Tu e lexu qitash
Pionerët e çlirimit queer: Rrëfimet e Qerkicës dhe Mustafës

Pionerët e çlirimit queer: Rrëfimet e Qerkicës dhe Mustafës

Paralajmërim: Ky artikull ka përmbajtje të gjuhës fyese dhe përdor terminologji specifike brenda një kuadri kontekstual. Ne e kuptojmë se këto terma mund të jenë nxitëse ose shqetësuese për disa lexues. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se qëllimi i përfshirjes së këtyre termave origjinalë është të ekzaminohet ndikimi i tyre, konteksti historik ose implikimet shoqërore brenda një konteksti specifik. 

Qerkica dhe Mustafa janë padyshim dy nga personalitetet më të rëndësishme të komunitetit queer në Kosovë, të cilët përballë stuhive të paragjykimeve dhe diskriminimit, për dekada me radhë vendosën farat për lulëzimin e lëvizjes queer gjatë një kohe kur të qenit vetja dhe i vërtetë ishte akoma vepër kriminale. Ata njihen për storiet e tyre të pranimit të vetvetes dhe sfidave të cilat i kanë hasur në raport me familjen dhe shoqërinë. 

Qerkica, një grua transgjinore ashkalike dhe Mustafa, një gej shqiptar i verbër që nga viti 1977 dhe gjysëm i paralizuar në vitin 2003, jetojnë në një lagje pak kilometra larg zhurmës dhe turmave të Prishtinës. Për të mësuar më shumë rreth historive dhe jetës së tyre, ekipi i Dylberizm ka takuar Qerkicën dhe Mustafën të cilët na ftuan në shtëpinë e tyre.

Me të mbërritur, Qerkica doli të na priste në prag të derës së oborrit, ndërsa Mustafën e gjetëm të ulur e të buzëqeshur në një cep të dhomës. Nëpërmjet bisedave tona, mësuam rrëfimet e rezistencës së tyre për ti sfiduar rrethanat dhe normat shoqërore, si dhe rrëfimet për hapësirat pranuese të cilat i kishin krijuar dikur brenda një bote që tentonte t’i mbyllë në heshtje.

Ata ndanë me ne lloj-lloj ngjarjesh të cilat iu kishin ndodhur përgjatë këtyre tridhjetë viteve që njiheshin. Ndër të tjera, na treguan për vendbanimin e tyre në qendër të Prishtinës, e cila kishte qenë shtëpia e Mustafës e që shërbeu si një pikë takimi dhe strehimi për personat queer gjatë viteve të 90-ta, pra gjatë kohës kur homoseksualiteti ishte ende i jashtëligjshëm në Kosovë*. 

Qerkica, sa ishte akoma adoleshente, në moshën 13 vjeçare, ishte larguar nga familja e cila nuk po e pranonte për identitetin e saj dhe kishte gjetur strehim në këtë shtëpi bashkë me tri gra të tjera transgjinore, dy nga komuniteti ashkali dhe një nga komuniteti rom. Aty u njoh me Mustafën ku dhe filloi kjo lidhshmëri dhe shoqëri e gjatë e tyre. Më pas, shtëpia filloi të vizitohej dhe frekuentohej edhe nga njerëz të tjerë queer. 

Qerkica shikon fotografi të saj me nostalgji. Dylberizm, 2023.

Ajo shtëpi kishte funksionuar e tillë për tri vite radhazi. Sigurisht që për personat queer që frekuentonin shtëpinë ishte rrezik nëse kapeshin nga autoritetet e asaj kohe, por ky fakt nuk ia ndali hovin Mustafës i cili numrin e telefonit të kësaj shtëpie ishte dakorduar ta përhapte edhe përtej Kosovës. 

Mustafa, i cili pseudonimin asokohe e kishte Milena, na tregoi që një ditë një person që kishte marrë vesh për të dhe shtëpinë, e kishte telefonuar nga Beogradi, duke i kërkuar leje që t’ia shpërndajë numrin e telefonit te krejt gejat që njihte në Jugosllavi. Mustafa ishte pajtuar, dhe Qerkica duke qeshur na tha që “telefoni i Mustafës nuk u ndalke kurrë”

Mirëpo ata na treguan që gjatë asaj kohe, policia kishte shkuar shpesh tek ajo shtëpi, por për fat të mirë asnjëherë nuk i kanë kapur duke bërë diçka për të cilën mund t’i akuzonin, por thjesht duke ngrënë darkë apo duke pirë kafe. Këto ishin rastet e fatit të mirë, sepse kishte raste kur policia dinte të ishte fort keqtrajtuese e dhunuese.

