Tu e lexu qitash
Aktivizmi queer nga perspektiva e Arbër Nuhiut, bashkëthemeluesi i organizatës të parë queer në Kosovë 

Aktivizmi queer nga perspektiva e Arbër Nuhiut, bashkëthemeluesi i organizatës të parë queer në Kosovë 

Ndër organizatat e para në Kosovë e dedikuar për mbrojtjen e të drejtave queer dhe fuqizimin e komunitetit LGBTQ+, është Qendra për Zhvillim e Grupeve Shoqërore (CSGD), e cila funksionon tash e më shumë se 20 vite. Ndër shërbimet kryesore që sot CSGD ofron janë: avokim për të përmirësuar politikat e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi dhe ligje të tjera që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe programin për parandalimin e HIV-it që nga viti 2005 me fokus në burrat që kryejnë mardhënie seksuale me burra – BSB. Këtë program e kryen përmes qasjes në produktet mjekësore mbrojtëse, testimin falas në hapësirat e tyre në Prishtinë dhe testimin falas në terren përmes njësive mobile.

Këto shërbime i arriti ndër vite duke u rritur si organizatë, mirëpo në fillimet e veta sigurisht që mundësitë e operimit ishin më të ngushta dhe të limituara. Ndër bashkëthemeluesit e kësaj organizate është Arbër Nuhiu – ndër aktivistët e parë queer në Kosovën e pasluftës. 

Për Arbërin, jeta personale dhe aktivizmi nuk kanë qenë të ndara nga njëra-tjetra gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij. Me vetëzgjedhje apo i detyruar kushtimisht, ai ndjehet se qysh nga momeni kur ka filluar të merret me çështjet queer, jeta personale e tij nuk ka qenë më vetëm e tija.

Në vitet e 90-ta, si për shumë shqiptarë të tjerë të interesuar në tema sociale e politike, aktivizmi i Arbërit ishte më shumë i fokusuar në çështjen kombëtare të çlirimit nga okupatori serb. Atë kohë, ai kishte qenë i angazhuar në organizime të protestave të ndryshme në Prishtinë. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, Arbëri u përfshi në organizata ndërkombëtare përmes menaxhimit të kampit të romëve në Dardhishë, afër Obiliqit. Gjatë angazhimit aty, e kuptoi rëndësinë e shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare të cilat ishin koncepte jo dhe aq të ditura për të gjatë viteve të 90-ta.

Marrjen e iniciativës për të regjistruar e udhëhequr organizatën CSGD dhe rrugëtimin e tij në aktivizëm, Arbëri e shpalosi në një bisedë me Dylberizm, gjatë të cilës ndau reflektimet për të kaluarën dhe pritshmëritë brenda lëzivjes queer për të ardhmen. 

Funksionimi i komunitetit gej në fillimet e viteve 2000 në Kosovë dhe themelimi i CSGD-së 

Në një kohë ku zhvillimet teknologjike nuk ishin të përparuara siç janë sot, gjetja e njerëzve të njejtë me veten, si dhe komunikimi e takimi me ta ishte i kufizuar. Megjithatë, Arbëri na tregon se ai dhe një grup tjetër i shoqërisë që njihte kishin ide dhe bënin përpjekje që të krijonin mundësi për komunitetin gej të njoftoheshin mes vete. Ishte viti 2002 kur ai e kishte folur më seriozisht me grupin se duhet të bëhej diçka konrekte. 

Organizimi në mes tyre për t’u marrë me çështjet queer filloi si grup jo-formal me sigurimin e një mbështetje prej pesë mijë euro nga HIVOS (organizatë Holandeze) për rreth 5 muaj. Me këtë fond, në nëntor të vitit 2002 ata hapën një zyrë dhe një uebfaqe të quajtur www.gaykosova.org. 

Zyrën e përdorën për takime të komunitetit LGBTQ+, ndërsa në faqen e internetit përpiqeshin të informonin rreth çështjeve gej në gjuhën shqipe. Ata shumicën e kohës ishin të fokusuar të shpërndanin informata për burrat gejë sepse në grup mungonin persona nga identete të tjera queer, dhe për këtë nuk iu ishte dukur e arsyeshme që të flasin për tema të cilat nuk i njohin mirë.

“Me uebfaqe e kemi mar vesh ma vonë që kemi bo gabim se nuk ka pasë telefona të mençur e laptopa, edhe e vetmja qasje në internet u konë përmes një kompjuteri të shtëpisë,” tha Arbëri duke shpjeguar se shumë persona atëkohë nuk kanë mundur të kyçen në uebfaqe nga një kompjuter i shtëpisë nga frika se mos zbuloheshin nga familjarët. 

