Tu e lexu qitash
Rrëfimet e Igballe Rogovës përballë patriarkatit, homofobisë dhe nacionalizmit.

Rrëfimet e Igballe Rogovës përballë patriarkatit, homofobisë dhe nacionalizmit.

Prishtina njihet për frymën e rezistencave politike, për rrugët dhe sheshet e mbushura me njerëz sfidues të cilët me vendosmëri refuzojnë t’i binden pushtetit. Tash, vit pas viti, që 7 vite me radhë, personat queer marshojnë në Paradën e Krenarisë duke brohoritur për të drejtat e tyre dhe duke festuar çlirimin nga pritshmëritë heteronormative. Megjithatë, në një epokë të shkuar, në vitet e 90-ta, kauza kryesore në vend ishte lufta kundër shtypjes  bazuar në identitetin kombëtar dhe rrugët mbusheshin për ta kundërshtuar regjimin anti-shqiptar të Sllobodan Millosheviçit, presidentit të atëhershëm të Serbisë, dhe për ta mbrojtur identitetin kombëtar.

Peizazhi politik dhe lufta e pandërprerë për liri dhe pavarësi kufizoi mundësitë për të sfiduar në mënyrë publike format e tjera të shtypjes. Mirëpo, rezistencat e guxishme, të zëshme, e ndonjëherë edhe të rrezikuara, ekzistonin. Njerëzit prapa këtyre organizimeve gjithashtu. Një nga to është Igballe Rogova, një grua aktiviste feministe  queer, e angazhuar për drejtësi shoqërore që nga vitet e 90-ta. Një figurë publike e cila thjesht duke qenë vetja pa kompromis, ndihmoi shumë gjenerata queer të kuptojnë se nuk janë vetëm në Kosovë dhe i ndihmoi në krijimin e ndjenjës të përkatësisë.  

Në artikullin e parë në “Kronika të Rezistencës Queer”, Dylberizm shpalosi rrëfimin e Qerkicës dhe Mustafës, të cilët, në vitet e 90-ta, bashkuan burrat gej dhe gratë transgjinore. Në këtë artikull, me Igon, thellohemi në perspektivën e grave queer dhe organizimeve të tyre brenda lëvizjes.

Njohja e vetes dhe fillet e aktivizmit të Igballe Rogovës

Te Qafa e Prishtinës, Igon e gjetëm duke na pritur në zyrën e saj, te Rrjeti i Grave të Kosovës të cilën e drejton tash e 23 vjet. Librat, vlerësimet dhe deklaratat e shumta që vareshin në mur, dëshmonin përkushtimin e saj të palëkundur për kauzën e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut.

Takimi me Igon ishte një privilegj për ne, pasi ajo në mendjet tona, që kur ishim fëmijë, ishte ndër figurat e vetme publike queer. Ndonjëherë, daljet e saj në televizion ndiznin diskutime brenda familjeve kosovare në lidhje me çështjet e seksualitetit. Forca dhe imazhi i gruas së fortë që ajo reflektonte, nuk është se iu pëlqente gjithmonë njerëzve, të cilët ndiheshin të kërcënuar nga guximi i saj për të qenë vetvetja. Por pavarësisht reagimeve të njerëzve, ekzistenca dhe rezistenca e Igos sfidoi shumë mendje të mbyllura të bashkëkombasëve tonë. Ndërkaq për komunitetin queer, të rinj e të vjetër, brenda apo jashtë dollapit – Igo në atë kohë reflektoi një të vërtetë të nevojshme – njerëzit queer nuk ishim vetëm. Gjatë bisedës me të na dha një vështrim të detajuar e të ndjeshëm të jetës së saj, duke vënë në pah sfidat me të cilat iu desh të përballej me botën jashtë dhe forcës që gjithmonë e kërkoi dhe e gjeti brenda vetes. 

Mirëpo fillimet e njohjes së vetes dhe pranimit se diçka është më ndryshe te ajo në krahasim me shumicën dërrmuese, nuk kishin qenë të lehta për të. Të rriteshe në Kosovë në vitet e 60-ta, 70-ta e 80-ta ka qenë sfiduese për shumë arsye, dhe sigurisht që ka qenë thuajse e pamundur të rrethoheshe me persona hapurazi queer shqiptarë. Kështu që Igo për vite me radhë ia kishe mohuar vetes mendimet dhe ndjenjat romantike që i ndjente për gratë e tjera. Gjatë viteve të rinisë kishte tentuar disa herë të krijonte lidhje me djem, mirëpo ata asnjëherë nuk i zgjonin ndonjë ndjenjë të veçantë.

Ndërkaq, ndjenjat e saj për gratë i kishte mbajtur të fshehura dhe të shtypura për shumë vite dhe nuk i kishte folur me askënd, ndonëse kishte persona në familje me të cilët ndihej e lirë të diskutonte për plot gjëra.

