Tu e lexu qitash
Aktivizmi queer në Kosovën e pasluftës nga perspektiva e aktivistes lezbike Myrvete Bajrami

Aktivizmi queer në Kosovën e pasluftës nga perspektiva e aktivistes lezbike Myrvete Bajrami

Paralajmërim: Ky artikull ka përmbajtje të gjuhës fyese dhe përdor terminologji specifike brenda një kuadri kontekstual. Ne e kuptojmë se këto terma mund të jenë nxitëse ose shqetësuese për disa lexues. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se qëllimi i përfshirjes së këtyre termave origjinalë është të ekzaminohet ndikimi i tyre, konteksti historik ose implikimet shoqërore brenda një konteksti specifik. 

Nga prilli i vitit 2005 deri në qershor të vitit 2017 në Kosovë ekzistoi dhe veproi edhe një organizatë tjetër e dedikuar për të drejtat e komunitetit queer, e quajtur QESh (Qendra për Emancipim Shoqëror), e cila u bashkëthemelua nga aktivistja lezbike Myrvete Bajrami. Myrvetja ishte njëra nga aktivistet e para queer në Kosovën e pasluftës që ndërmori këtë hap, sepse për të hapja e kësaj organizate erdhi si nevojë e nxitur nga mungesa e informimit mbi ekzistencën e komunitetit LGBTQ+, mbrojtja e të drejtave queer  në Kosovë dhe mungesa e hapësirës brenda lëvizjes për gratë queer.

Mirëpo rrugëtimi i Myrvetes drejt pranimit të seksualitetit dhe identitetit të saj, si dhe i dedikimit në aktivizëm ishte sfidues dhe nuk ishte aspak i lehtë në fillimet e veta. Sidomos duke e pasur parasysh që 20 vite më parë në Kosovë nuk kishte dukshmëri të komunitetit queer ashtu siç ka sot, dhe popullësia e gjerë ishte në terr informativ sa i përket dijenisë së ekzistencës të këtij grupi shoqëror. Kjo gjendje e bënte të vështirë për personat queer të njihnin persona të tjerë si vetja e tyre, dhe e thellonte krizën e vetëmohimit dhe izolimit nga shoqëria.

Myrvetja u lind në një fshat afër Prishtinës, dhe  në moshën 1 vjeçare është zhvendos në Prishtinë ku dhe studioi psikologjinë. Në atë kohë, disa aspekte më ndryshe të vetes, filluan t’i sfidoheshin nga njerëzit e rinj që po i takonte. Gjatë studimeve ajo u takua me një vajzë biseksuale e cila ia kishte thënë hapurazi në sy se mendonte se Myrvetja ishte lezbike. Reagimi i parë i Myrvetes ndaj saj kishte qenë t’ia mohonte këtë gjë sepse atëkohë ishte në vetëmohim, duke i thënë vetes që nuk mund ta jetojë atë lloj jete. 

“Për me dalë hapur [si lezbike] m’ka marrë goxha kohë. Po realisht pse më ka marrë aq shumë kohë është se nuk kam njohur njerëz të tjerë si unë,” tregon Myrvetja. 

Mirëpo me kalimin e kohës, ajo gradualisht filloi ta sfidonte veten për pranim dhe gjërat filluan të merrnin tjera kthesa. Për të ishte shumë e qartë se do i duhej të dëshmonte vetën më shumë se personat heteroseksual vetëm për të siguruar një hapësirë të barabartë me ta në rrethin e saj të ngushtë. 

Në vitin 2003, e njëjta vajzë i tregoi që në Prishtinë ekzistonte një hapësirë e quajtur “Elysium and Sappho” (tani e njohur si CSGD) ku djemtë gej takoheshin me njëri-tjetrin. E intriguar nga emri i këtij vendi, Myrvetja vendosi që do të shkonte ta vizitonte.

