Prej identitetit të shtypur në çlirim artistik: Arti dhe aktivizmi queer i Arlinda Morinës

Në botën artistike, prania dhe ndikimi i personave queer ka qenë gjithmonë i madh. Arti, si instrument i fuqishëm çlirimi, ka ofruar gjithmonë mundësi për personat queer që të kundërshtojnë normat shoqërore dhe të sfidojnë heteronormativitetin. Edhe Kosova ka dëshmuar dhe po dëshmon kontribute të pashlyeshme të artistëve queer të cilët nëpërmjet krijimtarisë së tyre artistike po i hapin rrugën artit jokonvencional. Njëra nga artistet dhe aktivistet queer e cila ka hapur rrugë për artistë të tjerë queer është Arlinda Morina, e njohur në rrethet e shoqërisë së saj si Liki. Në punën e saj artistike përfshihet filmi “Debora” i metrazhit të gjatë, 12 filma të metrazhit të shkurtër si “Pa dalje” (2010), “Arkiva” (2010), “Rrobaqepësi” (2013), “Pandora” (2014), dhe “Tendri” (2016), krahas shfaqjeve teatrale si “A je cikë, a je djalë!?”, “Kanuni i gruas”, “GRUA” si dhe “Fefu dhe shoqet e saj”.

Megjithatë, si për shumë të tjerë, rrugëtimi i Likit drejt vetëpranimit dhe krijimit të strehave të sigurta shoqërore dhe artistike për komunitetin queer, nuk ka qenë aspak i lehtë. Ky rrugëtim për të fillon me sportin dhe artin marcial, përkatësisht karaten, duke qenë kampione në klubet “Studenti” dhe “Iliria” në Prishtinë në vitet 1994, 1995 dhe 1996. 

“Sporti mu më ka ndihmu me gjetë njerëz të komunitetit queer. Sidomos në sporte luftarake të cilat më herët janë pa si sporte të burrave. Aty ka pasë lezbike me të cilat e kemi kriju një grup tonin që nuk kemi pasë nevojë m’u mbeshtetë prej tjerëve”, reflektoi ajo.

Në adoleshencë, në moshën 13 deri në 15 vjeç, Liki e vërente te vetja ndryshimet emocionale nëpër të cilat po kalonte. Në atë moshë i ndodh një moment kyç gjatë një bisede me një kolege karateiste lezbike. Pas tre orë të gjata bisedë me të duke diskutuar rreth identiteteve të tyre, përfundimisht Liki guxon t’ia pranojë dikujt me zë për herë të parë se është lezbike.

“I kom thonë edhe unë jom njejtë si ti, edhe jom hypë në kombi e kom ikë. Të nesërmen jemi taku edhe kemi fol se çka na pëlqen,se mendojsha që jom veç vet në këtë hapësirë”, tregoi ajo. 

Me kalimin e kohës, duke udhëtuar nëpër kampionate botërore, Liki kishte mundësi të takonte persona queer dhe të fitonte një kuptim më të thellë të peisazhit queer global. Por, rehatinë për daljen hapur tek një rreth më i madh i njerëzve nuk e kishte gjetur deri në përfundim të shkollës së mesme. Atëherë e takoi një klasore e cila ishte zhvendosë në Kosovë nga Gjermania dhe e cila i kuptonte më mirë çështjet queer dhe e kishte ndihmuar në procesin e vetëpranimit. Rrugëtimi i saj vazhdon në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës në degën për Aktrim, ku i ra të takonte persona më të hapur për çështjet queer. Megjithatë, edhe aty hasi në sfida seksiste dhe homofobike.

Fakti se e pranoi hapurazi veten dhe e shfaqi identitetin e saj, i solli një sërë pengesash në karrierën artistike duke u portetizuar si e çuditshme dhe jo e përshtatshme në mendjet e ngushta të profesorëve të cilët vendosnin për rolet e aktrimeve në studime. 

“Mendojsha me lonë aktrimin se më thojke profesori ‘qysh don me marrë role, ti nuk po dokësh as si çikë, as si djalë. Duhesh me ja nis mu dokë si çikë për me mar role të grave tradicionale!’

