble Pub, mbush 1 vjet.

Shpia e dylberave në Prishtinë, Bubble Pub, mbush 1 vjet.

Në Kosovë, jeta e natës queer për shumë vite ishte zhvilluar në ndeja të mbyllura, hapësira sekrete, vende më underground, e kur bëhej në hapësira më të dukshme zakonisht bëheshin nën mbikëqyrjen e patrullave të Policisë. Në mënyrë që hapësira të ishte e sigurtë dhe të zvogëloheshin mundësitë e rrezikut, informata përcillej nga një person tek personi tjetër. Ndërsa jashtë ndejave, dhe në mungesë të sigurisë në hapësirat publike, personat queer në të shumtën e rasteve takoheshin për ndonjë pije në lokale të cilat ishin mikpritëse dhe të hapura për komunitetin. Mirëpo, ndonëse pronarët e këtyre lokaleve ishin mjaftueshëm mendjehapur dhe kishin vendosur që të premtojnë njëfarë sigurie për komunitetin queer, mikpritja shpesh varej prej personave të cilët punonin aty e që përmes gjuhës ose gjesteve trupore, gjatë shërbimit ndodhte ta shprehnin homofobinë apo transfobinë e tyre.

Ëndërra e personave  LGBTQ+ në Kosovë për ta pasur një queer pub është ëndërr e vjetër, dhe është bisedë që ka mundur të dëgjohet duke u zhvilluar shpesh. Ndër vite kanë ekzistuar bare dhe lokale të ndryshme në Prishtinë të cilët janë frekuentuar nga persona queer. Disa prej tyre kanë qenë të njohur vetëm për komunitetin LGBTQ+, e disa tjerë janë cilësuar vende miqësore të komunitetit. Mirëpo, një vend i njohur nga të gjithë si një lokal queer i hapur, nuk ka pasur në Prishtinë. Duke ecur rrugëve të Prishtinës, nëse e kemi parë ndonjë lokal të ri duke u hapur a rinovuar, apo ndonjë zonë të qytetit duke u gjallëruar, kemi diskutuar në mes vete se sa mirë do të ishe sikur të mund të hapej një vend që do të ishte i dedikuar posaçërisht për komunitetin, e jo të ishte vetëm mikpritës për personat queer  si disa prej lokaleve e hapësirave që tashmë janë në kryeqytet.

Por mandej është menduar që nëse do ishte hapur, a thua si do të reagonin njerëzit? A do të ishte hapësirë e sigurtë? A do të sulmohej? A do të guxonin anëtarët e komunitetit ta frekuentonin nga frika e ekspozimit? Këto e shumë pyetje të tjera na vinin në mendje, dhe përgjigjet gjithmonë mbeteshin “ndoshta kështu, e ndoshta ashtu.”

Mirëpo vitin e kaluar, më 15 prill 2022, krejt këto pytje u sfiduan në realitet dhe ndodhi ajo që për shumë vite e kishim pritur: u hap “Bubble”, lokali i parë në kryeqytet i dedikuar për komunitetin queer.

Lend Mustafa, aktivist i komunitetit LGBTQ+, bashkëthemelues dhe pronar i lokalit ka treguar se edhe ai me shoqërinë e tij kur kanë dalë për kafe ndër vite e kishin diskutuar nevojën e të pasurit një hapësirë të sigurt e të përhershme ku do të mund të organizoheshin ndeja, drag shows, ngjarjee të ndryshme e ngjarje kulturore për komunitetin. Përgjatë pesë viteve të fundit, Lendi ka qenë duke punuar nëpër lokale të ndryshme të Prishtinës, dhe në secilin vend që ka punuar është inspiruar nga pak e që më vonë kjo i ka shërbyer për të ideuar “Bubble”.

Lendi me ndihmën e Yll Rrahmanit si bashkëthemelues, e të disa aktivistëve të tjerë, e posaçërisht me ndihmën e aktivistes dhe juristes për të drejtat e njeriut, Rina Kikës, e cila iu ndihmoi në procesin e hulumtimeve për gjetjen e mundësive përkrahëse, arritën që të gjejnë mbështetje financiaresi start-up biznes dhe ta jetësojnë idenë e hapjes së lokalit të parë queer në Prishtinë.