“Kur shkova atje, shkova me një shoqe tjetër lezbike dhe e mbaj në mend kur hinëm mrena në atë dhomë ka qenë vetëm një kauq dhe krejt burra; e u çun krejt na lëshun kauqin neve dyjave. Ata u ulën në tokë krejt në rreth. Ata kqyrë seri, na kqyrë seri – se ata nuk kishin pa lezbike, e as na nuk kishim pa gejë. Kanë shku tri javë qashtu derisa kanë fillu me bisedu me mu. Ajo shoqja jeme atë ditë ka ardhë, edhe mo s’ka ardhë,” tregoi Myrvetja e cila rrëfeu se krejt ata burra ishin rreth të dyzetave, bënin jetë dyfishe duke qënë të martuar me gra, ndërsa ajo atëkohë ishte 20 vjeçare. 

Pas dy muajsh, e takoi një djalë gej bashkëmoshatar dhe filloi të shoqërohej me të, e më vonë dikur filloi të takonte edhe persona queer të tjerë të gjeneratës së saj, dhe kjo gjë dukshëm i ndihmoi të fliste më hapur e të pranonte më lehtësisht orientimin e vet seksual.

Në hapësirat e “Elysium and Sappho”, Myrvetja e kishte takuar njëherë edhe aktivisten lezbike feministe Igballe Rogova, por në atë kohë dallimi i moshës ka bërë që te mos gjenin shumë mirëkuptim. Myrvetja së bashku me disa aktivistë të tjerë kishin tentuar të ishin pjesë e udhëheqjes së organizatës e cila e menaxhonte këtë hapësirë, mirëpo nuk kishin arritur të gjenin pajtim në vizionin për zhvillimet e së ardhmes.

“Na dojshim më shumë aktivitete për komunitetin. Nuk ishim të interesum për m’u taku edhe veç me bo party. Për këtë arsye është hapë QESh në parim. Punën me komunitetin kemi dashtë me bo ma të hapun për gratë dhe për transgjinorët,”  shpjegoi Myrvetja. 

Ajo tregoi që kur është hapë Qendra për Emancipim Shoqëror, në diskutimet që janë mbajtur me komunitet për definiconet e secilës shkronjë në akronimin LGBT (akronimi i përdorur atëkohë), shumica nuk kishin qenë të informuar rreth kuptimit të këtyre termeve, sidomos sa i përket kuptimit të transgjinisë.

Ajo na tregoi gjithashtu se posterat e parë që janë shpërnda nëpër qytet rreth homoseksualitetit, janë bërë nga QESh-i. Për shkak të rrezikut të lartë, posterat ishin shpërnda gjatë natës. Gjatë asaj mbrëmje, aktivistët ishin ndalë nga dy kalimtarë burra të cilët i kishin pyetur: edhe ju jeni seksualë a?

Në këtë pyetje të pakuptimtë, Myrvetja duke qeshur na tregoi se iu ishin përgjigjur: ‘po edhe ti je seksual. A ke femën?’ Ata i kishin thënë që ‘po’, dhe kjo ju ishte drejtuar ‘ani na jemi homoseksual, po edhe ti je seksual si na’. 

Megjithatë ditën e nesërme në qyetet kishin ngelur vetëm tre postera, sepse të tjerat ishin zhdukur. 

Roli i organizatës QESh në raportimet në Polici për rastet e dhunës ndaj komunitetit LGBTQ+ në Kosovë

Gjatë viteve të funksionimit si organizatë, QESh në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare në Kosovë kishte paraqitur në Polici ndër rastet e para të dhunës ndaj personave queer. Gjatë paraqitjes së një rasti ku dy burra gejë ishin rrahur brutalisht, për shkak të trajtimit jo të duhur të rastit, ishin suspenduar tre policë dhe një tjetër ishte degraduar në pozitë.

Myrvetja tregon se sulmi ka qenë aq brutal, sa të dy burrat e rrahur kanë qenë në rrezik për jetë.