Unë nuk isha as mish, as peshk. Nuk më ofrojshin role edhe mandej për shkak të depresionit kam fillu abuzimin me substanca të ndryshme. Krejt audicionet ku kom marr pjesë kanë qenë bullizuese për shkak të shprehjes sime gjinore dhe stilit”, tha Liki përderisa shtoi se bota e aktrimit në atë kohë nuk ishte e gatshme për njerëz me ide dhe paraqitje të reja e jotradicionale.
Për këtë arsye vendosi ta braktiste aktrimin. 

Megjithatë ajo na tregoi se dikur pas disa vitesh, e kishte takuar po të njëjtin profesor i cili e kishte përgëzuar që kjo kishte vendosur t’i qëndronte besnike vetvetes.

“Edhe tha: I bone plot si vet!” – shtoi Liki duke qeshur. Ajo poashtu tregoi se në rrethin artistik kishte dëgjuar për aktivisten Igballe Rogova, e njohur si Igo, që ishte lezbike e hapur dhe kishte partnere.

“Më dukej si andërr që a kom me mujtë me mbrri qat send me konë hapur te krejt njerëzit edhe me pasë dikon. Për të kam ndëgju prej Xhejlane Godancit (e njohur si Buqja e Familjes Moderne) e cila tentonte përmes këtyre bisedave me m’shti mu ni rehat me vetën.”

Gjatë periudhës që ndihej e turbulluar emocionalisht për shkak të largimit nga studimet për aktrim, Liki reflektoi dhe e shtyrë nga dëshira për të luftuar sistemin mbizotërues që margjinalizonte zërat queer dhe forconte stereotipet gjinore në kinema dhe teatër, vendosi që të zhvendoste fokusin e saj në regjinë e filmit. Në vitin 2008, ajo u regjistrua në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës në degën Regji e Filmit

“Edhe aty idetë e mija u dokshin ma ndryshe se të tjerëve edhe isha në luftë për me e fuqizu vetën edhe m’i mbrojtë këto ide. Ma vonë kam ra në mirëkuptim me profesorin Isa Qosja, ku ngadalë ngadalë mujta m’i shti idetë e mija në funksion edhe e përfundova fakultetin e regjisë.” 

Duke reflektuar mbi situtatën aktuale, Liki vëren një prani në rritje të studentëve queer brenda fakultetit dhe aktorëve e regjisorëve queer. Megjithatë, ajo e pranon rezistencën e vazhdueshme, por në forma tjera, me disa mendje të mbyllura. Pranimi i identiteteve transgjinore, shprehjeve queer dhe spektrit fluid të seksualitetit, për të, mbetet një betejë e vazhdueshme edhe sot.

Në ambientet brenda programit të regjisë së filmit, rreth vitit 2008, Liki ishte e vetmja grua duke studiuar aty. Pos saj, ishte vetëm Buqe Berisha, e cila kishte përfunduar stuidimet për regji të filmit në fillim të viteve 2000 si regjisorja e parë grua.

“Kur kom shku në fillim [në studimet për regji filmi], personazhet e grave nëpër filma kanë qenë të përfshira vetëm në larjen e enëve ose tu u marr me tesha. Gratë regjisore i kanë pru gratë në role më kryesore – tu e përfshi vetën, Buqe Berishën, Kaltrina Krasniqin, Blerta Zeqiraj. Mandej vjen lufta tjetër për gratë lezbike. Niherë osht dashtë gruan, mandej gruan lezbike. Hapat te na janë shumë të ngadalshëm,” tha Liki e cila që nga fillimi i karrierës së saj si regjisore u përpoq të niste një dialog përmes punës së saj, duke u thelluar në tregime që eksploronin përvojat lezbike. Megjithatë, kjo ide u përballë me rezistencë, sepse profesori i kishte sugjeruar që njërën personazhe lezbike në filmin e saj ta bënte të huaj, që fliste një gjuhë të huaj e jo shqipen. Liki vazhdoi me idenë e saj fillestare me këmbëngulje, duke e prodhuar filmin “No Exit” në gjuhën shqipe.

Këtë film Liki ua kishte dërguar disa personave që i njihte e që dyshonte se janë queer, me shpresën që do t’u ndihmonte të ndiheshin më rehat me veten, e mbase dhe t’i shtynte që një ditë të ‘dilnin nga dollapi’.