Dylberizm ka biseduar me Lendin, i cili ka ndarë me neve arritjet dhe sfidat e “Bubble” gjatë këtij viti të parë që po funksionon tashmë me sukses si queer pub dhe si hapësirë e sigurtë për komunitetin. Ndër aspektet që ai i cilëson si më të rëndësishmet për punën e “Bubble” deri më tani janë: ofrimi i një hapësire të sigurtë për komunitetin LGBTQ+ në Kosovë, ngritja e fondeve për personat transgjinorë të cilët dëshirojnë të fillojnë tranzicionin, punësimi i komunitetit LGBTQ+ dhe ndihma që kanë arritur të ua sigurojnë disa pjesëtarëve në nevojë, qoftë për qira apo për nevoja personale, ushqim, mjete higjenike etj.

Në këto ngjarje për ngritje të fondeve, janë mbledhur të holla për gjashtë persona transgjinorë që ta fillojnë tranzicionin, qa ka nënkuptuar mbulesën e shpenzimeve të analizave të para, udhëtimit në spital në Shkup, dhe blerjen e hormoneve të nevojshme.

Lendi, duke qenë vetë person transgjinor i cili ka kaluar nëpër këtë proces dhe i kupton vështirësitë e tranzicionit, ka treguar se zakonisht tri deri në pesë kontrollat e para i shoqëron në vizitat mjekësore në Shkup personat transgjinorë të cilët fillojnë tranzicionin, pasi që ai kishte shkuar i vetëm në këto kontrolla dhe e din sa i vështirë dhe delikat mund të jetë ky proces.

Kishte shumë persona transgjinorë të cilët kur i kanë parë ngjarjet për ngritje të fondeve (fundraising events) kanë pyetur për të ardhmen nëse ata vendosim ta fillojnë tranzicionin, a është e mundur që “Bubble” t’iu ndihmojë,  dhe Lendi thotë se “ne jemi këtu për të gjithë, jo vetëm për njerëzit në Prishtinë, nese ka nevojë për fundraise ngjarje, mundet me u bo edhe për ty kudo qe je.”

Sifdat e rrezikut nëpër të cilat kaloi “Bubble” 

Pavarësisht se gjatë këtij viti për fat të mirë nuk ka ndodhur ndonjë incident apo sulm direkt ndaj “Bubble”, tentativa të tilla ka pasur, sidomos në muajt e parë kur është hapur. Në pesë netët e para pas hapjes kanë pasur asistencë policore, ndërkaq është nata e gjashtë kur ka ndodhur tentativa e parë ku disa njerëz janë afruar me mllef dhe kanë filluar të lëshojnë shikime dhe fjalë fyese e ofenduese, mirëpo janë ndalur me kaq. 

Pastaj ka pasur pjesëtarë të komunitetit që i kanë dëgjuar disa persona të lagjes ku ndodhet “Bubble” duke bërë plane për të krijuar probleme në lokal, me pretekstin se ata nuk duan të lejojnë që “në mahallën tonë me na ardh këta, mahalla osht e jona, ju keni ardhë te na e ju keni me ndrru lokacionin” na tregoi Lendi.

Megjithatë ndër personat me të cilët kanë pasur më së shumti dhe më së shpeshti probleme është një komshi që banon në njërën nga banesat e ndërtesës poshtë së cilës ndodhet “Bubble”. Në fillim ky komshi është ankuar për zhurmë, dhe pavarësisht se sa të kuptueshëm dhe bashkëpunues kanë tentuar të jenë stafi i “Bubble” në lidhje me këtë, ai në vazhdimësi ua ka thirrur Policinë, të cilët nuk e kanë dënuar lokalin për shkak që nuk ka qenë duke u tejkaluar niveli i lejuar i zhurmës. Për ta mënjanuar këtë problem, “Bubble” ka investuar edhe në izolim të papërshkueshëm nga zëri (soundproof), mirëpo komshiu nuk është ndarë i kënaqur e nuk është ndalur me kaq. 

Bubble Pub / Facebook.

Ai ka vazhduar të krijojë telashe, duke hedhur shishe nga lart, duke i fyer me fjalë ofenduese, duke ua ndërprerë rrymën në siguresën kryesore jashtë lokalit, e edhe furnizimin me ujë. Kur ka ndodhur kjo e fundit dhe kur Lendi ka shkuar ta kontrollojë sistemin e ujësjellësit në ndërtesë, e ka takuar aty komshiun i cili ka tentuar ta sulmojë me thikë. Dhe pavarësisht se Lendi ka shpëtuar pa dëme, ai këtë sulm e ka deklaruar në Polici, mirëpo me pretekstin e mungesës së provave, rasti nuk është shqyrtuar më tutje.