I kanë rrehë goxha keq, janë konë afër vdekjes. Ata që i kanë rrehë, kanë përdor thikë. Kur kanë shku në Polici, në vend që me i trajtu si viktima, tanë kohën osht konë asi gjuhe ‘çka keni lyp m’u q* në b*thë, normal që ju rrehin’. I kanë çu në emergjencë edhe i kanë prezantu: ‘ju kemi pru dy pedera për me i kontrollu, vendosni dorëzat!’ Qajo osht konë gjuha që është përdorë në vitin 2006. Njani prej tynve, që tash nuk jeton mo, ka qenë aktivist, e çka ka bo ai për komunitetin, nuk kom bo as unë, e as shumë tjerë. Ai ka përjetu shumë. Ai i ka marrë numrat e policëve edhe e kemi pasë lehtë me kuptu se kush çka ka bo,” tregoi tutje Myrvetja.

Pas raportimeve në media, zëdhëndësi i policisë e kishte keqinterpretuar qëllimshëm kodin penal të asaj kohe, duke thënë se: “kudo që i shihni dy homoseksualë në qytet, mund t’i arrestoni!” 

Kodi penal në atë kohë thoshte se kudo që shihen dy persona duke kryer marrëdhënie seksuale në publik, policia ka të drejtë t’i arrestojë. Është e rëndësishme që të theksohet se personat e rrahur nuk ishin duke kryer marrëdhënie seksuale. Si pasojë e reagimit të QESh-it, ai polic nuk ka qenë më zëdhëndës në Polici; atë e kishin degraduar në pozitë, edhe pse duhej ta ndëshkonin më shumë se kaq.

Ky rast kishte ndikuar që më shumë persona ta përdornin QESh-in si ndërmjetësues për t’i paraqitur rastet e tyre në Polici, për shkak se siç tregon ajo sa herë ka shkuar një person gej ta paraqesë ndonjë rasti në Polici, në zyrën e raportimeve ku ndodhej ai, shpesh ka ndodhur që kanë hapur derën e kanë hyrë rreth 5-6 policë vetëm për ta parë se si duket një gej.  Për shkak të njohurisë rreth procedurave të raportimit të rasteve dhe krijimit të hapësirë më të sigurtë, viktimat disa herë i kishin thirrë personat nga QESh edhe në mesnatë për të shkuar në polici bashkë me ta për t’i paraqitur rastet.

Për shkak të këtyre rasteve, QESh-i kishte instituar gjithë kohën për formimin e një grupi të veçantë që i njeh siç duhet çështjet queer. Kështu, QESh kishte filluar bashkëpunimin me Policinë për të gjetur mënyra më të lehta dhe të sigurta për personat queer që t’i paraqitnin rastet e dhunës dhe diskriminimit.

Përmes një dokumenti të quajtur “Procedurat standarde të operimit”, çdo stacion i policisë obligohej ta caktonte një person i cili do të merrej veçanërisht me çështjet queer, ashtu që kur dikush të shkonte ta paraqiste rastin, ta kërkonte direkt policin e komunitetit që ishte përgjegjës për çëshjet queer që do ta trajtonte rastin siç duhej.

QESh kishte qenë poashtu i aktivizuar edhe sa i përket vendosjes së orientimit seksual në Kushtetutën e Kosovës. Në pjesën e Kushtetutës për të drejtat e njeriut, kishte qenë e përfshirë edhe Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës dhe anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Myrvetja kallëzoi se rol të rëndësishëm poashtu ka luajtur edhe aktivistja Igballe Rogova, e cila e ka informuar rreth mbajtjes së dëgjimeve publike.

“Igo m’i ka dërgu krejt kohën këto informata. Në çdo dëgjim publik që ka ekzistu për punë të Kushtetutës,  unë kom shku atje edhe e kom pasë vetëm një kërkesë. Vetëm një kërkesë: Kushtetuta duhet të jetë e njëjtë me ligjin kundër diskriminimit,” theksoi Myrvetja.