Pas një kohe, Igo i lexon disa libra rreth lëvizjes së grave në rajonin e Ballkanit, të autores lezbike Julie Mertus – studiuese amerikane në Universitetin e Harvardit. Julie, e cila jetonte në Beograd atë kohë, vjen për vizitë në vitin 1994 në Prishtinë për të takuar politikanë dhe aktivistë nga Kosova. Në këtë takim ishin të ftuara edhe përfaqësueset e Shoqatës për Arsimimin e Femrës “Motrat Qiriazi”, të cilën Igo dhe motra e saj Safete Rogova e themeluan në vitin 1989

Atëkohë Igo ishte duke jetuar në lagjen Taslixhe me një mikeshë të mirë të vetën e cila kishte një djalë të vogël. Kur i pa Julie Mertus, në mendjen e saj hamendësoi se Igo ishte çift me mikeshën e vet dhe se këto të dyja po bashkëjetonin. Por ama nuk iu tha asgjë. Julie iu foli për lëvizjen e “Grave në të Zeza”, një kolektiv i grave feministe serbe dhe iu tregoi se ato çdo të mërkure po protestonin në Beograd kundër regjimit të Millosheviçit. Igo kur e dëgjoi këtë, nuk iu besoi veshëve të vet, sepse njëkohësisht, në Kosovë milicia serbe ushtronte vazhdimisht abuzim dhe dhunë ndaj kosovarëve. Kështu Julie e ftoi Igon të shkonte bashkë me të në Beograd e ta dëshmonte këtë me sytë e vet.

Në këtë rrugëtim për në Beograd, për të zgjeruar kuptimin e saj rreth luftës për të drejtat e njeriut,  Igo pa e ditur, ishte nisur të sfidohej nga rrethanat që ta zgjeronte edhe identitetin e vet. 

Rrugës, autobusit i shpërthehet goma dhe detyrohen të ndalen derisa të rregullohet. Gjatë kësaj kohe të pritjes, Julie dhe Igo fillojnë të thellohen më shumë në muhabet. Julie fillon e i flet për parteren e saj, dhe Igo befasohet, pasi nuk e kishte pritur ta dëgjontë atë gjë. Për të, Julie ishte personi i parë me të cilën u ndje rehat ta diskutonte seksualitetin e saj që e kishte mbajtur kaq gjatë shtypur. Julie ishte habitur sepse kishte menduar se Igo ishte në lidhje romantike më mikeshën me të cilën bashkëjetonte, por doli të jetë krejt ndryshe. E gjithë kjo situatë e shtyen Julien që me të mbërritur në Beograd ta organizojë një ndejë me gra queer dhe aktiviste. Aty planifikohej të takoheshin gratë të cilat protestonin në Beograd e që ishin në solidaritet me gratë shqiptare dhe e kundërshtonin shtypjen në Kosovë, të njohura si “Gratë në të Zeza”. Gjatë këtij qëndrimi në Beograd, Igo e dëshmon për herë të parë rezistencën e “Grave në të Zeza” gjatë një protesteje.

“Ka qenë shokuse për mu me pa një grup t’grave serbe që dalin e protestojnë kundër Millosheviçit. Kurrë s’e harroj atë ndjenjë. Unë rrisha anash, ato ishin rreth edhe kishin pankarta të ndryshme, qëndronin një orë pa za e pa lëvizë”, na tregoi Igo.

Gjatë kohës sa gratë ishin në protestë, kishte plot njerëz që kalonin aty pari, e që i shikonin shtrembër por pastaj shkonin. Kishte disa të tjerë që ishin radikalë e nacionalistë të ngarkuar që ndaleshin e i shanin gratë. Mirëpo gratë qëndronin ashtu palëvizur, pa iu thënë asgjë mbrapsht. Njëra nga gratë që i kishte bërë më së shumti përshtypjë Igos për shkak të qëndrimit të saj ishte Lepa Mladjenovic. Gjatë asaj proteste, një burrë radikal iu kishte afruar Lepës, kishte filluar ta shante keq dhe pastaj e kishte pështyrë në fytyrë. Lepa nuk kishte reaguar fare, nuk kishte lëvizur as hiç, ndërkohë që pështyma i rridhte ngadalë nëpër fytyrë. Igos i kishte lënë shumë mbresa ky qëndrim dhe pas protestes iu kishte afruar Lepës dhe e kishte pyetur pse nuk kishte reaguar fare, as për ta nxjerrë një faculetë që ta pastronte fytyrën?

Ndërsa Lepa i kishte thënë se në qoftë se ajo do të reagonte ai burrë do t’i kishte bërë edhe diçka më shumë ndoshta, sepse do e kishte vërejtur që ajo po e vëren atë; mirëpo nëpërmjet injorimit, ajo ia bëri të ditur atij që as nuk po e sheh, sepse ai për të nuk ekziston. 