Hapësirat e sigurta dhe aktivizmi n’shpi

Sa iu përket mënyrave se si lidhjet shoqërore në mes komunitetit krijoheshin në vitet e hershme të 2000-ta, Liki shpjegoi se ishte përmes shenjave të komunikimit verbal e gjuhës së trupit që vepronin si sinjale, duke i afruar më shumë me njëri-tjetrin. Ndërkaq rreth hapësirave të sigurta për personat queer nga viti 2000 e tutje, ajo përmendi një lokal të quajtur “TimeOut” (ku është sot objekti i Lesnas). Në atëvend ajo dhe persona të tjerë queer kishin qenë të mirëseardhur. Ky lokal frekuentohej poashtu edhe nga hip-hoperët*, ku në atë kohë edhe pse zhanri i muzikës hip-hop ishte homofobik në shumicën e teksteve, ky grup i njerëzve nuk e kishin problem frekuentimin e të njëjtave lokale me personat queer.

“Ka pasë njerëz që thojshin ‘po, ju mbështeti ama nuk jom’, mbas 4 muajve dilte se edhe ai osht.” – tha ajo derisa e përmendi edhe lokalin Trafik pranë Grand Hotel, një tjetër lokal me po të njëjtin emër i cili dikur më vonë ishte kthyer në lokal homofobik, Pure Pure Lounge Bar afër stadiumit të Prishtinës ku mbaheshin organizime queer, Klubin M, vendet me te fundit ne Prishtinë, si dhe apartmentin e një ndërkombëtari i quajtur David i cili mblidhte komunitetin mirëpo hapësira ishte e dominuar nga burrat gej dhe shumë pak nga gratë lezbike. Ajo tregoi poashtu rreth dinamikave në këto hapësira duke thënë se këto dy grupe (gej dhe lezbike) shpesh kishin keqkuptime, derisa filluan të vinin persona të tjerë të cilët deklaroheshin si biseksual ose transgjinorë dhe pastaj dy grupet e fillimit (gej dhe lezbike) ishin kundër këtyre dy grupeve të tjera identitare. 

Fillimisht ndarja midis burrave gej dhe grave lezbike, e cila ka qenë pjesë e lëvizjes për shumë vite, shpesh i atribuohet keqkuptimeve të cilat rrjedhin nga dallimet në sfida, përvoja, ose prioritetet brenda komunitetit LGBTQ+. Çdo grup identitar, duke pasur përvoja të ndryshme të sfidave dhe presioneve nga shoqëria, kanë zhvilluar pikëpamje të ndryshme në aktivizëm, çka ka çuar në mosmarrëveshje ose mungesë uniteti në çështje të ndryshme. E njejta narrativë kishte vazhduar me hyrjen e personave që identifikoheshin si biseksualë ose transgjinorë në këto hapësira, të cilët kishin sjellë me vete shtresa shtesë të diskriminimit dhe sfidave që ndoshta nuk ishin marrë parasysh ose nuk ishin kuptuar nga grupet ekzistuese në atë  kohë. Rezistenca fillestare nga burrat gej dhe gratë lezbike ndaj personave biseksualë dhe transgjinorë u atribua në mungesën e informacionit. Kjo mungesë e mirëkuptimit ose ndërgjegjësimit rreth përvojave dhe identiteteve të personave biseksualë dhe transgjinorë çoi në kundërshtim. Krejt kjo reflekton një çështje më të madhe brenda lëvizjes ku “e panjohura” ose keqkuptimet rreth disa identiteteve mund të çojnë në përjashtim ose ndarje. Kjo situatë e cila kishte ndodhur më herët, e që ekziston ende në rrethet queer thekson natyrën në zhvillim të kuptimeve të gjinisë dhe seksualitetit. Njohja dhe artikulimi i identitetit të secilit nga ne sfidon normat ekzistuese dhe kërkon nga grupet ekzistuese të rishikojnë pikëpamjet dhe qasjet e tyre ndaj përfshirjes dhe aktivizmit. 

Ndërsa sa i përket organizatave joqeveritare, sipas Likit pritja ishte më pak e ngrohtë për personat queer që kishin më shumë prirje alternative siç e konsideron ajo vetën të ketë, dhe ishte ndjerë se kjo i penguar përfshirjen në lëvizje.

Ajo ishte ndjerë që sa iu përket zhvillimit të dokumentareve nga OJQ-të, këto të fundit ia atribuonin narrativën queer personave heteroseksualë. Një nga arsyet se pse Liki nuk është përfshirë direkt në ndonjë OJQ është për shkak të mënyrës se si e sheh ajo aktivizmin.