Përveç përfshirjes së saj aktive në seancat publike, Myrvetja me disa kolegë aktivistë, përmes pseudonimeve të ndryshme, u kishte dërguar plot letra hartuesëve të Kushtetutës së Kosovës, duke iu kërkuar që Kushtetuta të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse. Në vitin 2010, Myrvetja përmes Igos, u gjend në prani të Gjyljeta Mushkolajt.

Aty Myrvetja ia kishte rrëfyer asaj realitetin, duke i treguar se ishin një grup i vogël i njerëzve të përfshirë në shkrimin e këtyre letrave dhe emailave për të nxitur një kuadër kushtetues më mbrojtës dhe gjithëpërfshirës; dhe Mushkolaj ia kishte pranuar faktin se ajo kishte menduar se ishte një rrjet më i madh i njerëzve që gjendej prapa shkrimit të atyre letrave.

Kushtetuta e Kosovës shquhet si një nga më progresivet në Ballkanin Perëndimor me përkushtimin e saj të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave queer. Veçanërisht, Kushtetuta deklaron në mënyrë eksplicite se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor, duke vendosur një shembull të fuqishëm për përfshirje. Për më tepër, kushtetuta i referohet konventave të shumta ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat queer, duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë për të respektuar këto parime. Megjithatë, përkundër këtyre dispozitave ligjore, sfida qëndron në zbatimin efektiv të tyre. Fatkeqësisht, mendësia mbizotëruese shoqërore nuk përputhet gjithmonë me garancitë kushtetuese, duke çuar në pabarazi të konsiderueshme midis mbrojtjeve ligjore dhe përvojave të personave queer.

Gjithpërfshirja ngecëse në aktivizmin queer në Kosovë 

Një problem që Myrvetja e haste në kohën e saj si aktiviste në Kosovë, e që e kemi akoma të pranishëm në lëvizjen queer është: përfshirja e grave në të, duke përfshirë edhe gratë transgjinore. Ajo bëri të ditur që kishte argumentuar shumë herë me aktivistë të lëvizjes për çështje gjinore, për shkak se çështjet transgjinore nuk përfshiheshin në lëvizje, dhe se në anën tjetër shumë organizata të grave nuk kanë folur publikisht për çështjet queer, ndonëse privatisht ju ndihmonin me kontakte.

Ndërsa sa i përket organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, organizatës YIHR veçanërisht, Myrvetja kishte hasur në rezistencë për formalizim të bashkëpunimit nga drejtorja udhëheqëse e asaj kohe.

Ka qenë ideja se na si YIHR jemi rajonal dhe dijmë më shumë për të drejtat e njeriut. Mirëpo nuk kanë ditë për të drejtat e mija,” tha ajo. 

Angazhimi i Myrvetes në QESh zgjati deri në vitin 2015 dhe ajo bëri të ditur se një pjesë e madhe e stafit atëkohë ishin identifikuar si gra, të paktën deri në atë moment. Sipas saj, kishte mjaft gra brenda lëvizjes gjatë asaj kohe, por tregoi për prirjen e vazhdueshme që burrat të merrnin kontrollë përmes pozitave të spikatura dhe autoritative. Një moment i rëndësishëm i epifanisë rreth angazhimit të saj në QESh ishte kur u takua me dy vajza të reja që iu prezantuan si panseksuale*. E intriguar, ajo u përpoq të kuptonte këndvështrimin e tyre, duke u thelluar në nuancat e identitetit të tyre. Ky takim shënoi një pikë kthese për Myrveten, pasi ajo u ndje se misioni i saj brenda QESh-it kishte përfunduar dhe ishte koha për t’ia kaluar pozitën udhëheqëse brezit të ri. Ajo është e mendimit se edhe aktivistët me vite të gjata përvojë në këtë fushë, duhet të heqin dorë nga pozitat për t’i lehtësuar zërat dhe perspektivat e reja brenda lëvizjes.