Ndërsa po atë natë, në ndejën e organizuar nga Julie, u bashkangjit edhe Lepa, e cila ishte shumë e gëzuar që aty kishte ardhur dikush nga Prishtina. Igo aty u takua me shumë gra të tjera me të cilat u ndje vetvetja dhe ajo natë mbetet e rëndësishme në kujtesën e saj, si nata që doli hapur para vetes fillimisht, e pastaj edhe para të tjerëve. Tutje, Igo dhe Lepa formuan një shoqëri motërore, duke i ndihmuar e duke iu gjendur njëra tjetrës, shoqëri e cila zgjati me vite të tëra.

Kur u kthye në Prishtinë, Igo pranonte vazhdimisht sugjerime librash dhe revistash nga Lepa e cila ishte psikologe me profesion dhe dëshironte t’i ndihmonte Igos t’i kapërcente vitet e ndjenjave të ndrydhura. Igo pastaj kishte vendosur të bisedonte me motrën e vet rreth krejt përvojave dhe përjetimeve që i kishin ndodhur së fundmi, dhe motra e saj fatmirësisht nuk kishte pasur ndonjë reagim negativ. Pas një kohe, Igo e lexon një artikull në një revistë, të shkruar nga një britanike me emrin Rachel Wareham. Igos i lë mjaft përshtypje thellësia dhe pjekuria e Rachelit në shkrim, dhe me vete hamendëson se ajo duhet të jetë ndonjë grua  në moshë të shtyer. Mirëpo Lepa i tregon se Rachel banon në Zagreb dhe do të vijë në Beograd për shkak se në atë kohë organizohej një konferencë ndërkombëtare. 

Kur në Beograd bëheshin planfikimet për konfrencën ndërkombëtare për fuqizimin e grave, Bejing Conference, Igo e takoi Rachelin e cila në fakt ishte një grua e re. Aty u ndez një shkëndijë dashurie në mes të dyjave që i çoi të krijonin një lidhje dashurie. Fillimisht, për një vit mbajtën lidhje në distancë, mandej vendosën të jetonin së bashku në Prishtinë.

Gjatë asaj kohe, Igo na tregoi se për shkak të regjimit të atij vakti i cili nuk lejonte ndërkombëtarët të qëndronin në Kosovë për të parë situatën politike nga afër, Rachelit i është dashur të shkonte disa herë në Beograd për t’u regjistruar kinse jetonte atje e jo në Prishtinë. 

Lidhja e tyre u forcua dhe përvojat e tyre të përbashkëta në luftën për të drejtat e njeriut i afruan edhe më shumë. Rachel e ndihmoi shumë shoqatën “Motrat Qiriazi” për të krijuar kontakte me lëvizje të grave në rajon dhe në botë, si dhe me fondacione të ndryshme si Mamma Cash në Holandë, e Global Fund for Women në Amerikë.

Duke iu dalluar një respekt i thellë në zë, Igo na tha se “Rachel ka qenë ni pjesë shumë e randsishme e shoqatës, por dhe natyrisht edhe në marrëdhënien që kemi pas bashkë. Nji person shumë i dashur në familjen time. Shumë, shumë.” 

Igo vazhdoi te marrë pjesë në çdo konferencë ndërkombëtare të “Grave në të Zeza” që mbahej çdo vit në Vojvodinë. Në atë kohë, Vojvodina konsiderohej si një rajon jashtë kontrollit të Millosheviçit dhe u bë pikë qendrore për shumë aktivistë për t’u mbledhur e për të organizuar konferenca. Këto tubime, Igo filloi t’i ndiqte fillimisht vetëm, por shpejt iu bashkuan shumë gra nga Kosova, kolege aktiviste. Njëherë në një konferencë të tillë morën pjesë rreth 200 gra nga pjesë të ndryshme të botës. Në programin e konferencave vendoseshin edhe tema që kishin të bëjnë me lezbiket, dhe aty kishte edhe grupe punuese që takoheshin dhe diskutonin. 

Në vitin 1996, shoqja e tyre Lepa sugjeroi që ta kremtojnë lidhjen dhe dashurinë e Igos me Rachelin si pjesë të programit. Ajo dëshironte që ky kremtim të ishte tamam në formë të një ceremonie dasmore, me adete e këngë e valle, por sigurisht jo një martesë zyrtare pasi që diçka e tillë as nuk ishte ligjërisht e mundur.

“U bo ni dasëm e paharrueshme. Ekipi nga Kosova organizon krejt adetet tona, unë edhe Rachel s’dishim gjo. Lepa me ekipet tjera e organizun programin. Lepa e udhëheqte gjithë atë mbramje edhe krejt kombet që ishin aty bojshin diçka në mënyrën e tyre. Përshembull, s’e harroj, disa na hypën në dy karrige edhe na shëtitën n’krejt atë venin. E kosovaret na knun kangë t’Kosovës. Ni mramje që unë edhe Rachel hala e kena kshtu për qejf, e kena ni kunorzim të dashurisë tonë. Ajo u bo diçka boom në rajon. Hera e parë”, tregonte Igo me entuziazëm.