Megjithatë, për ata që guxonin të kyqeshin, kjo ueb faqe kishte edhe një forum në mënyrë që personat gejë të komunikonin me njëri tjetrin. 

Arbëri foli edhe për vështirësitë e asaj kohe rreth mungesës së personave të cilët ishin të hapur për identitetin e tyre seksual ose identitetin gjinor. Në fillimet e angazhimit të tij në lëvizjen queer, shumë persona iu kishin larguar për shkak të frikës se mos ekspozoheshin. 

“Kur e hapa organizatën, komuniteti nuk flitshin me mu. Unë u befasova, e më vonë më kanë tregu se janë frikësu se mos kom me dalë e m’i ekspozu në televizione”, tha Arbëri.

Regjistrimi i CSGD-së nuk kishte qenë i lehtë, pasi që edhe pse Arbëri kishte filluar procedurën për themelimin e oganizatës, ishte e vështirë të gjente persona që do të ndiheshin rehat dhe të sigurtë për t’i dhënë dokumentet e tyre identifikuese për procesin e regjistrimit në departamentin e organizatave joqeveritare.

Mirëpo për fat, një ditë në rrugët e Prishtinës, e kishte takuar aktivisten Igballe Rogova dhe i kishte treguar se nuk po mundet të gjejë persona të tjerë për regjistrim të organizatës. Igballja menjëherë kishte vendosur ta ndihmonte Arbërin, dhe siç tregon ai për të: “qysh u konë qaty, e ka nxjerrë letërnjoftimin prej çantës edhe më ka thonë ‘qe, gjeje edhe njo!’”. 

Më vonë ai ia kishte dalë mbanë ta gjente edhe një person tjetër kosovar i cili jetonte në Francë mirëpo e kishte të vlefshëm edhe letërnjoftimin e Kosovës. 

CSGD si organizatë u regjistrua zyrtarisht më 30 tetor të vitit 2003, gati një vit pas hapjes së zyrës në Prishtinë.

Puna e CSGD në fillim ishte më shumë e përqendruar tek burrat gejë për shkak se fillojnë të merren me projekte shëndetësore të vetëdijsëimit rreth çështjeve HIV, meqë fatkeqësisht, burrat gejë dhe gratë transgjinore janë ndër më të prekurit. 

Mirëpo, siç Arbëri na tregoi, kishin tentuar që përmes trajtimit të temës së “virgjëreshave të përbetuara”  të preknin edhe tema rreth grave queer dhe sfidave të tyre në Evropë, për shkak se nuk kanë pasë njohuri për gjendjen e tyre në Kosovë.

Po atë vit, në Kosovë ishte në hartim edhe ligji i parë kundër diskriminimit i cili mbështetej nga OSBE-ja (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë). Arbëri tregoi se ishte bërë pjesë e këtij grupi punues që kishin ngritur zërin për ta shtyrë përpara vendosjen e orientimit seksual si bazë e mbrojtur në kuadër të këtij ligji. 

“Janë konë rreth 30 burra aty që për herë të parë kanë ndi për çështjet LGBTQ+ qaty, edhe ishin të bindur se në Kosovë nuk ka persona LGBTQ+. Kur kom folë më kqyrshin si alien,” theksoi Arbëri.

Kjo përvojë e kishte shtyrë atë që ta kuptojë se në mënyrë që të ketë përparim të situatës për personat queer në Kosovë, duhet të ketë ligje që i mbronë dhe ua lehtëson jetën dhe se lufta për ligje më të mira e më të forta është e domosdoshme

Hapja e qendrave të CGDS-së në qytetet tjera të Kosovës

CSGD kishte tentuar që lëvizjen ta decentralizojë dhe përveç në Prishtinë, të shkojë edhe në vende të tjera të Kosovës. Në prill të vitit 2004, qendra për takime të komunitetit e njohur si drop-in u hap në qytetin e Prizrenit.

Arsyeja pse ishte zgjedhur Prizreni ishte sepse ishte vendi i dytë pas Prishtinës ku CSGD kishte kontakt me persona queer atje, si dhe kishte pasur më shumë njerëz të gatshëm për organizim.

“Hapësira drop-in ka qëndru për 4-5 vjet nëpër vende të ndryshme në Prizren, e ndërkohë e kemi hapë edhe në Prishtinë, e edhe në Mitrovicë,” tha Arbëri. 