Ka pasur edhe një tentativë të organizuar për sulm në muajin maj, në kohën e fillimit kur është hapur lokali. Dy vetura janë parkuar dhe kanë qëndruar tërë ditën aty përballë, dhe stafi i “Bubble” ka filluar të dyshojë në to, mirëpo nuk kanë qenë të sigurt në fillim. Por një kliente e cila del nga “Bubble”, duke ecur rrugës për të shkuar në lokalin “Servis Fantazia” që ndodhet aty afër në të njëjtën lagje, i dëgjon personat në këto vetura duke planifikuar sulmin dhe i njofton “Bubble” për këtë. 

“Unë e thirri policinë edhe iu thom që jena tu dyshu që dikush po don me na sulmu. Edhe sa e boj unë qat telefonatë, dalin prej dy kerreve ka pesë persona me maska edhe me duksa  krejt t’zi, me simbole të gishtave të mesëm edhe shpërndahen nëpër mahallë në mënyrë strategjike. E thirri edhe nji herë policinë, edhe vijnë shumë shpejt tri patrulla, e ja nisin me vrapu me i njek ama nuk mrrijnë me i nxonë”, tregon Lendi rreth kësaj ngjarje.

Për këtë ngjarje më pas i kanë njoftuar edhe ambasadat e shteteve të ndryshme të cilat operojnë në Kosovë, dhe si shenjë përkrahjeje, Bashkimi Evropian e organizon një iniciativë me shumicën e ambasadave më 17 maj, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë të cilët vijnë dhe i parkojnë veturat e tyre zyrtare në lagjen ku është “Bubble” për të përcjellur mesazhin që ky vend është i mbikëqyrur dhe i mbrojtur. 

Që nga ajo ditë, Lendi thotë që më asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë kanosje apo rrezik të ngjashëm ndaj “Bubble”.

Punë, ndeja, ngjarje, dragshows, e shumëçka tjetër 

Gjatë këtij një viti në “Bubble” u organizuan 217 ngjarje në total. Përpos ngjarjeve për ngritje të fondeve për personat transgjinorë në tranzicion, ngjarjet e tjera që e karakterizuan “Bubble” janë performancat e artistëve të shumtë drag vendor dhe të huaj, ngjarjet pop the bubble që kanë për qëllim ofrimin e platformës për promovim të artistëve të rinj queer, ngjarjet what’s the tea që kanë për synim promovimin e artit queer në forma të ndryshme, dhe ngjarjet bragging borders për krijimin e bashkëpunimit dhe thellimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje përmes kulturës queer. Aktivitete të tjera që janë organizuar përfshijnë mbrëmje poetike, ekspozita, diskutime, karaoke, etj.

Përpos prej personave LGBTQ+, organizimet në “Bubble” frekuentohen edhe nga aletatë që vijnë dhe shijojnë lirshmërinë dhe atmosferën e veçantë që di të krijohet në ndejat queer. Kjo ndihmon që personat që nuk janë pjesë e komunitetit t’i thyejnë paragjykimet që mund t’i kenë për ne, t’i largojnë mendimet stereotipizuese për mënyrën qysh anëtarët e komunitetit LGBTQ+ duken apo janë, të jenë më të njoftuar dhe më të afërt me kulturën queer, të lidhen më tepër me sfidat tona që të jenë më të zëshëm për ndryshime në shoqëri sa i përket lirisë dhe trajtimit të barabartë për të gjithë.

“Kom pru në “Bubble” edhe njerëz straight, që kanë hezitu me ardh vet po kanë pas kuriozitet. Kom plot shoqni që vijnë, edhe pse s’janë pjesë e komunitetit, thjesht ju pëlqen me nejtë në “Bubble”. I kom pru edhe nanën e vllaznitë, ju ka pëlqy. Edhe qitash vonë jom konë me ni shok që sapo e ka kuptu që osht biseksual, lypi me ardh me pa, u ndi mirë, edhe ka vazhdu me ardh edhe vet mandej”, na tregoi Diellza, anëtare e komunitetit queer.

Ajo ka dëshirë ta sheh “Bubble” duke u zgjeruar, e pse jo një ditë në Prishtinë të ketë edhe lesbian bar.

“Kur hin në Google dikush edhe e lyp ‘Gay bars in Prishtina’, mos me dal veç njo. Po masi u çelë njo, me pas edhe tjera”, shtoi Diellza.