Edhe pse pjesëmarrëset ishin marrë vesh që të mos shënohen emrat e personave aty, dhe të mos bëhej e madhe kjo gjë, ngjarja mori një kthesë tjetër pak më vonë. Kjo sepse në mesin e grave ka qenë edhe njëra nga Serbia e cila ka qenë shumë xheloze dhe ziliqare për këtë kremtim, dhe e kishte ekspozuar këtë ceremoni duke shtuar edhe trillime në një grup në internet të asaj kohe të quajtur Za Mir/For Peace (Për paqe).

Për këtë ekspozim, mori vesh edhe mediumi kosovar “Koha” që atëherë dilte si revistë mujore në Kosovë. Igo na tregoi se revista kishte tre drejtues, dy prej tyre ishin edhe shokë të Igos, e kontaktuan atë dhe i dhanë urimet e tyre. Igo me mirëbesim, duke menduar se po bisedonte me miq të saj, iu tha “faleminderit” uratave të tyre, dhe me këtë “faleminderit” ata e konfirmuan vërtetësinë e ngjarjes së ceremonisë martesore.

Ata e kishin pyetur Igon nëse mund ta botojnë tekstin, por kjo nuk iu dha leje dhe iu kishte thënë të mos e bëjnë atë gjë pasi që ishte çështje private. 

Pastaj Igo dhe Rachel kishin shkuar në muajin e tyre të mjaltit në bregdet mirëpo me t’u kthyer në Prishtinë ato vërejtën që ishte një energji më ndryshe që po i rrethonte dhe rrugëve njerëzit po iu jepnin shikime të shumta, jo të mira.

Kur hynë në shtëpinë e tyre, fill iu erdhi për vizitë e zonja e shtëpisë, duke i pyetur pse ishte e nevojshme ta bënin publike lidhjen! Igo dhe Rachel nuk e dinin për çka e kishte fjalën e zonja e shtëpisë, dhe kështu ajo u çua e ua solli revistën “Koha”.

Me titullin “Femra e parë martohet me një femër” në faqe të parë të revistës, “Koha” e kishte publikuar lajmin në faqe të parë të revistës në gusht të vitit 1996. Datën e saktë të këtij publikimi Igo nuk e mban mend, pasi që shumica e dokumenteve dhe fotove të saj ishin shkatërruar e djegur gjatë luftës, përfshirë ato që kanë të bëjnë me shoqatën “Motrat Qiriazi”.

E mllefosur, Igo i kishte telefonuar personat që kishte menduar se i kishte shokë që punonin në “Koha” dhe e kishte prishur shoqërinë me ta, duke i akuzuar si njerëz që ia kishin ngulur thikën pas shpine, duke bërë publike një aspekt kaq të ndjeshëm të jetës së saj vetëm për të shitur kopje të revistës.

Ky ekspozim pa leje, ekspozim i dhunshëm i jetës private të Igos dhe Rachelit pati pasoja në jetën e tyre dhe në komunitetin e njerëzve që i rrethonte. Çështja e tyre private tashmë ishte e njohur dhe publike. Përshpëritjet e njerëzve dhe shikimet vazhdonin. 

Igo u godit edhe emocionalisht nga kjo tradhti, pasi që ajo nuk kishte pasur mundësi ta diskutonte këtë gjë siç do të dëshironte vetë me familjen e saj, me shoqërinë e saj, me njerëzit e saj. Të drejtën të flasë vetë për jetën e saj, që i takonte vetëm asaj, ia morën dhunshëm shoqëria dhe ia keqpërdorën mirëbesimin. Atëherë ajo u mbyll në vete dhe u izolua nga të gjithë. E ndau mendjen të mos jetonte në Kosovë dhe të ikte nga këtu.

Pas dy javësh izolim, Igo ftohet nga motra e saj Safete Rogova dhe vajza e saj Iliriana për darkë në “Hanin e Robertëve” – atëkohë vendtakim i gazetarëve, politikanëve, vizitave të delegacioneve të huaja dhe artistëve. Safetja është ndër aktoret e para gra në Kosovë dhe poashtu aktiviste për të drejtat e grave. “Hani i Robertit” ishte shndërruar në qendër aktiviteti dhe organizimi për ngjarje, aktivizëm dhe ekspozita të ndryshme. Ishte pothuajse si një ambasadë apo një ndërtesë qeveritare, pasi aty mbaheshin mbledhje të shumta. Me vendodhje të fshehtë në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ishte një vend që kërkonte zbritjen e shkallëve të për të hyrë. Igo na tregoi më në detaje për këtë moment të daljes dhe përballjes së saj me personat të cilët i kishte konsideruar shokë. 