“Aktivizmi për mu nuk bohet veç nëpër organizata. Aktivizmin e bon në shkollë, në familje e në rrethe të tjera ma të ngushta. Unë shpinë e kom pasë organizatë”.

Liki tregoi raste ku ajo e kishte mbledhë komunitetin e lezbikeve në shtëpinë e saj disa herë. Në mes të gjithë sfidave, mbështetja e familjes e kishte ndihmuar në ofrimin e një hapësire të sigurtë edhe për gra të tjera queer. 

“Kur shkojshim në ndeja, krejt lezbiket përfundojshim në shpi teme. Tu kallxu për sene që na ndodhin me punët tona. Problemi me të shpisë u konë jo pse kom bo mbledhi queer, po pse kemi pi cigare mrena. Unë e kom pasë edhe mbështetjen e familjes e nuk u konë problem kushdo me ardhë. E kanë ditë për mu prej shumë herët. Ma shumë kom pasë luftë me vetën se me ata, se ata e kishin pasë ditë gjatë krejt kohës”, theksoi Liki.

Ajo e rrëfeu edhe një gjest të vëllait të saj i cili e kishte ndarë me të një intervistë të aktores dhe prezantueses, Ellen Degeneres, dhe i kishte thënë se sa herë e sheh emisionin e saj ndjehet mirë se i duket se po e sheh Likin.

“Kur e kërkova në Google më doli Ellen dorë për dorë me një gru. Më tha që në Kosovë ki me pasë vështirë, hajde në Finlandë e ki ma lehtë. Unë kom vendosë me nejtë këtu. Secili familjar e ka pasë një rast që m’u ka qasë mu, pa pasë nevojë unë me ju qasë atynve”, tregoi ajo. 

Në vitin 2020, Liki kishte organizuar një natë poezie queer në tarracën e shtëpisë. Krah për krah me babain e saj, e kishin përgaditur hapësirën.

Bashkë me babin e kom vendosë flamurin aty edhe kanë ardhë persona queer e straight për me lexu poezi të tyre gjatë mbramjes,” tregoi Liki me nostalgji.

Si ngecje në zhvillim ajo e sheh mungesën e përfaqësimit në institucione shtetërore, ndërsa gjersa fliste për zhvillimet në levizjen queer në Kosovë, ajo u shpreh:

“Ka pasur ndryshime, disa për keq dhe disa për mirë. Për mirë osht fakti që kemi një vend si Bubble ku mundemi m’u mbledhë bashkë e me konë vetja. Ka edhe persona straight, që vijnë edhe frekuentojnë këtë vend. Mirëpo kom qef me pa dikon prej neve që osht në parlament edhe i çon përpara kërkesat tona se momentalisht nuk kemi, e qekjo i duhet lëvizjes.” 

Ajo shpreson që me kalimin e kohës pjesëmarrja aktive e komunitetit queer në Kosovë në proceset politike të rritet sepse është i rëndësishëm që komuniteti të krijojë qëndrim të tillë që i shprehë vetë nevojat e veta, e të mos lejojë që të tjerët t’i përcaktojnë ato.

Liki aktualisht është duke punuar në një film të metrazhit të gjatë, film ky i cili është i frymëzuar nga vetë jeta e Likit. Ky film do ta ndjekë jetën e personazhit kryesor Elektra, e cila përpos që ballafaqohet me faktin e të qenit queer dhe vetëmohimin, ajo në rininë e saj të hershme duhet të gjejë rrugëdalje edhe nga problemet me personalitetin e saj. Pas një beteje me veten duke u përpjekur të krijojë një lidhje dashurie me burrat, ajo më në fund dorëzohet përballë ndjenjave të saj dhe fillon të pranojë për veten por edhe për të tjerët se është lezbike.

Liki, e cila përveç përballjes së saj me heteronormativitetin dhe patriarkatin ndër vite, kishte fituar edhe dy beteja të tjera me kancerin e qelizave të gjakut, leukeminë, sëmundje të cilën e kishte emëruar Leo gjatë kohës sa ishte shtrirë në spital. Rrëfimin e saj me Dylberizm e përfundoi me një mesazh për gratë queer “Ne jemi gra si krejt gratë tjera. Orientimi ynë seksual është ndryshe. Vetëm na pranoni qashtu qysh jemi!” – përfundoi ajo. 

 *konsumuesit e zhanrit hip-hop

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top