QESh funksionoi deri në vitin 2017, ku pas largimit të Myrvetës për në Suedi në vitin 2015, bordi bashkë me stafin e organizatës kishin vendosur që organizata të mbyllet për shkak të mungesës të kapaciteteve për me siguru fonde të reja dhe në mungesë të personelit.

Kqyre edhe qito

Myrvetja vazhdoi rrugëtimin e saj jetësor në Suedi, ku u pranua në një universitet për vijimin e studimeve në nivelin master. Atje u takua me Cristinën, partneren e saj aktuale, me të cilën jetojnë së bashku në Suedi bashkë me vajzën e tyre tre vjeçare.

Duke reflektuar për zhvendosjen e saj, ajo tha se “ edhe pse unë e kam lanë Kosovën, asniherë nuk e kam lanë Kosovën pse ka qenë e vështirë për mu për me jetu. E di që edhe shumë njerëz tjerë në vitin 2015 kanë kërku azil në baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, sidomos në Francë ama unë nuk jam një prej atynve. Kam ardhë me procedurë tjetër lloji për të ndjekur studimet master. Nuk besoj që kisha kërku ndonjëherë azil, se Kosova veç ka qenë tu përparu në këtë aspekt.” 

Ajo tregoi se si edhe njerëzit veçse kishin filluar të dilnin më tepër hapur nëpër shoqëri dhe familje, dhe se komuniteti gradualisht po bëhej më guximtar dhe i dukshëm. Ajo kujton një person queer që e njihte, që kishte dalë hapur te familja, tek shtëpia e të cilit organizoheshin më lirshëm ndejat për komunitetin.

“Ne i organizuam këto ngjarje prej nevojës, për mungesën e vendeve të përshtatshme. Këto ndeja zakonisht mbaheshin nga ora 19:00 deri në mesnatë.” 

Edhe pse kishte ndodhur që shpesh të dëboheshin nga kafiteritë e ndryshme në Prishtinë, duke u diskriminuar për shkak të identitetit të tyre, me kohë Myrvetja tregoi që kishte vende ku ndiheshin të mirëseseardhur, si përshembull lokali Rings në qendër të Prishtinës.

“Na kanë mirëpritë në Rings te policia. Unë edhe ata [shoqëria queer] kemi hongër bukë aty çdo ditë. E kemi pasë një rast kur disa mysafirë tjerë i kanë kërku ‘me ja mshel gojën pederave’, e pronari i Rings i ka kërku mysafirëve m’u largu prej hapësirës,” tregoi ajo. 

Mirëpo ajo e thekson sa e lumtur është sot që Prishtina e ka Bubble, një bar të dedikuar për komunitetin, ku njerëzit queer mund të shkojnë të ndihen të sigurtë nga ngacmimet. Për të është poashtu e rëndësishmë që ka më tepër fokus në lëvizje edhe sa iu përket të drejtave të transgjinorëve, dhe për këtë gjë i falenderon aktivistët transgjinorë Lend Mustafën dhe Blert Morinën.

Myrvetja e vlerëson zhvillimin e lëvizjes LGBTQ+ në Kosovë, duke pranuar se organizatat e ndryshme mund të ndryshojnë në qasjet e tyre, por ky diversitet ishte përfundimisht i dobishëm për komunitetin. Megjithatë, sipas saj të drejtat e grave queer janë akoma të papërfshira dhe se ka nevojë të punohet më tepër në këtë aspekt. Ajo mendon se gratë queer janë të përfshira në lëvizje në një mënyrë më të tërthortë, nëpërmjet lëvizjes feministe, mirëpo do të dëshironte shumë që përfshirja e tyre të ishte më e hapur dhe direkte, dhe uron që e ardhmja në Kosovë të sjellë një organizatë feministe queer.