“Vjen Safetja, thotë ‘vishuni ju dyja’. Unë veç tu bo plan me dal bile as s’disha ku. ‘Vishuni kena me shku n’darkë’. Ku moj n’darkë? ‘Te Hani i Robertëve’. Ik more, thash. Edhe ajo m’i tha dy fjalë, dy këshilla që mu ma ndrrun jetën. Tha: e para, s’ki nevojë ti m’u mbrojt, ti je kush je, e ke përkrahjen edhe s’ka nevojë ti m’u mërzit çka mendojnë tjerët. E dyta, tha: çohu edhe dil edhe nëse ta bon dikush naj pytje, thuj ‘po more’ edhe tregoj qysh p’e ndin veten”, tregoi Igo e cila theksoi se këto fjalë e kishin ndihmuar shumë të kthjellohej e të gjente forcën dhe krenarinë brenda vetes.

Të gjithë kishin mbetur gojëhapur kur i kishin parë Igon dhe Rachelin atë natë duke zbritur shkallët për të hyrë në “Hanin e Robertëve”. Dhe fakti se Igo ishte e shoqëruar nga familjarë të saj, shërbeu si sinjalizim që ajo e ka përkrahjen e familjes, dhe kjo përçonte një mesazh të fortë tek njerëzit se Igo nuk ishte vetëm dhe se ishte e pranuar. Për këtë Igo na tha që ajo uron që populli jonë të vetëdijësohet sa më parë që t’i pranojë e mbështesë personat queer brenda familjes, sepse sipas saj familja është mbështetja më e madhe, është shtylla.

Dhe prej atëherë, kur Igo takonte dikë në rrugë ose kudo, që fillonte t’i fliste për artikullin në revistën “Koha”, akoma pa e përfunduar personi atë që kishte për të thënë, Igo i kthehej:  Po, jom lezbike edhe jom shumë e lumtur. Kështu, ajo ua mbyllte gojën të gjithëve duke ua bërë me dije se është krenare për atë që është dhe nuk ka ndërmend të fshihet e të ndjejë turp.

Mirëpo në të njëjtin vit, ajo ballafaqohet edhe një herë me mungesën e profesionalizimit të mediave. Këtë radhë sulmohet nga “Gazeta Bujku”, mirëpo çka mbetet e njejtë është që sërish tradhtohet nga një shoqe me profesión gazetare. 

Atëkohë, me shoqatën “Motrat Qiriazi”, Igo me gratë që punonin, shkonin në Has tri herë në javë për t’i mësuar gratë hasjane rreth edukimit shëndetësor mes tjerash. Mirëpo Igo na tha se për të gjithmonë ka qenë e rëndësishme që në aktivizëm dhe feminizëm t’i përfshinte edhe burrat, pasi që edhe ata janë të rëndësishëm në sfidën për drejtësi e barazi. Kështu ajo, pas takimeve që kishte me gratë në Has, gjithmonë shkonte fliste e takohej edhe me burrat.

Mirëpo gazeta Bujku trilloi një skandal, duke shkruar se “kur Igballe Rogova shkon në Has, ua prek gjinjtë grave.” Kryeredaktori i kësaj gazete, lejoi këtë shkrim të botohej. Menjëherë pas këtij botimi, Igo pranon një telefonatë nga burrat e Hasit të cilët i thonë se janë rrugës duke ardhur në Prishtinë dhe se do të donin që ajo t’i takonte me Kryeredaktorin e gazetes Bujku.

Igo, duke e ndjerë e zhgënjyer dhe e tradhtuar për së dyti nga shokët e saj, tani ndihej edhe e frikësuar për progresin e punës së saj në Has dhe takimin me burrat hasjanë. Megjithatë, duke i ndjerë tërë këto ndjenja të përziera, bashkë me motrën e vet Safeten, doli i priti burrat hasjanë, dhe shkuan ne redaksine e Bujkut..

“Shkum te Kryeredaktori, ai tha ‘Jo s’skom kohë.’ ‘Jo ki kohë’ -i thanë hasjanët. Hinë mrena, i thanë atij, ‘kush je ti me na tregu çka bon Igballe Rogova n’Has? Mos ke ardhë naj herë me pa? Kush je ti?’ E qesin letrën mi tavolinë, ‘Botojeni këtë letrën tonë!’ Deklaratën e tyre ndaj këtij sulmi ndaj meje nuk e kanë botu asnjëherë”, tregoi Igo, e cila edhe pas këtij sulmi e tentimi për prishje të reputacionit e kishte vazhduar punën e saj në Has.

Takimet për diskutime dhe organizimet e festave për gratë queer në vitet e 90-ta

Atëkohë, nga një grup i njerezve injorantë, Igo etiketohej si tradhtare, për shkak të aktivizmit të saj me “Gratë në të Zeza” në Beograd, dhe si e njollosur për shkak të seksualitetit të saj.

Mirëpo pavarësisht këtyre sfidave, ajo dhe ish partnerja e saj Rachel qëndruan të forta, të përkushtuara ndaj njëra-tjetrës dhe kauzës së tyre. Dashuria nuk mungonte dhe ato vazhduan të luftonin për të drejtat e grave dhe krijimin e hapësirave të sigurta për komunitetin queer, duke mos lejuar që vëmendja e publikut t’i largonte nga misioni i tyre.