Hapësira e parë në Prizren kishte ndryshuar lokacion për shkak se ishte e vogël dhe duhej një hapësirë më e madhe, ndërkaq hapësira e dytë e cila ishte shtëpi më e madhe, dikur u dha nga pronari për ndërtim banesor dhe ishte dasht të shpërnguleshin prapë në një hapësirë tjetër. 

Në Mitrovicë kishin vendosur që të hapnin një hapësirë në mënyrë që t’i përfshinin në lëvizje edhe serbët queer të cilët jetonin në Kosovë, mirëpo nuk kishte pasë shumë rezultat për shkak se hapësirën nuk e frekuentonin shumë ky grup. Pas një kohe, për shkak të mungesës së kapaciteteve për menaxhim të hapësirave në Mitrovicë dhe Prizren, u vendos t’i mbyllin.

“Kur filluam me punu me projekte të mëdha ishte e pamundur me shku në këto vende, plus tu e konsideru që atëhere kanë qenë rrugët e vjetra e shpesh është dashtë me ndërmjetësu probleme në mes të komunitetit në 2 të natës, se me konë autostrada sikur sot nuk e kisha pasë problem,” arsyetoi Arbëri. 

Më vonë organizata CSGD filloi të përqendrohej në programin e outreach i cili kishte filluar prej vitit 2005 në mënyrë që të jenë së më afër komunitetit dhe për të qenë afër duhet të arrish në cdo cep të Kosovës. 

Outreach është veprimtari që ofron shërbime për çdo popullatë që ndoshta nuk do të kishte ndryshe qasje në ato shërbime. Një pjesë kyçe e outreach është që grupi që ofron shërbime nuk është i stacionar, por është në lëvizje; me fjalë të tjera, kjo përfshin takimin me dikë që ka nevojë për një shërbim në vendin ku ata ndodhen. Krahasuar me ofruesit tradicionalë të shërbimeve, shërbimet e outreach ofrohen më pranë vendeve ku njerëzit mund të jetojnë. Përveç ofrimit të shërbimeve, outreach ka një rol edukativ, duke ngritur ndërgjegjësimin e shërbimeve ekzistuese. Outreach shpesh synon të mbushë zbrazëtinë në shërbimet e ofruara nga shërbimet kryesore (shpeshherë qeveritare), dhe shpesh kryhet nga organizata jofitimprurëse, joqeveritare.

Arbëri tregoi se qysh prej atij viti, ky program më nuk është ndalur, veçse ka shkuar duke u zgjeruar pasi që në fillim kanë qenë 3-4 persona në tërësi që janë marrë me këtë, ndërkaq pasi kishin filluar të merrnin edhe mbështetje më të madhe me projekte të tjera, ky program ngreu bazë dhe u plotësua edhe me shërbime tjera që i posedojnë sot.

Arbëri tregoi se këtë program e kishte parë të zhvillohej në Romë, gjatë një vizite studimore atje pikërisht në programin e parandalimit të HIV-it në mesin e popullatave më të cenueshme dhe e kishte kontekstualizuar me Kosovën duke e parashikuar si diçka që do mund të kishte sukses. Përgjatë viteve, ai tha se programi ka pasur ndryshime në menaxhim të tij sepse sipas tij personat të cilët punojnë në këtë program duhet të jenë me personalitet ekstrovertë në mënyrë që të bëjnë më të lehtë komunikimin me personat queer të cilët nuk janë pjesë e rrjetit të tij ose saj. 

Hapësirat e dikurshme të sigurta dhe rrjedha e lëvizjes queer

Sa i përket hapësirave të tjera ku personat queer kanë qenë të mikpritur në vitet e 2000-ta në Prishtinë, Arbëri na tregoi disa vende të cilat i kanë frekuentuar personat queer gjatë asaj kohe. Ai përmendi kafiteritë: Tokio në Dragodan, Aldi në Veternik, dhe Downtown në qendër të Prishtinës (afër sheshit të qytetit). Për kafiterinë Downtown ai na shpjegoi se dikur kati i parë kishte qenë lokal, ndërsa kati i dytë internet kafe. 

“Ka qenë e përshtatshme për komunitetin se hishe në katin e dytë në chat të ndryshëm edhe e lejshe m’u taku me njerëz në katin e parë. U konë vend që e kemi ditë krejt që rrijnë krejt persona queer”, theksoi Arbëri.

Një hapësirë tjetër e sigurt për personat queer sipas tij ishte edhe Teatri ODA ku kishin shënuar ditë të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njerëzve përmes ndejave dhe diskutimeve publike. 

