Tu e lexu qitash
Presidenti i Ugandës dekreton ligjin anti-LGBTQ+ që parasheh dënim me vdekje për aktet midis të njëjtit seks

Presidenti i Ugandës dekreton ligjin anti-LGBTQ+ që parasheh dënim me vdekje për aktet midis të njëjtit seks

Ankesa e reagime në nivel global e dënojnë presidentin Museveni për nënshkrimin e ligjit të ri drakonian* kundër homoseksualëve, duke e ndëshkuar si një “leje autorizim për urrejtje dhe çnjerëzim.”

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, përmes nënshkrimit, ka vendosur në fuqi  ligjin më të ashpër në botë kundër komunitetit LGBTQ+, i cili lejon dënimin me vdekje për aktet homoseksuale.

Ky veprim menjëherë nxiti shprehje të mosmiratimit shumë të fortë nga qytetarët e Ugandas si dhe nxiti zemërim të gjerë ndërkombëtar. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se ishte e tmerruar nga projektligji “thellësisht diskriminues”, e që do ta “dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Ugandës”.

Presidenti Amerikan, Joe Biden, e cilësoi këtë veprim si “të turpshëm” dhe “shkelje tragjike të të drejtave universale të njeriut”. Ai tha se Uashingtoni po konsideron vendosjen e “sanksioneve dhe kufizimeve të hyrjes në Shtetet e Bashkuara kundër kujtdo që është i përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut” – sugjerim ky sipas së cilit zyrtarët ugandë mund t’i bëjë të përballen me pasoja.

Mëngjesin e të hënës, kryetarja e parlamentit të Ugandës, Anita Annet Among, ka publikuar një deklaratë në media sociale duke konfirmuar se Museveni kishte nënshkruar ligjin e miratuar për herë të parë nga deputetët në mars. Ky ligj parasheh dënim me vdekje ose burgim të përjetshëm për disa lloje të akte midis të njëjtit seks, deri në 20 vjet burgim për “rekrutim, promovim dhe financim” të “aktiviteteve” midis të njëjtit seks,  si dhe dënimin me 14 vite burgim për personin që dënohet për “tentativë për homoseksualitet të rënduar”.

I ciësuar nga Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, si “tronditës dhe diskriminues”, ky projektligj, më 21 mars, u votua nga 389 deputetë ugandas. Vetëm 2 deputetë nuk e votuan atë. Museveni ka pasur 30 ditë për të dekretuar projektligjin, për ta kthyer atë në parlament për rishikim ose për ta kundërshtuar. Në prill, ai ua ktheu deputetëve në parlament me kërkesën për rishqyrtim. Projektligji prapëseprapë do të shëndrrohej në ligj të zbatueshëmj edhe pa miratimin e presidentit, pra edhe sikur ai ta kthente atë për herë të dytë.

Kryetarja e parlamentit, Among,  postoi këtë në Twitter, të hënën në mëngjes:

“Presidenti … ka miratuar Aktin Anti-Homoseksualitet. Si parlament i Ugandës, ne i jemi përgjigjur thirrjeve të popullit tonë. Ne miratuam ligjin për të mbrojtur shenjtërinë e [familjes].

Po qëndrojmë të fortë për të mbrojtur kulturën dhe [aspiratat] e popullit tonë,” tha ajo, duke falënderuar Musevenin për “veprimin e tij të palëkundur në interes të Ugandës”.

Folësja tha se deputetët i kishin rezistuar presionit nga “bullizuesit dhe teoricienët e konspiracionit të ditës së gjykimit” dhe bëri thirrje që gjykatat të fillonin zbatimin e ligjeve të reja.

Martin Ssempa, një nga mbështetësit kryesorë të projektligjit, e prezantoi atë si një fitore kundër SHBA-së dhe Evropës dhe sugjeroi që Uganda duhej të iu rezistojë grupeve që punojnë për të trajtuar HIV-in. Ai tha: “Presidenti ka treguar guxim të madh për të sfiduar bullizimin e amerikanëve dhe evropianëve. Ai lloj bullizimi se: nuk do t’ju japim para. Kështu na frikësojnë dhe kërcënojnë.”

Në një deklaratë të përbashkët, krerët e Global Fund to Fight Aids, Tuberculosis and Malaria (Fondit Global për Luftimin e Sidës, Tuberkulozit dhe Malarias), UNAids dhe Presidenca e ShBA-ve Emergency Plan for Aids Relief (Pepfar) (Planit Emergjent të Presidentit të SHBA për Ndihmën e Sidës (Pepfar)) reaguan me “shqetësim të thellë” dhe thanë se përparimi në trajtimin e Sidës dhe HIV-it është “tani në rrezik serioz”.

“Stigma dhe diskriminimi që lidhet me miratimin e ligjit ka ndikuar tashmë që të ketë rënie të qasjes në shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të sëmundjes. Besimi, konfidencialiteti dhe angazhimi pa stigmë janë thelbësore për këdo që kërkon kujdes shëndetësor”, thuhet në deklaratë.