“Bubble” përpos ngjarjeve, një gjë tjetër të mirë që e ka ofruar është punësimin e disa personave LGBTQ+. Realiteti në Kosovë është që personat queer hasin në pengesa kur aplikojnë për punë, dhe nuk pranohen në punë e diskriminohen vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, e për shkak të dukjes apo stilit të veshjes.

“Na si komunitet e kena të vështirë me u pranu në puna tjera, sidomos disa prej neve që dokemi ma ndryshe. Ka pas raste që s’jom pranu për shkak qysh dokna, e në “Bubble” nuk osht që jom paragjyku për qat sen, përkundrazi kom marr mbështetje shumë ma t’madhe pse jom pjesë e komunitetit”, tha B*, i cili është pjesë e stafit të “Bubble”.

“Bubble” nuk është lokal si të tjerët në kryeqytet ku njerëzit vijnë dhe ulen ndarazi në tavolinat e tyre dhe gjithmonë shikojnë hesapet e veta. Anëtarët e komunitetit që vijnë aty shpesh ndodh të kalojnë nga njëra tavolinë në tjetrën, shumica njihen me njëri-tjetrin, e kështu ndërrojnë llafe në lidhje me sfidat dhe problemet e përbashkëta të të qenit queer, e i diskutojnë aspektet e ndryshme të jetës.

Në “Bubble” njerëzit në ato tavolina e në dancefloor, me njëri-tjetrin i ndajnë edhe gëzimet, edhe brengat. Aty anëtarët e komunitetit nisen për të shkuar edhe vetë, sepse e dijnë që janë të mëdha gjasat për ta takuar dikë që e njohin.

B* i cili në të kaluarën ka punuar edhe nëpër lokale të tjera të Prishtinës, na ka kallëzuar që për të “Bubble” dallon sepse shumicën e njerëzve që vijnë në aty i sheh si shoqëri të vetën, e jo vetëm si klientë. 

“Ka raste shumë shpesh kur vijnë anëtarë të komunitetit edhe nëse janë tu e kalu naj ditë të keqe, shprehen te shankisti, te kamarieri, edhe na i ngojmë edhe mundohemi me ju ndihmu ose me ja u ndreqë ditën qysh t’mujmë. Ama e njejta vlen edhe për neve. Edhe na shprehemi te ata”, na tregoi tutje B*, i cili tha se duke punuar në “Bubble” ndihet se kontribuon disi, e kënaqet edhe vetë duke i parë komunitetin e tij duke u kënaqur.

“Bubble” e ka ofruar hapësirën edhe për promovimin e artistëve të rinj të tatuazheve, të cilët pa pasur nevojë të paguajnë për shfrytëzimin e hapësirës kanë pasur mundësi të kenë ndonjë fitim nga kreativiteti dhe aftësitë e tyre me tatuazhe. 

Orgeta, vajzë queer dhe artiste e tatuazheve, e cila e kishte shfrytëzuar këtë mundësi për një kohë, na ka treguar që ka qenë një shans i mirë për të promovuar punën e vet.

Kqyre edhe qito

“Ja nisa me u mësu me bo tattoo-ja, edhe po m’sheh Lendi në story në social media që ja kom nisë, edhe ma ka bo hajde që don mundesh me pas si vend. Shkoi shumë mirë,” tha Orgeta.

Çka për të ardhmen e “Bubble” dhe të komunitetit queer?

Një ndër synimet e “Bubble” është t’i ofrojnë komunitetit LGBTQ+ në Kosovë atë që ata mendojnë i duhet. Përgjatë vitit të parë të punës, ekipi i “Bubble” kanë arritur të vërejnë se interesi i anëtarëve të komunitetit është mjaft i  madh për t’u angazhuar, për të punuar e për të kontribuar, për aq kohë sa e kanë kryet rehat e barkun plot. Për këtë, “Bubble” ka në plan të zgjerohet edhe me kuzhinë e të shërbejë edhe ushqim, me ç’rast planifikon t’i punësojë edhe tri deri në katër persona të tjerë të komunitetit. Ndërsa për planet afatgjata, janë duke punuar në rritjen e “Bubble” si fondacion, i cili parashikohet të fokusohet në ngritjen e fondeve për komunitetin LGBTQ+ dhe për fuqizimin e tyre të qëndrueshëm edhe në aspekt financiar e biznesor.  

“Jena tu dasht me u fokusu ma shumë në ndërmarrësi queer, edhe jena tu dasht me ndërtu nji program ku krejt personat queer kanë me pasë mundësi me u perkrahë sikur “Bubble” qysh u përkrahë, edhe me u mentoru rrugës për me i hapë bizneset e veta apo nismat e tjera që i avancon ata si individë, po edhe bohet nji zingjir që krijohen hala hapësina e vende pune”, tha Lendi kur foli për planet e së ardhmes.