Deri para këtyre sulmeve, Igo dhe Rachel, organizonin takime dhe mbledhi për gratë queer në banesën e tyre ku diskutonin për tema të ndryshme dhe ndanin me njëra-tjetrën përvoja e halle. Duke e ndjerë sa e nevojshme ishte kjo për komunitetin e grave queer, ato filluan që një herë në muaj t’i organizonin këto mbledhi, ku edhe festonin dhe kremtonin së bashku. 

“Unë njifna prej gjeneratës time si personi që kom organizu party, se e kom pas edhe hoby DJ-ing, edhe jom e pasionuar pas vallëzimit dhe festave. Bojshim party, po mandej edhe diskutonim, ose fillimisht diskutonim mandej festonim. Qashtu fillun shumë veta me më tregu për veten e tyre, shumë veta u lidhën aty, n’ato takime. Pastaj fillum gjejshim filma me përmbajtje që kish t’bëjë ma shumë me lezbiket, edhe i lshojshim filmat aty. Kqyre gjenerata jonë ka ditë serbisht, edhe ishin titrat serbisht, edhe e kuptonim filmin”, na rrëfeu Igo.

Kjo zgjati për një vit radhazi, deri kur ndodhën sulmet gazetareske. Pas sulmeve për një kohë nuk u organizua asgjë, dhe gratë nuk iu shkonin më në banesë nga frika e ekspozimit. Ndërsa gradualisht situata u qetësua, takimet rifilluan në apartmentin e Igos dhe Rachelit. Me gjithë sfidat në vitet 1996-1999, gratë queer vazhduan  të takoheshim dhe të organizoheshim, duke u mbledhur shpesh edhe tek shtëpia e Mustafës, pasi Igo ishte rritur me të në të njëjtën mahallë dhe kishin një lidhje të veçantë. 

Në vitin 1999, filluan bombardimet e luftës në Kosovë. Lufta në mes të tragjedive të shumta, çoi edhe në shpërngulje të popullatës dhe shpartallim të komuniteteve veçse ekzistuese. Pas luftës, Igo u përball me vështirësi në rigrupim dhe rilidhje të komunitetit. Poashtu iu desh ta përjetonte edhe ndarjen me Rachel, gjë që nuk ishte aspak e lehtë. Mirëpo Igo na tregoi që ajo dhe Rachel mbeten akoma mikesha shumë të mira. Bile Rachel dhe partnerja aktuale e Igos, Nicole, kanë një relacion shoqëror tepër të mirë.

Ato që Igo i vajton në fakt janë disa nga gratë e tjera të grupit, të cilat për fat të keq, të ndikuara nga rrethanat, mentaliteti dhe pritshmëritë shoqërore, përfunduan duke u martuar me burra. Por pati disa të tjera të cilat dolën të jetojnë jashtë Kosovës, pasi që kjo ishte mundësia e vetme të jetojnë të lira si lezbike.

Lëvzja queer pas luftës në Kosovë

E sa i përket lëvizjes queer pas luftës në Kosovë, ajo mori një shtrirje më perëndimore, me përfshirjen dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Bashkëpunimi me ndërkombëtarët, veçanërisht krijimi i uebfaqes GayKosova, ku shkruhej për njerëzit queer, çoi përqendrimin në histori dhe përvoja ndërkombëtare. Igo na tha se ishte mjaft kritike për kahjen e kësaj fryme perëndimore që po merrte lëvizja queer.

Kqyre edhe qito

“Thojsha t’i nxjerrnin figura tona, i kemi na figurat tona, nuk e mendojsha veten, po figurat tona që njifeshin me shkrime që kanë qenë queer”, u shpreh Igo me shqetësim për humbjen e identitetit kosovar brenda lëvizjes në atë kohë.

Ajo theksoi se është e rëndësishme të arrihet një ekuilibër ndërmjet ndikimit ndërkombëtar dhe ruajtjes së autenticitetit kosovar në mënyrë që lëvizja të bëhet më përfaqësuese me kontekst lokal. Igo përveç angazhimit në lëvizjen e grave tentoi disa herë të kontribuonte në lëvizjen queer në aspektet të cilat i shihte ajo të rëndësishme. Fokusi i saj ishte më shumë te puna me mbështetësit dhe familjarët. Ajo u bë pjesë e një grupi këshilldhënës ku ishin shumë persona nga mediet, shoqëria civile dhe akademia.

Më vonë ky grup dalëngadalë shpërbëhet për shkak se organizata dhe iniciativa të reja queer po vinin dhe nuk e shihnin të rëndësishme vazhdimin e tij, ndonëse Igo insistonte që të vazhdohej puna e këtij grupi, pasi ajo e dinte mirë rëndësinë e mbështetjes nga familja dhe si kishte ndikuar për të kjo mbështetje. Ajo e sheh punën me familjen si një nga zgjidhjet që rinia queer të mos kërkojnë me kaq ngulm ta lëshojnë Kosovën si shumë të tjerë që janë detyruar të largohen sa më larg trysnisë së familjes për të jetuar një jetë të dinjitetshme. 

