Tu e lexu qitash
“Mrena Katër Mureve” Shfaqja queer që ngjalli të qeshura e lot në publikun e Javës së Krenarisë
Nale Dheze

“Mrena Katër Mureve” Shfaqja queer që ngjalli të qeshura e lot në publikun e Javës së Krenarisë

Në kuadër të kremtimit të Javës së Krenarisë, të martën më 6 qershor, në Teatrin Oda u dha shfaqja Mrena Katër Mureve me regji dhe skenar nga Adelina Rose. 

Shfaqja në qendër të vëmendjes kishte përvojat dhe betejat e komunitet queer në Kosovë,nisur nga bullizmi, diskriminimi, kërcënimi, dhe vetëvrasja, e deri te problematikat ligjore si Kodi Civil, papunësia e vështirësitë për pranim shoqëror e familjar. Ndër të tjera, shfaqja përfshiu edhe aspekte sociale që karakterizohen brenda komunitetit si motërzimi, familja e zgjedhur, dashuria për artin etj. Krejt këto aspekte, shakatë e brendshme dhe pikëllimet kolektive që ngjallën të qeshura dhe lot,  u shtjelluan përmes dialogut, narracionit dhe muzikës.

Një aspekt i rëndësishëm i shfaqjes ishte edhe gjithpërfshirja, pasi që kishte personazhe me identitete të ndryshme queer, duke përfshirë gra transgjinore e persona jobinar. . Duke u diskutuar për artin drag, për të qenit ndryshe dhe për diferencat në mendësi midis gjeneratave të ndryshme queer në vendin tonë, nëpërmjet sarkazmës, humorit e zhargonit që komuniteti queer e përdorë me njëri-tjetrin në baza ditore, audienca pati mundësinë të informohej, të bashkëndjente dhe përkohësisht të bëhej pjesë e një aspekti të jetës queer brenda katër mureve.

Pjesa e parë e shfaqjes trajtoi termet e përdorura në komunitet, migrimin e personave queer, diskutimet rreth Kodit Civil, si dhe martesën e problematikat ekonomike-sociale të një bashkëjetese.

Pjesa e dytë e shfaqjes filloi kryesisht me fëmijërinë e Adelinës dhe sfidat që ajo ka kaluar gjatë asaj periudhe. Kjo pjesë rezonoi shumë me audiencën sepse u fol për familjen , për pranimin dhe mospranimin e personave queer në familjet e tyre, e për familjen e zgjedhur, që për shumicën komuniteti LGBTQ+ mbetet si familja e tyre e vetme. 

Pjesa e tretë e shfaqjes ishte pjesa më delikate dhe emocionale e cila shtjelloi dukurinë e vetëvrasjes dhe shëndetit mendor të personave queer. U kujtua Anna, aktivistja transgjinore e cila ka qenë një performuese e shkëlqyer e artit drag dhe një nga personat më të  dashur e frymëzues për komunitetin, e cila humbi jetën tragjikisht vitin e kaluar. Kjo pjesë emocionale e shfaqjes lejoi audiencën dhe interpretuesit të gjejnë ngushëllim në dhimbjen e përbashkët dhe të reflektojnë për kujdesin ndaj njëri tjetrit. Ndër të tjera, u përçuan  mesazhe sensibilizimi për rëndësinë e shëndetit mendor.

Dylberizm ka biseduar me Adelinën dhe me disa aktorë të kastës, të cilët na kanë treguar më në detaje për punën dhe përjetimet e tyre rreth shfaqjes Mrena Katër Mureve. Adelina Rose është performuese drag kosovare e cila njihet për performancat e saj të veçanta të artit drag, por ndër të tjera është edhe aktiviste për të drejtat e njerut, regjisore, skenariste dhe aktore.

Adelina na tregoi së është munduar t’i përfshijë krejt identitetet e komunitetit queer sepse sipas saj secili ka nevojë ta shohë vetën të përfaqësuar në skenë, në televizion apo kudo, që të mos ndihet vetëm, pasi që shumë persona të komunitetit deri sa ta gjejnë grupin dhe rrethin e tyre, gjatë rritjes ndihen të vetmuar dhe ndihen që askush në botë nuk është aty për ta. Kjo bindje e Adelinës buron edhe nga rrugëtimi i saj personal. 

“Teatri ka pasë mungesë të përfaqësimit queer, edhe ndihna tepër e nderume që kom pas mundësi me bo këtë sen. Osht monumentale që ka ardh koha me ardh në teatër si pjesëtar i komunitetit queer, me e pa veten në skenë edhe me t’u jep mundësia me kriju kësi lloj arti. Përpara as nuk u konë e mundshme që dikujt si unë, që osht hapurazi queer, me ju jep mundësia me shkru ni kësi tregimi” – tha Rose, e cila qysh nga mosha dhjetë vjeçare ka aktruar në teatër, e më vonë edhe në film, si dhe ka përfunduar studimet për regji filmi. 

Aktorët e kësaj shfaqje bënë një punë të mrekullueshme për të përcjellë emocione të shumta në audiencën e cila përgjatë performancave të tyre u ndez në brohoritje e duartrokitje. Të gjithë sollën përvojat dhe perspektivat e tyre unike si persona queer, kështu duke e sjellë në mënyrë të natyrshme lloj-llojshmërinë e identiteve dhe përvojave. Disa nga aktorët,  pavarësisht që ndoshta nuk kanë përvojë të gjatë në skenë, përqafuan vizionin e Adelinës, duke e kuptur ndikimin që performanca e tyre mund të ketë te publiku. 