Qerkica, me vetullat ngrysur e duke e ndezë një cigare na tregoi që kur “policia të nxishin vet diku me naj qoshe, të rrehshin. Policia janë konë të fëlliqët, janë konë katastrofë. Të mershin në stacion, tan’ ditën e gatë hajgare me ty bojshin, të rrehshin sa të dush. Unë gjith ju kom ikë, si i shihsha prej largut, u kthejsha në tjetrën anë; ose kur ma bojke dikush qy moj dajtë, ik!”

Përpos prej policëve, keqtrajtime kanë përjetuar edhe prej njerëzve homofobë dhe transfobë të cilët në rastin më të butë i kanë ofenduar me ndonjë term denigrues si “o pedera, o bulasha”, ndërsa në raste të rënda kanë ushtruar  dhunë në forma të ndryshme. Qerkica na tregoi që sapo  fillonte atëherë të perëndonte dielli, ajo kthehej në shtëpi sepse nuk ndihej e sigurtë të ecte rrugës mbrëmjeve e vetme. Përveç herave kur e dinte me bindje që njerëzit nuk do të dyshonin që ishte një grua transgjinore  – herave kur ishte e veshur e rregulluar me shumë grim, me flokët frizurë, kur as të afërmit e saj nuk do ta njihnin sikur ta shihnin. 

Ajo na tregoi ngjarjen qysh një herë rrugës e kishte takuar një shoqe të veten transgjinore, e cila atë ditë ishte veshur e rregulluar, me dukatin e saj të vendosur rreth qafës. Të dyja bashkë kishin shkuar te shtëpia e Mustafës dhe kishin ndenjur aty deri në orën 12 të natës. Pastaj shoqja e vet kishte vendosur të kthehej në shtëpi. Edhe pse Qerkica disa herë e kishte lutur të mos nisej e vetme në atë orë të natës, shoqja nuk iu kishte bindur dhe kishte dalë.

Në orën 5 të mëngjesit ajo ishte kthyer në shtëpinë e Mustafës, e rrahur brutalisht, me fytyrën e ënjtur dhe pa dukat!

“E kanë nxonë njerëzit në rrugë, e kanë shti në kerr, e kanë çu në Gërmi. E kanë bo për spital. Cullak u shku në shpi. Nafaka u konë sabah, terr hala. U pat vesh në shpi, e u ardh te unë. Ka qit pudër e pomadë. Edhe i thojsha, kadal se të shtijnë me ni qosh e ta marrin krejt dukatin. Thojke ‘jo.’ Edhe i  thojsha, shoqe mos dil…” – kujtonte Qerkica me mërzi.

Pavarësisht se kishin përjetuar ngjarje të tilla tmerruese nga njerëzit dhe autoritetet, me komshinjtë e lagjes nuk kishin pasur ndonjëherë probleme; me ta e çonin mirë. Megjithatë, Mustafën e brengoste fakti se si do të reagonin familja e tij po ta merrnin vesh se në çka ishte shndërruar shtëpia. 

Qerkica në shtëpinë e saj të vjetër. Dylberizm, 2023.

Ndërkaq Qerkicën e brengoste fakti mos po sëmurej Mustafa meqë kishte aq shumë njerëz që hynin e dilnin nga ajo shtëpi, dhe merakosej poashtu për faktin se kishte njerëz që po e shfrytëzonin Mustafën për interesat e tyre personale. Ajo na tregoi ngjarjen si e kishte tallur Mustafën një herë duke e mashtruar me qëllimin që ta frikësojë atë dhe t’i largonte disa njerëz prej aty. E veshur me dimi, kule e mantel, e me shami në kokë, ishte nisur për te shtëpia e Mustafës. 