Në vitin 2012, revista Kosovo 2.0 vendosë të publikojë një numër të quajtur SEX, me qëllimin që ta “bazojnë pikëpamjen për seksin mbi idenë se si ai është një aparat politik nëpërmjet të cilit trupat rregullohen, kontrollohen dhe disiplinohen.” Në këtë numër vendosin t’i përfshijnë edhe zërat LGBTQ+. Igo dhe shoqja e saj Lepa ftohen nga Kosovo 2.0 për t’i shkruar një letër njëra-tjetrës, të cilat më pas do të publikoheshin në revistë. 


Letra ime për Igballe Rogova: Shënime për trupat e lezbikeve në shtetet tona të ndryshme hetero kombëtare


Dashuria përtej kufijve: Një letër Lepës, mentores time feministe


Igo e kujtoi natën e promovimit të kësaj reviste, që rezultoi të ishte sulmi më i dhunshëm grupor ndaj çështjeve queer në Kosovën e pasluftës.

“Na shkum atë natë, plot rreth e rrotull janë konë qeta djem fetar radikalë, po s’jon konë krejt fetar. Hymë mrena n’sallë, zërimet tu i bo gati, hala pa fillu, kur t’kanë hi ata me shkopinjë t’bejzbollit, me kapuça, po ftyrat iu vrejshin, nuk osht që s’iu vrejshin. Kuku veç janë hi edhe qaty e kom përdor atë qëndrimin e Lepës, kom nejt midis sallës, qe qashtu kom nejt, midis sallës, as me lëviz, edhe e kom pas qat qëndrimin: po ju injoroj, ju s’jeni këtu për mu. Shkojshin kshtu rreth meje, thu qe s’jom aty, as s’ma kanë mshu as hiç. Veç ja kom bo Lepës: aman dil. Krejt dulën, unë n’sallë. Çka kanë mujt kanë shkatërru. Me zërime, me ato zbukurimet që i kanë bo organizatorët”, rikujton Igo.

Mes trazirave, Igo kishte dalë jashtë për ta thirrur policinë. Pas arritjes me vonesë të policisë, gazi lotsjellës kishte mbushur krejt hapësirën, por ajo qëndroi në këmbë, e palëkundur në vendosmërinë e vet.

Rezistenca e Igos ishte burim frymëzimi për të forcuar kolektivin e pranishëm, ku pas largimit të gazit lotsjellësit vendosën që lansimi i revistës të vazhdonte. Ndërsa incidenti u shpalos në media dhe u bë e ditur se të pranishmit kanë këmbëngulur që të vazhdojnë promovimin e revistës, kishin ardhur edhe më shumë mbështetës, duke i dhënë guxim e përkrahje të gjithë të pranishmëve. Igo e dinte se qëllimi i sulmuesve ishte t’i heshtnin dhe t’i shtypnin zërat e komunitetit dhe aktivistëve queer, prandaj ishte e vendosur që të vazhdohej me ngjarjen promovuese.

“Unë po i lo këta me fitu a? Kurrën e kurrës! Ky osht veni jonë, kena me nejt këtu.” – tha ajo.

Pasi që të gjithë kishin hyrë brenda, ndërkohë Igo kishte pranuar një mesazh kërcënues në celularin e saj, që shkruante“Ti s’e ki vendin këtu”.

E irrituar, ajo ngriti zërin në sallë dhe iu kundërpërgjigj“Jo, unë këtu e kom venin. Kjo osht shpia jeme. Po ti nëse s’e don këtë vend edhe njerzit që jetojnë këtu, ti shko atje në Arabinë Saudite ku të pranojnë”. 

Atë natë, në lajmet e mbrëmjes, mediumi “Koha” e transmeton në televizion këtë reagim të Igos, pa i dhënë kontekstin e duhur për audiencën. Kjo sipas saj, nuk ka pasur nevojë fare të transmetohet pasi që ajo iu ishte drejtuar njerëzve në sallë aty, personit që mund ta kishte shkruar këtë mesazh, dhe ai reagim nuk ishte ndonjë deklaratë për media. Igo u ndje sërish e zhgënjyer, por jo e habitur këtë herë, duke pasur përvojë të hidhur të mëhershme me mediumet kosovare.

Këto ngjarje tmerruese që ndodhën në promovimin e revistës të titulluar “SEX” nga Kosovo 2.0 në dhjetor të vitit 2012, e shqetësuan Igon në lidhje me ndikimin që mund të kishte në pjesëmarrjen në Kuvendin Vjetor të Rrjetit të Grave të Kosovës, që ishte caktuar për të nesërmen. Teksa shkonte drejt vendit ku do mbahej Kuvendi, ajo përjetoi realitetin e hidhur të urrejtjes, duke u pështyrë në rrugë nga disa persona dy-tre herë gjatë udhëtimit të shkurtër prej pesë minutash. 