Për aktoren Maggy, e cila në shfaqje luajti rolin e nënës së Adelinës, kjo ishte hera e parë që luante në skenën e teatrit, ndërkaq kishte qenë pjesë e disa  filmave të ndryshëm vendorë.

Maggy na tregoi se kishte pasur shumë emocione derisa kishte dalur në skenë, mirëpo kur ajo doli, duartrokitja e madhe që i dhanë audienca e kishte shtyrë përpara që ta mblidhte veten dhe ta jepte më të mirën e vet.

“Me Adelinën osht shumë lehtë me punu, tepër lehtë t’kallxon qysh ti me konë në lëkurën e personazhit, t’udhëzon qartë, ta lejon me konë vetja. Jemi knaqë një muaj prova. Jom ndje mirë, me shumë emocione, edhe roli i nanës u konë i randsishëm për mu se unë ndihna gru, nanë ndihna” na tha Maggy plot buzëqeshje e krenari.

Queen Maggy është poashtu performuese drag, e cila shpejt u bë ndër queens më të dashura kur u ngjit në skenë para tre viteve. Ajo më pas pushoij për tre vite dhe nuk e pamë në skenë deri javën e kaluar, kur e pati rikthimin e saj me një performancë mbresëlënëse në Bubble Pub.

“Unë e kom bo ni sen, qe tre vite s’kom performu, jom nda prej drag-ut, vendosa me jetu për dikon tjetër, për familjen tem, se jom lind mas gjashtë çikave, u pre kurbani eee qysh jena na shqiptart… ama tash mo i dhash fund, po du me vendos me jetu qysh du unë, kshtu që mesazhi jem osht: jetoni qysh doni ju, ni jetë e kena, e ma anej s’e dijmë çka ndodh”, tha Maggy.

Ndërkaq Gimi, person që identifikohet si jo-binar, e që në shfaqje luajti rolin e një djali  bullizues e homofob, i cili më vonë e kupton se në fakt është gej, na tha që për të ky rol ka qënë më i vështirë dhe sfidues sepse i është dashur të dilte më shumë prej vetes.

Megjithatë Gimi theksoi se “mendoj se kemi bërë një punë mjaft të mirë sa i përket gjithpërfshirjes, prandaj ndjej vërtet krenari që e kemi arritur këtë.”

Gimi është rritur në Suedi, dhe për kohën të cilën është duke e kalur në Kosovë e sheh të nevojshëm identifikimin si person jo-binar në mënyrë që t’i sfidojë normat dhe pikëpamjet mendjembyllura në vendin tonë, mirëpo poashtu tha se e gjen edhe sfiduese si përvojë.

“Nuk ka përemra në shqip që munden me na pershkru neve, edhe gjith kohën jena të detyrum me folë anglisht për me përdorë termin e duhun për me t’identifiku dikush. Poashtu njerezit në rrugë më këqyrin shumë, ose nëpër kafe që nuk frekuentohen shumë prej komunitetit – e krejt kjo vëmendje kaniherë osht e tepërt”, shtoi Gimi.

Mirëpo Gimi poashtu theksoi se në fund të fundit duhet të pajtohemi deri diku me faktin që këto gjëra marrin kohë derisa t’i normalizojmë, dhe se shfaqja e krejt eventet tjera queer, veçse janë progres i madh për Kosovën.

Edhe Adelina Rose ka jetuar një kohë në Amerikë, e cila është kthyer në Kosovë, dhe e sheh të rëndësishëm kontributin që secili person i komunitetit mund ta jep që gjendja të përmirësohet në vendin tonë. 

“Jom kthy në Kosovë, jom tu bo filma, tu performu si drag, tu shkru shfaqje, jom tu i ndjek krejt andrrat e mia, tu e kallxu vetën dhe krejt ngjyrat e mia haptaz. E di që osht rrezik, po na duhemi me dalë përpara se nëse nuk e bojmë këtë, njerëzit nuk kanë me u mësu kurrë. Në Kosovë, njerëzve ju ka mungu informimi dhe nuk janë konë të ekspozum me njerëz si na, edhe pse na kemi ekzistu gjithmonë, po kemi ekzistu nëpër hije. Na duhemi me konë krejt t’bashkum, edhe njerezit e tjerë me kuptu që mundesh me u knaqë edhe me neve, si na qe mujmë me u knaqë me ta, se krejt jena njo: Njerëz”, shtoi për fund Rose. 

Java e Krenarisë vazhdon të mbahet në Prishtinë me aktivitete të ndryshme, të cilat mund t’i përcjellni pa pagesë. Agjendën e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.

Nëse je duke u përballë me probleme të shëndetit mendor ose njeh dikë që osht, Dylberizm të inkurajon fuqimisht me kërku mbështetje. Kërkimi i ndihmës osht nji hap i guximshëm drejt shërimit dhe ka burime t’shumta në dispozicion për me t’ndihmu. Me lyp ndihmë osht shenjë fuqie dhe ti e meriton kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme për mirëqenien tone. Na jemi këtu për ty dhe besojmë n’aftësinë tone për me e kapërcy çdo sfidë me të cilën mundesh me u përballë. Bashkë, mundemi me thy stigmën rreth shëndetit mendor edhe me nxit nji komunitet që mbështet njani-tjetrin. Mos hezito me kërku ndihmë profesionale duke kontaktu qendrat: CEL dhe CSGD, si dhe Linja e Jetës në 0800 12345, çdo ditë nga 14:00 – 02:00.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top