Po hi mrena, aty as çelës as kurgjo, se njo hike, njo dilke. E çeli derën, as m’u ulë jo, veç krytë teposhtë qashtu me shami me krejt. Janë tranu gejat aty, s’kanë ditë ka me ikë. Mustafa thojke ‘çka u bo, çka u bo?’ I kanë thonë ‘njona me shami e me mantill!’ Mustafa pa pikë qehre. Ka mendu që familja e tij. Edhe janë dalë jashtë ata. Unë po ulna afër Mustafës e po i thom: moj kurvë mirë ta kom bo!”, na tregonte Qerkica që ngjallte të qeshura tek Mustafa i cili kujtohej që të na tregonte datën e kësaj ndodhie. Ishte tejet mbresëlënës fakti se si Mustafa i mban mend të gjitha ngjarjet me datë, muaj dhe vit të saktë kur kanë ndodhur.

Shtëpia kishte funksionuar e tillë deri në vitin 1993, deri kur Mustafa kishte vendosur ta shiste, meqë ishte ftohur nga e gjithë situata e krijuar me ekspozimin e shtëpisë dhe me disa persona aty. Ndërkaq në po të njëjtin vit, Qerkica që ishte e dashuruar me një burrë të Pejës, kishte vendosur të martohej me të e të zhvendosej në atë qytet.

Ajo e rikujton saktë ngjarjen në vitin 1993 kur kishte shkuar për ta përshëndetur Mustafën, dhe ai ia kishte përmendur që do ta shiste shtëpinë, por kjo nuk është se i kishte besuar. Mirëpo kjo gjë vërtet ndodhi gjatë kohës sa Qerkica veçse ishte larguar nga Prishtina.

Për 1 vjet ja kanë hongër krejt paret shoqnia edhe e kanë lonë nëpër sokaqe,” na tregoi ajo, ndërsa Mustafa e kujtonte se Qerkica i kishte kërkuar të rrijë urtë e mos ta shiste shtëpinë. 

Martesa e Qerkicës merr fund pas rreth dy viteve dhe ajo pas ndarjes nga burri vendosë të kthehet në Prishtinë. Gjatë këtyre dy viteve shoqëria e Qerkicës dhe Mustafës ishte shkëputur për shkak të distancës. Por me t’u kthyer në Prishtinë, në vitin 1995, Qerkica fillon kërkimet e saj për Mustafën.

Fillimi i një kapitulli të ri që shënon kohën prej kur, siç u shpreh Mustafa, “u bashkuan përgjithmonë”

Krejt njerëzit, kudo që i kanë pa Mustafën dhe Qerkicën bashkë, gjithmonë kanë menduar se Qerkica është çika e Mustafës. Punëtorët, shoqëria e tij, kolegët e punës – krejt e kanë njohuri si çika e tij. Kur është kthyer Qerkica nga Peja, na tregonte qysh e mban mend qartazi veten që flokët i mbante kaçurrela në atë vakt. Gjithmonë i kishte preferuar flokët të tilla. Kishte filluar t’i pyeste njerëzit që i njihte se ku mund ta gjente Mustafën. Pasi e kishte marrë vesh ku po qëndronte ai, ashtu, me flokët kaçurrel, kishte shkuar ta priste atje Mustafën rreth kohës kur ai do ta përfundonte punën.  

“Kur më kanë pa shoqnia, i kanë thonë Mustafës ‘të ka ardhë çika.’ Ktij meniher i ka ardhë qehrja”, tregonte ajo e emocionuar.

Ata më pas vazhduan të na tregonin se kur Mustafa e kishte shitur shtëpinë, disa persona ia kishin keqpërdorur paratë dhe atë e kishin lënë rrugëve. Atë ditë kur ishte takuar sërish me Qerkicën, ai ishte duke qëndruar te një nga këta persona, i cili nuk po kujdesej siç duhej për të, madje as bukë për darkë nuk po i jepte, duke e detyruar Mustafën të ngihet me bukë sa të mundej sa ishte në punë, sepse kur kthehej në atë shtëpi nuk ishte i llogaritur. Kur Qerkica mësoi për këtë gjë dhe detaje të tjera keqtrajtuese, ajo u zemërua fort dhe vendosi menjëherë të përvishet të krijojë një zgjidhje dhe ta shpëtojë Mustafën prej atij trajtimi.

Mustafa në shtëpinë e tij. Dylberizm, 2023.

Ajo atëkohë ishte kthyer të jetonte te familja e vet, e nuk mund ta merrte Mustafën aty, por shkoi dhe e takoi një shoqe transgjinore e cila e kishte një vëlla që ishte larguar për në Itali dhe e kishte lëshuar shtëpinë ku kishte qenë duke banuar.