Pavarësisht frikës dhe ankthit të shkaktuar nga këto veprime të ndyra, Igo u ngushëllua kur pa aq shumë njerëz që kishin ardhur në Kuvendin Vjetor, pjesëmarrje e cila nuk kishte ndodhë më herët të jetë aq e madhe në numër. Mbështetja që dëshmoi e preku thellë dhe u pushtua nga emocionet, lotët i rrodhën nëpër faqe. Prania e individëve të shumtë, të vendosur në solidaritet, e siguroi atë se Rrjeti i Grave të Kosovës nuk kishte qenë kurrë më i bashkuar dhe më solidarë. Të pranishmit u nxitën nga një qëllim i përbashkët i mbështetjes. 

Gjatë Kuvendit, Lepa kishte dalë përpara dhe mbajtur një fjalim emocionues, duke nxjerrë në pah bashkimin dhe forcën përballë fatkeqësive. Fjalët e saj rezonuan thellë me të pranishmit, duke forcuar tutje vendosmërinë e tyre për të qëndruar të palëkundur ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. 

Mirëpo fatkeqësisht, kërcënimet dhe ngacmimet nuk pushuan në rrugë. Edhe në prani të forcave të rendit, armiqësia ndaj Igos vazhdonte. Një ditë një person ia kishte ngjitur një letër “Ti nuk e ke vendin këtu”. Mungesa e sigurisë nga institucionet shtetërore ndikoi që Ambasada Amerikane ta thërriste çdo ditë në telefon në orën 16:00 për t’u siguruar se gjithçka ishte mirë me të. 

Kulmi i gjithë sulmeve kishte qenë një video e cila qarkullonte në YouTube në gjuhë arabe me pamje të Igos dhe Besa Lucit me shënjues të armëve të snajperëve në mes të ballit të tyre. Igo i kishte organizuar të gjithë shoqërinë lokale dhe ndërkombëtare që i njihte që të kërkohej nga YouTube që ta largonte videon. Falë solidaritetit dhe angazhimit të tyre kishin arritur që ta largonin atë video. 

Pavarësisht se Igo ka pas kaq shumë përvoja të hidhura me mediat kosovare, ajo prapë se prapë beson se lëvizja queer në Kosovë tani është duke rrjedhur në një rrymë më të mirë sesa përpara. Ajo e ceku që e vlerëson edhe punën që bën Dylberizm, duke e dokumentuar historinë queer vendase, si dhe duke i sjellur në pah faktet e ekzistencës së personave dhe fenomeneve queer që kanë ekzistuar historikisht ndër vite në shoqërinë tonë.

Ajo ndihet tejet krenare që po rritet numri i kosovarëve që po e përkrahin komunitetin queer, ndihet krenare edhe me organizatat e shoqërisë civile që gjithsesi, në krahasim me ato në rajon, janë më hapurazi përkrahëse të komunitetit queer. Mirëpo çka Igo dëshiron të ketë më tepër është përkrahje e personave queer nga familjarët e tyre.

“Unë prapë them, kom qef me pa ma shumë familje si pjesë e përkrahjes. E di që tash shumë e kanë edhe përkrahjen e familjes, nuk osht sikur përpara, por kom qef që për çdonjërin, për çdonjërën, me pas qat shtyllën e përkrahjes që osht familja”, theksoi ajo.

Ndërsa njerëzve që kundërshtojnë pranimin e personave queer në gjirin familjar, ajo ua drejton këtë këshillë:

“Gjithmonë fëmija yt osht i yti. Cila osht ajo vegla me të cilën ti tash po e ndëshkon dhe po e ndërpren dashninë për fëminë tënd? Cila osht vegla që po ja vnon murin fëmijës tënd?  Dashuria osht pa kushte edhe ti duhesh me tregu qat dashuri, jo mi thon fëmijës: ‘Tash s’po t’du se je ndryshe!’ Pa qat dashuri asnjoni s’ka me qenë i lumtun. As kjo pala e familjes, as personi”.

Igballe Rogova punon si drejtore e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe është një personazh publik që vazhdon të luaj rol kyç në emancipimin dhe edukimin e shoqërisë kosovare. Në sytë e plotë aktivistëve shqiptarë, por edhe në rajon, ajo është frymëzim për të qenë vetvetja dhe model për t’u ndjekur në luftën për barazi dhe drejtësi në shoqërinë njerëzore.

Ajo ishte forcë shtytëse e lëvizjes që nga vitet 1990 e njohur për rezistencën e saj të palëkundur në luftën për barazi dhe çlirim nga prangat e pritshmërive konservatore. Ndikimi i Igos në të drejtat e njeriut do të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe do të vazhdojë të frymëzojë gjenerata të ardhshme në përpjekjet e vazhdueshme për emancipim dhe liri në Kosovë. 

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top