Në vitin 2007 e kishin shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë  – 17 Majin – përmes shpërndarjes nëpër qytet të broshurave si “Stop Homofobisë”, përmes një debati publik dhe një ndeje në Teatrin ODA

“Për neve u konë e rendësishme që me përdor fjalë më të kapshme se njerëzit as homofobi nuk e dishin çka osht. E mbaj mend që i kemi ngjitë natën broshurat, e kur jemi çu në sabah qyteti u konë i mbushun, e kur i pytshim [njerëzit] për kuptimin e fjalës ‘homofobi’ – nuk e dishin çka i bjen.”

Mirëpo në vitin 2014 u mor një kthesë e rëndësishme në lëvizjen queer në Kosovë, pasi që u organizua Marshi i parë për të drejtat LGBTQ+ i cili bëhej më tepër me synime dhe mesazhe politike. Ishte vendosur të fillohej me Marshe, e jo me Parada të Krenarisë, sepse e shihnin si një veprim strategjik duke marrë parasysh incidentet e ndryshme që ndodhnin në vende të rajonit, ishin të frikësuar se mos do të kishte incidente edhe në Kosovë. 

E në vitin 2017, për shkak se kishte rënë qeveria e asaj kohe vetëm një javë para planifikimit të marshit më 17 maj, dhe për shkak se shumica e stafit në qeveri ishte në detyrë, e jo në pozitë, Arbëri kishte dhënë propozim të mos mbahej marshi atë vit. Me këtë propozim ishin pajtuar një pjesë e aktivistëve që punonin nëpër organizata, mirëpo jo edhe të gjithë aktivistët e tjerë dhe as një grup i të rinjëve të komunitetit LGBTQ+.

Pavarësisht se marshi u anulua nga organizatat qeveritare, ky grup aktivistësh që nuk u pajtuan me propozimin, vendosën ta tuboheshin në mes të sheshit në Prishtinë ta shënonin 17 Majin, jo në formë marshimi, por në formë kremtimi me muzikë e vallëzim duke valëvitur flamurët queer nëpër ajër.

Arbëri tha se “ka qenë rrezik. I kom thirrë, ju kom thonë për shkak të sigurisë mos e mbani se policia ish njoftu që nuk mbahet asnjë organizim”, mirëpo tubimi nga këta aktivistë ishte mbajtur dhe nuk kishte pasur ndonjë incident të raportuar. 

Në fillim të shtatorit të po atij viti ishte formuar qeveria e re e Kosovës. Organizatat për të drejtat queer – QESH, CSGD dhe CEL – u takuan dhe vendosën që tutje të vazhdohet me Paradë, e jo Marsh. 

“Parada e parë u organizua për tre javë. E kemi zgjedh 9 tetorin për shkak se coming out day [dita e daljes hapur] ish me 11 tetor. E kemi organizu me 10, që mos me humbë rëndësinë e 11 tetorit.” 

Për Arbërin, transformimi dhe përparimi i lëvizjes queer në Kosovë që na viti 2003 është për t’u habitur për të mirë. 

Ai e mban mend si kishte bërë bujë përgjigja e tij nëpër Prishtinë kur e kishin pyetur në intervistë për Gazetën Jáva [e botuesit dhe kryeredaktorit Migjen Kelmendi], se sa persona të komunitetit vijnë në qendrën drop-in të organizatës dhe ky kishte thënë se rreth 200. Njerëzve iu ishte dukur shumë 200. 

“Sot me thonë 500 mijë befasohen. Se atëherë qajo 200-she u konë 500 mjië e sotit, se atëherë nuk kanë besu që mundesh me konë shqiptar edhe LGBTQ+”, u shpreh Arbëri.

Sipas tij është poashtu e rëndësishme që para ndejave queer në Kosovë sot ka edhe njësi mobile testuese për sëmundjet e transmetueshme seksualisht.

E sa i përket të ardhmes së lëvizjes queer në Kosovë, Arbëri shpreh dëshirën t’i shoh aktivistët dhe organizatat të kenë një bashkëpunim më të ngushtë e mirëfilltë, të jenë më të bashkuar për kauzën si qysh kanë qenë shqiptarët dikur të bashkuar për një qëllim gjatë rrezikut nga Serbia. “Kaniher bashkëpunojmë, po menihere zhduket. Jemi bo goxha grupe formale e jo-formale edhe ka ardhë koha që me pasë takime koordinuese në mes krejt këtyre grupeve për mos me punu në të njejtat sene. Na duhemi m’u koordinu.” përfundoi ai.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top