“Po shkoj unë te ajo, po ja boj me ma gjet ni shpi me qera ose përndryshe shpinë e vllaut tond. Tha ‘pse çka u bo?’ I thash qysh e keni lonë Mustafën ashtu? Tha, ‘Qerkicë shpinë e vllaut muj me ta lonë, po duhesh me fol me mamin.’ E thirra mamin e saj, ajo m’tha, ‘për Mustafën e për ty Qerkicë nuk ka problem.’ Se u njifshim, se fmija i vet prej komunitetit”, na tregoi Qerkica, e cila më pas e kishte marrë Mustafën, e kishte çuar në atë shtëpi dhe qysh prej atëherë kishin filluar prapë të banonin bashkë.

Për këtë familje, aty fillon një kapitull tjetër, kur siç u shpreh Mustafa “u bashkuan përgjithmonë”.  Qerkica dhe Mustafa, çdo 27 dhjetor e festojnë atë ditë si përvjetor, e kujtojnë të kaluarën dhe mbledhin shoqërinë të cilët i kanë ende gjallë e që jetojnë në Prishtinë. 

Në vazhdën e ribashkimit të tyre, Mustafa dhe Qerkica vendosin prapë të vazhdojnë t’i çelin dyert për komunitetin queer, prej vitit 1995 e deri në vitin 1999, duke organizuar ndeja e duke i mbledhur personat queer në shtëpinë e tyre.

Qerkica derisa na fliste për energjinë e komunitetit gjatë asaj kohe, na tregonte qysh përveç organizimeve në hapësirat e tyre private, kishin vendosur disa herë të bënin performanca edhe në hapësira publike:

“Tham hajde po shkojna te pllatoja (Pallati i Rinisë) me defa. Dikush thojke ‘jo more se po na qkyn kush defin n’kry.’ Gjashtë defa te pllatoja, e plot geja, e u mbledhën edhe do tjerë qe nuk ishin geja. Jena knaqë. Ni ditë tjetër tham hajde po dalim me shetitë kishe jemi shtatëzanë, barkun me qitë. “Kasandra” filmi, lujke atëherë; e t’dulëm si Kasandra, me fistonat që dulën. Katër transe. Këta si Mustafa që nuk guxojshin me dalë qashtu, ju thojshin njerëzve në rrugë i keni lonë shtatëzanë djema. Dekshim tu keshë”.

Qerkica na tregoi për njërën nga shoqet e saj transgjinore – e cila tash jeton në Beograd – e që kishte qenë e para që e kishte veshur vellon e nusërisë në Mitrovicë dhe guximi i saj asokohe kishte nxitur reagime të shumta. 

Prej të 9-tit kat u zhdrypë teposhtë, qaty e murr baba i vet astmën. U smu, kur e ka pa evladin e vet. Veç për qefi e ka vesh. E ka ndreq frizurën. Sa e mirë u bojke ajo, shumë u konë e bukur. U ly mirë, u ndreq mirë, ka vesh vello, e ka ndreq frizurën. Zoja! Kur e kemi pa, i tham çka ki bo moj? Tha ‘a jeni motrat e mia? A jeni ardhë te motra?’ Na jena shku me marrë me ardhë në Prishtinë me kombi. ‘Hajde nuse, hajde’ – krejt mahalla thojshin. I kena ra ka jarani i saj; jarani saj i martum me gru. Nana e atij kur na ka pa, ka bo ‘kuku mos gaboni me ju pa nusja jonë’!”

rrëfeu Qerkica me krenari për guximin që e kanë pasë për çlirimin dhe fuqizimin e identitetit të tyre në vetëdijen kolektive. Sipas Qerkicës, asaj i kanë humbur të gjitha dokumentet e identifikimit dhe nuk ka mundur më asnjëherë të kthehet në Kosovë.

Të nxitur nga kurreshtja, i pyetëm se si e përhapnin fjalën atëkohë rreth organizimit të ndejave, e ata na treguan qysh në mungesë të numrit të telefonit të shtëpisë që më Mustafa nuk e kishte, komuniteti queer e shpërndanin fjalën nëpërmjet njëri-tjetrit, duke i shndërruar lidhjet njerëzore në kanale të çlirimit dhe sigurisë.