Sipas tij fakti që anëtarët e komunitetit rriten më të shkelur, të diskriminuar dhe të dëmtuar emocionalisht e psikologjikisht, i bënë ata më të cënueshëm në shoqëri dhe ua vështirëson shanset për sukses pasi që mundësitë për zhvillim pakësohen. Në anën tjetër ka shumë njerëz të talentuar në komunitet, shumë njerëz kreativë e me ambicie, të cilët thjesht nuk kanë haber nga t’ia mbajnë, dhe me siguri që po t’u ofrohet udhëzim, drejtim e mbështetje do të mund t’u përmirësohen shanset për sukses, të vlerësohen për talentet që kanë, dhe të ngriten e të ecin përpara.

Ndërkaq kur e pyetëm për aspektet në të cilat janë të vetëdijshëm që duhen të përmirësohen si “Bubble”, Lendi na tha që njëri aspekt është të rriten rrogat e punëtorëve, e tjetri është gjithpërfshirja. 

“Në fillim kena mbërri me përfshi edhe të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, por ka ndodh njifarë ndarje prapë, se sado qe na i kena thirrë dhe ftu, nuk janë konë qaq të mirëseardhun prej njerëzve tjerë, sepse fatkeqësisht ekziston edhe racizmi mrena komunitetit, e mendoj qe kena punu pak në qat drejtim, po janë plane që i kena për të ardhmen”, tha Lendi, i cili poashtu bëri thirrje për komunitetin që të jemi më të bashkuar dhe më mbështetës për njëri-tjetrin.

Fatkeqësisht, ne çdo vit po dëshmojmë largimin nga jeta në mënyrë të qëllimshme të shokëve dhe shoqeve tona të komunitetit LGBTQ+, të cilëve nuk po arrijmë t’ua shtrijmë dorën dhe t’i shpëtojmë. Mbase nëse do të ishim më përqendruar si ta duam më mirë veten dhe njëri-tjetrin, urrjejtja dhe përçarja nga jashtë dhe nga brenda nuk do të ishin kaq të forta siç janë akoma. 

Sipas Lendit “njerëzit që po na ikin para ftyrës janë tu bërtitë për bashkim, e na jena tu provu me i ngu po s’jena tu ja u kthy përgjigjen… disa njerëz po mbërrijnë me ni pikë ku po e kanë nji punë të sigurtë, nji jetesë të sigurt dhe largohen prej komunitetit. Edhe kjo mandej e jep përshtypjen që ‘po rahatohemi për veti edhe shkum’; nuk ja u sheh ftyrat mo as aktivistave, as personave të komunitetit. Qikjo osht zgjedhje personale, ama në anën tjetër, edhe nese je rahat, meno qysh me ia jep dorën edhe me inkuraju dikon me ardh me ty, merri njerëzit me veti, osht punë e randë emocionalisht, po definitivisht nëse nisemi krejt bashkë, mbrrijmë ma shpejt diku ma mirë, diku ku ka jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri qajo siguri që bashkë e krijojmë.”

Lendi poashtu bëri thirrje për personat e komunitetit, por edhe përkrahësit dhe organizatat e të drejtave të njeriut, të vazhdojnë ta përkrahin “Bubble”, sepse pavarësisht se po funksionojnë mirë, “Bubble” shpesh është duke hasur në sfida financiare, sidomos me thellimin e krizës ekonomike dhe rritjen e inflacionit. Kanë qenë dy-tri momente që ai rikujton gjatë dimrit që kanë menduar ose ta mbyllin, ose të futen në borxh për ta mbajtur. 

“Gjatë krejt vitit kemi dhonë, ndërkaq ka ardh koha edhe me marr, që me mujt me majtë”, tha ai për fund.

Për të festuar ditëlindjen e parë, me 15 prill, të shtunën, festa në “Bubble” fillon që nga ora 17:00 dhe për muzikën do të përkujdesen Dj Gent, këngëtarja Edona Vatoci, më pas Dj Loor nga Berlini, dhe do të ketë performancë nga drag queen Adelina Rose. 

Gëzuar ditëlindjen, “Bubble”! 

Dyblerat gëzohen që t’kanë! 

B* – për çështje të konfidencialitetit dhe sigurisë, personi ka zgjedhur të identifikohet si B.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top