Ajo gjthashtu dëshiron që partitë politike në Kosovë që mbahen si majtiste, të reflektojnë rreth standardeve të dyfishta me të cilat luajnë sa iu përket të drejtave njerëzore dhe çështjeve të tjera.

“Ne kemi një parti politike (Vetëvendosjen) që e quan veten të majtë, por mrena ka persona me ideologji ekstreme islamike. Ajo parti duhet të shqyrtojë qëndrimet e veta dhe të deshifrojë se çfarë nënkupton me të vërtetë e majta,” shtoi Myrvetja e cila mendon se partitë politike të Kosovës janë të shtyra kryesisht nga ndjekja e pushtetit nën slloganin “Kosova Republikë” dhe jo nga ideologjia. 

Ajo tregoi se si në vitin 2015, kur është organizuar marshi për nder të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë, Presidentit të asaj kohe, Hashim Thaçit, i cili kishte shkuar në marsh dhe kishte dashur të ecte në rend të parë, i kishte thënë që më mirë do ishte sikur të ecte prapa aktivistëve, sepse ishin aktivistët që duhej të ecnin në rend të parë duke marrë parasysh se ata e kishin bërë të mundur paradën.

Myrvetja ka qëndrim të rreptë as i përket edhe Kryesministrit të sotëm, duke thënë se “në vitin e fundit, i sheh fotot e paradës, edhe del Albin Kurti në rend të parë tu e mbajtë flamurin. Nuk ka bo kurgjo për këtë flamur. Duhet me kallxu vetën për me dalë në rend të parë. Në parlament nuk po vi unë me dalë në rend të parë. Nëse nuk na përkrahë parimet tona, nuk na duhet përfaqësimi yt. Duhet me e çu përpara ligjin për martesa. Nuk ka kohë për me festu me komunitetin.” 

Përpos përkrahjes që shteti duhet ta dhurojë, ajo e thekson sa e rëndësishme është që edhe personat brenda komunitetit ta përkrahin njëri-tjetrin në fuqizim dhe dukshmëri. Sipas saj, dalja hapur është një proces i vazhdueshëm, dhe në të luajnë rol elemente të ndryshme si faktori ekonomik, pjekuria emocionale dhe ajo intelektuale.

Ajo e sheh të dobishëm distancimin e nevojshëm ndonjëherë nga familja biologjike e cila krijon trysni dhe nuk ofron pranim, dhe inkurajon personat queer që të përqafojnë familjet alternative që i mirëpresin dhe i mbështesin, pavarësisht nëse ato familje përbëhen nga anëtarë të komunitetit ose jo. Ajo beson se pavarësisht sfidave, komuniteti queer është i fortë dhe e di mirë si duhet ta rimarrë veten. 

Aktivizmin e saj, Myrvetja e vazhdoi edhe në Suedi përmes angazhimit në bordin e Malmo Pride* dhe në organizatën rajonale për mbështetje psikologjike, RFSL Rådgivningen Skåne. Tani punon si kordinatore kundër dhunës në familje në një komunë në Suedi. 

Myrvete Bajrami do të njihet gjithmonë si një aktiviste e shquar me rol të rëndësishëm në lëvizjen queer, e njohur për kontributet e saj gjatë një periudhe kur çështjet queer kanë qenë “taboo” dhe të stigmatizuara në vendin tonë. Vështrimet e shpalosura të Myrvetes hedhin dritë mbi zhvillimin e lëvizjes queer dhe sfidat me të cilat përballej komuniteti në një përiudhë të rëndësishme në Kosovë.

* Panseksualiteti është një terheqje seksuale, romantike, ose emocionale ndaj njerëzve të të gjitha gjinive, pavarësisht gjinisë ose identitetit të tyre gjinor.
* Malmö Pride është festival vjetor i Krenarisë që mbahet në Suedi. Ky festival fokusohet në të drejtat e komunitetit LGBTQIA+ përmes kulturës dhe edukimit. 

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top