Qerkica (majtas) dhe Mustafa (djathtas) në shtëpinë e tyre. Dylberizm, 2023.

I thojsha unë ni personit hajde te unë në party, thirre shokin tond, ai shokin e vet, ky shokin e vet”, kështu tha Qerkica se funksiononin atëherë kur pëshpëritjet mbartnin ftesën për përkatësi. 

Në ditët e sotme, në një kohë të organizuar rreth rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të shumta që lehtësojnë lidhjet queer, komunikimi sigurisht ka evoluar. Por atëherë ishte më sfiduese të dalloheshin nëpër turma nga njëri-tjetri. Kështu që sa i përket aspektit se si e diktonin kur dikush ishte i komunitetit, na thanë që kishte të bënte shumë më gjuhën e trupit dhe komunikimin me gjeste. 

Kjo punë osht konë edhe me gjeste. Kur kanë ecë rrugës gejat edhe nuk e kanë ditë për njoni-tjetrin, e kanë prek veten (mes këmbëve) dhe janë diktu që po dojnë me bo najsen. Qeshtu ja kanë bo gejat që dalin në rrugë edhe nuk i vren që janë: njoni e ka prek veten, tjetri e ka prek veten, e kanë kqyrë njoni-tjetrin në sy, jonë endë në qato rrugë njo 2-3 herë edhe janë bashku”, tha Qerkica e cila shprehu keqardhje për mosnjohjen e kulturës dhe dinamikën midis grave lezbike. 

Ajo shpjegoi se për shkak të rrethanave të dallueshme shoqërore midis grave dhe burrave, ato nuk mund të ishin pjesë e këtyre organizimeve dhe mbeten një aspekt i panjohur funksionimi për të dhe Mustafën për atë kohë.

Nën hijen e trazirave që po afroheshin, këto tubime u ndalën edhe një herë, këtë radhë për shkak të fillimit të luftës në Kosovë në vitet 1998-99. Ngjarjet mizore dhe katastrofike shkatërruan edhe strukturën e komunitetit, ku disa persona që i mbijetuan luftës u desh të shpërnguleshin jashtë vendit, e për disa të tjerë kaloi kohë derisa rigjetën shoqërinë e tyre të vjetër e krijuan shoqëri të reja. 

Mbijetimi i luftës dhe fillimi i një jete të re 

Zëri i Qerkicës ndryshonte ritmin dhe thellësinë nga ndjenjat e përziera teksa na fliste për kujtimet e luftës dhe pasojat dëshpëruese që ajo ngjarje la pas. Në kohën e fillimit të bombardimeve të para, ajo dhe Mustafa ishin duke banuar në një shtëpi te lagjja Xhamia e Llapit në Prishtinë. Aty po strehoheshin bashkë me shoqërinë e tyre, poashtu persona queer. Rrinin aty përherë me frikën se mos po i sulmonin paramilitarët serb apo mos po ju hynin brenda. Panika mes shoqërisë së tyre kishte filluar të rritej dhe bëheshin merak se mos gjatë natës mund t’iu ndodhte diçka e keqe.

Atëkohë Qerkica ishte e dashuruar me një burrë i cili jetonte në Fushë Kosovë, të cilin nuk mund ta takonte gjatë asaj kohe krizeje dhe për të cilën bëhej shumë merak. Na tregoi që kur e kishte vërejtur që shoqëria e vet në shtëpi kishte filluar të frikësohej më shumë, kjo iu kishte thënë se nuk do të lëshohet në frikë dhe panikë, por do të tentojë ta merrte me qetësi situatën. Kështu ishte çuar, kishte gjetur një zingjir, e kishte lidhur veten me Mustafën që askush të mos i ndante dhe kishte filluar të pinte raki e cigare duke bërë paqe me faktin se edhe mund të vdisnin. Aq shumë është dehur atë natë Qerkica, sa kur gjatë natës ka ndodhur bombardimi, ajo as s’e ka dëgjuar, as s’e ka ndjerë.

Qerkica (djathtas) dhe Mustafa (majtas) në shtëpinë e tyre të vjetër. Dylberizm, 2023.

Fatmirësisht të gjithë kishin shpëtuar atë natë, dhe më pas ajo e kishte marrë Mustafën dhe kishin shkuar te shtëpia e babait të saj. Pas një kohe babai i saj vdiq, dhe ajo mbeti duke jetuar me Mustafën në po atë shtëpi ku jetojnë edhe sot.