“Njerëzit LGBTQI+ në Ugandë gjithnjë e më shumë kanë frikë për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, dhe njerëzit po dekurajohen në kërkimin e shërbimeve jetike shëndetësore nga frika e sulmit, ndëshkimit dhe margjinalizimit të mëtejshëm”, thuhej tutje në deklaratën e nënshkruar nga Peter Sands, Winnie Byanyima dhe John Nkengasong.

Ka pasur dënime të ashpër ndaj Musevenit. Në një deklaratë të OKB-së thuhej:
“Ne jemi të tmerruar që ligji drakonian dhe diskriminues kundër homoseksualëve është tanimë në fuqi. Është një recetë për shkelje sistematike të të drejtave të personave LGBT+ dhe popullatës më të gjerë. Ai bie ndesh me kushtetutën dhe traktatet ndërkombëtare dhe kërkon rishikim urgjent gjyqësor.”

Ashwanee Budoo-Scholtz, zëvendësdrejtor i Afrikës për Human Rights Watch*, tha:
“Dekretimii i projektligjit kundër homoseksualitetit nga Museveni është një goditje serioze për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe asociimit në Ugandë, ku në vend që të kufizohen ato duhet të forcohen. Ligji është diskriminues dhe është një hap në drejtimin e gabuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit në rajon.”

Një projektligj kundër homoseksualëve në vitin 2014 ka shkaktuar poashtu kritika të përhapura ndërkombëtare, e i cili më vonë u anulua nga gjykata kushtetuese e Ugandës për arsye procedurale.

“Vendimi i Presidentit Museveni për të dekretuar ligjin kundër homoseksualitetit në vitin 2023 është thellësisht shqetësues,” tha Steven Kabuye, aktivist i të drejtave të njeriut në Kampala. 

“Ky akt shkel të drejtat themelore të njeriut dhe vendos një precedent të rrezikshëm për diskriminim dhe persekutim kundër komunitetit LGBTQ+ në Ugandë. Siç e kemi parë në të kaluarën, ligje të tilla mund të çojnë në rritjen e dhunës, ngacmimit dhe margjinalizimit të grupeve tashmë të ndjeshme. Është e rëndësishme që të qëndrojmë së bashku në solidaritet me komunitetin LGBTQ+ në Ugandë dhe në mbarë botën dhe të luftojmë kundër fanatizmit dhe urrejtjes,” shtoi tutje Kabuye.

Vetëm në shkurt të këtij viti, 110 persona LGBTQ+ në Ugandë kanë raportuar incidente duke përfshirë arrestime, abuzim seksual, dëbime dhe zhveshje me forcë në publik të grupit mbrojtës të Sexual Minorities Uganda (Minoriteteve Seksuale Uganda). Personat transgjinorë u ndikuan në mënyrë disproporcionale, tha grupi.

Kqyre edhe qito

“Është dëshirim i kotë të supozohet se një pjesë e këtij legjislacioni hileqar ka për të fshirë ekzistencën e personave LGBTQI+ në Ugandë!” ka shkruar në Twitter Sarah Kasande, avokate dhe aktiviste për të drejtat e njeriut me bazë në Kampala.

“Njerëzit queers janë qytetarë ugandas, i përkasin Ugandës. Asnjë ligj i tillë idiotesk nuk do të mund ta ndryshojë kurrë këtë fakt!” – tha Kasande.

Edna Ninsiima, redaktore dhe kritike, tha: “Të gjithë duhet të shqetësohemi që homofobia jonë kolektive, edhe një herë, ka kulmuar në dhënien e lejes nga shteti për urrejtje dhe çnjerëzim” 

Më 17 prill, një gjykatë në qytetin lindor të Jinjas, refuzoi lirimin me kusht të gjashtë personave që punonin për organizatat e kujdesit shëndetësor, të cilët ishin akuzuar se ishin “pjesë e një rrjeti kriminal të seksit”. Policia e Ugandës konfirmoi se kreu ekzaminime anale të detyruara tek të gjashtët dhe i testoi ata për HIV.

Në muajin mars, Museveni pretendoi se qeveria e tij po përpiqej t’i rezistonte synimeve perëndimore për të “normalizuar” ato që ai e quajti “devijime”.

“Vendet perëndimore duhet të ndalojnë së humburi kohën e njerëzimit duke u përpjekur t’i imponojnë praktikat e tyre popujve të tjerë,” tha ai.

Aktivistët planifikojnë t’i dërgojnë padi në gjykatë me kërkesën për anulimin e legjislacionit diskriminues, “Sigurisht, se ne kemi për të marshuar në gjykatë dhe kemi për ta kundërshtuar këtë ligj drakonian në çdo mënyrë të mundshme,” tha Kabuye.

* Ligje drakoniane – drakonian përdoret si term për të përshkruar ligje ose rregulla që janë vërtet të ashpra dhe represive. Në Athinën e lashtë, Draco ishte ligjvënësi i parë i regjistruar e i cili njihet që miratoi ligje tepër të rrepta. Pra, rregullat që janë shumë kufizuese – ose thjesht të padrejta – quhen drakoniane.

* Human Rights Watch – është një organizatë joqeveritare ndërkombëtare që mbron të drejtat e njerëzve në 100 vende në mbarë botën, duke vënë në pah abuzimet dhe duke sjellë abuzuesit para drejtësisë.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top