Qerkica me mërzi sjell në mend se si shumicën e asaj shoqërie më nuk i ka afër dhe sa e vështirë ka qenë periudha e rimëkëmbjes pas luftës:


“U shkepën shoqnia, mo si pashë at’ shoqni. Nuk kom pasë kontakt mo me to. E di ku janë. Dy janë në Beograd, njo ma ka mbytë deti tu ikë për Itali me familje me krejt, në kohë të luftës. Njonës në Beograd i kanë  humb  dokumentet edhe ka mbetë atje. Nuk kom foto prej përpara që me tregu qysh janë konë. Të para luftës m’i kanë djeg
. E lash shpinë (te Xhamia e Llapit), erdha te baba. Krejt fotot atje. Atje meniher e kanë kallë shpinë. Nuk disha kurgjo. Kur kom shku, e kom pa shpinë krejt shkrum, edhe ma, u kry muhabeti. As dokumenta nuk kom pasë.” 

Në lagjen ku tash jeton, pas luftës, diku rreth vitit 2004, banorët aty e kishin ndërtuar një luhatëse ku Qerkicës i pëlqente të dilte të kalonte kohë duke u luhatur. Një ditë duke qëndruar aty e duke pirë cigare, i kishte rënë rasti t’i takonte dy persona queer të cilët e kishin informuar për ngjarjet e reja që kishin filluar të ndodhnin në komunitet. I kishin treguar për disa njerëz të ri të guximshëm që kishin dalur hapurazi dhe po organizonin ndeja për komunitetin. Ata e ftuan në njërën nga këto ndeja, i thanë të bëhej gati se do të vinin ta merrnin edhe atë, edhe Mustafën, e të shkonin bashkë atje.

Atëkohë ishin në modë mantelat e zi, me jakë e me pulla, të gjatë deri në fund të këmbëve. Qerkica e kishte një të tillë dhe vendosi ta veshte atë në ndejë. Ajo na tregon me entuziazëm e duke qeshur ngjarjen qysh kur kishin arritur tek shtëpia ku po mbahej ndeja, personi që ia kishte hapur derën ishte trembur kur e ka parë Qerkicën të veshur ashtu sepse ka menduar se ajo është gazetare. Kështu s’e kishte lënë të hynte brenda, ia kishte përplasur derën në fytyrë dhe ishte kthyer brenda në shtëpi duke i alarmuar të tjerët të cilët janë frikësuar dhe e kanë ndalur muzikën. 

Megjithatë, Qerkica na tregon se me ata persona që kishte shkuar në ndejë, e kishin hapur derën dhe ishin futur në shtëpi:

Edhe tash po hin ky shoku mrena, po e çelë derën. Unë me njoft kërkon jo. Ai tha ‘po shkoj me mar diçka’, kur po hi unë të ka bërtit njona, ‘ik more kjo osht Qerkica, çfarë gazetare!’ Për qeta thash ma msheli ajo derën a? Ajo budallica! Eh, sot e at’ ditë budallicë e thirri. Thash ajo desh mi thej komtë. Tani qaty jena dekë tu keshë. Dy ditë më kanë majtë, e dy ditë kom nejt. Masnesrit kom ardhë te shpia, kom thonë unë kom me bo ni nej, ni party. Te boj unë nejen, të më vijnë nja 50 veta. Edhe në oborr rrishim. Deri në 5 sahati. Me muzikë e me defa. Veç shumë mirë e kena pasë. Krejt e dishin që te Qerkica bohet neja, po te Qerkica nuk ka sen tjetër veç nej e kënaqësi.”

Festat te Qerkica e Mustafa vazhduan të organizoheshin përgjatë viteve, dyert e shtëpisë së tyre vazhduan të mikpresin e të strehojnë njerëzit queer dhe të ishin simbol i kundërshtimit ndaj forcave shtypëse që kërkojnë ta mbajnë komunitetin queer të heshtur e të bindur në margjinat e shoqërisë. 

Ndërsa biseda thellohej në pritshmëritë e saj për ditët e sotme duke e krahasuar me atë kohë dhe hapat që janë bërë në lëvizjen queer, Qerkica na tregoi për transformimet që ajo i vëren se kanë ndodhur dhe për optimizmin i cili e ka përcjellur gjithmonë në jetën e saj. 

Ajo thoshte se gjithmonë ka menduar dhe shpresuar që secilin vit gjërat do të bëheshin mirë e më mirë. Për të tashmen, ajo e sheh si përparim që ligjet janë avancuar dhe gjithsesi policia është më mbrojtëse, sepse dikur thoshte që edhe nëse të kanë rrahë njerëzit në rrugë e ti ke shkuar të ankoheshe në polici, ka ndodhur që edhe policia të kanë futur në një dhomë e të kanë rrahur për së dyti.

Ajo e thekson që tash ka përshtypjen që rrezik më shumë përbëjnë radikalët islamik, të cilët përzihen më shumë se që ju takon e se ç’duhet në jetën dhe zgjedhjet e tjetrit.

Ndërkaq kur foli për gjeneratat e reja të grave transgjinore në komunitet, ajo pati disa vërejtje dhe këshilla për to:

“Gratë trans tash po më pëlqejnë shumë, ama shumë po nervozohen. Shpesh. Duhesh me konë e qetë.  E din që je transe, pse me nervozu vetën? Pse e mundon vetën ti ma shumë? Nuk bon me konë nervoz, m’u nervozu me gjithkon. Proces i vështirë osht. Unë e kom pasë vshtirë, e le kto të rejat. Nese dojnë me pasë jetën qysh duhet, qysh kanë qef vet, duhet mos m’u tutë prej kërkujt, edhe mos m’u nervozu. M’i jep vetes forcë, si unë, m’i jep vetit vullnet, me dasht vetvetën. Na e kena ma zor, na transet e kena ma vështirë se qeta që jonë me flokë të shkurta, që jonë si meshkuj, kta e kanë ma lehtë se i kanë çelë rrugët gjithkun, na transet nuk i kena rrugët gjithkun sikur kta. Ama na duhet me pasë nifar force që me pasë rrugën si kta.” 

Qerkica në shtëpinë e saj. Dylberizm, 2023.

Mandej, tu e ngritë zërin me vetëbesim dhe qëndrim, vazhdoi, “Unë përveti kur të më kqyrin mashkujt me urrejtje, unë edhe ma shumë i hi atij në sy. Pse me më urrejt? Për çfarë arsye? A jom tu hongër me ty? A jom tu pi me ty? A jom tu jetu me ty? A të kom familje që ta mora ftyrën ty? Çka? E qekjo osht për me bind qat person me konë vetvetja, me ta ditë dhimtën tone kur ki. Mas pari gratë trans duhet me u bo doktor të vetvetit. Me dasht vetvetën. Mos m’u nervozu. Qekjo osht. Qeky mesazh për transe osht. Se s’ka tjetër rrugëdalje. Unë perveti, kur e kom ditë vetën çka jom, kom thonë po e vazhdoj jetën teme qeshtu se qeshtu jom, edhe qeshtu kom me vazhdu. Le t’më kesh kush t’don, nuk më intereson. Nuk më ka interesu as për familje, as për popull. Qekjo jom.” 

Në zhurmën e pëzierjes të çajit i cili njihet tek ne si simbol i ngrohtësisë, miqësisë dhe bashkimit, biseda po mbyllej duke i shikuar e komentuar fotografitë të cilat i ndanë me ne të disa momenteve të tyre të bukura përgjatë viteve. 

Ftesa e Mustafës që t’i vizitojmë prapë dhe përcjellja e Qerkicës deri tek pragu i derës së oborrit rrezatonin kujdesin, mirësinë dhe bujarinë e vërtetë që kishin për vite me radhë këta dy revolucionarë queer në Kosovë. Rrëfimet e Qerkicës dhe Mustafës kanë lënë gjurmë historike të rëndësishme e të pashlyeshme në lëvizjen queer në vend. Ata vazhdojnë të na mbushin me forcë përmes besimit të tyre të palëkundur dhe të palodhur për të krijuar një komunitet i cili e pranon dhe e përqafon njëri-tjetrin, si dhe pranohet e përqafohet nga të tjerët. Lufta e tyre e përbashkët është frymëzim për jetë dhe shpresë për ndryshim. 

* Në vitin 1994, marrëdhëniet midis të njëjtit seks u bënë të ligjshme në Krahinën Autonome të Kosovës gjatë asaj kohe sa ishte akoma pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top