Tu e lexu qitash
Dashuria përtej kufijve: Një letër Lepës, mentores time feministe

Dashuria përtej kufijve: Një letër Lepës, mentores time feministe

E dashur Lepa, Draga Lepa,


Kosovo 2.0 edhe mua më ka kërkuar të shkruaj si personi i parë ‘haptazi’ lezbike në Kosovë. Për më shumë se një muaj kam pasur një luftë të brendshme: çfarë të shkruaj?

Kam një imazh për të mbajtur si gruaja e parë e martuar me një grua në ish-Jugosllavi. Ti ishe në dasmën tonë në 1996, a e mban mend? Partnerja ime e atëhershme Rachel kishte një kurorë me lule dhe një fustan. Unë kisha veshur pantallona. Ne vallëzuam me gëzim në shi, si çdo çift në ditën e tyre të dasmës. 

Por ata që dikur i konsideroja miq në Kosovë e përdorën historinë tonë të bukur. Unë doja ti shkruaja hapur Kosovo 2.0 për hipokrizinë e të ashtuquajturëve ‘aktivistët e të drejtave të njeriut’ dhe gazetarëve që i harrojnë këto të drejta kur bëhet fjalë për homoseksualitetin. Ata shkruanin informacione të pasakta, duke u tallur dhe quajtur historinë tonë një orgji nën shi. Ata për pak shkatërruan çfarë do të ishte një nga momentet më të bukura të jetës time. Me shpatulla të ftohta dhe shikime të ashpra, ashtu na pritën mua dhe Rachel kur u kthyem në Kosovë, ndryshe nga buzëqeshjet dhe urimet.


Vetëm me mbështetjen e familjes unë munda të përballesha fort me paragjykimin. Nëse familja ime nuk do të më kishte mbështetur në 1996, nuk do isha këtu ku jam sot si shumë gej dhe lezbike të cilët kanë kërkuar pranimin jashtë Kosovës. Kjo më bëri konsideroj të shkruaja për familjen time, dhe sa e rëndësishme është mbështetja familjare për personat LGBT…

Megjithatë, e dashur Lepa, nuk ndjehem akoma rahat për të ndarë këto histori. Sot në Kosovë ne kemi akoma media homofobike që kërkojnë të sensacionalizojnë tema të tilla. Kam frikë se njerëzit do të keqpërdorin historinë time. Gjatë luftës time të brendshme për të shprehur veten te lexuesi skeptik, te lexuesi kurioz, ndaj shpifësve apo kushdo që e lexon, më erdhi letra jote.

E kam lexuar me dhjetra herë, dhe po aq herë më emocionon. Më kujtove për vitet e hidhura të viteve ’90ta: lufta që kishim në Kosovë por edhe momentet e bukura që kaluam bashkë. U ndjeva e frymëzuar për të shkruar dhe kthyer letrën ty. Nuk mund të them dot në dy faqe se çfarë domethënie ke për mua dhe për lëvizjen e grave në Kosovë por do të përmend disa histori të rëndësishme.

Më kujtohen këpucët e zeza që kishim veshur të dyja natën e parë që u njohëm. Ishte 1995 dhe vizita ime e parë në Beograd. Julie Mertus, një profesoreshë nga SHBA po shkruante një libër mbi eksperiencat e grave në luftë në Kosovë, Serbi dhe Bosnje. Ajo më tha se gratë aktiviste në Beograd dalin në rrugë përditë për të protestuar kundër politikave të rregjimit të Milosheviçit. Unë nuk i besova asaj. Mendoja se e gjithë Serbia ishte kundër neve, por Julia këmbëngulte. Ajo më bëri kurioze dhe doja ta shihja vetë.

Erdhëm me autobus, por nuk ndihesha rehat. Këtu isha unë një kosovare shqiptare, duke shkuar në zemrën e bishës – Beograd, vendin nga i cili Millosheviçi ka orkestruar dhunën e tij ndaj të drejtave të njeriut. ‘Pse po shkoj në Beograd kur kosovarët po përjetojnë ferrin?, pyesja veten, duke rimenduar dhe duke u ndjerë fajtore. Pastaj, ‘BAM! Shpërtheu goma e autobusit. 

Gjatë kohës që po prisja jashtë autobusit Julia filloi të bisedonte me mua. ‘Ke një familje të mrekullueshme’ më tha. ‘’Çfarë?” Nuk të kuptoj. “Ti, Janet dhe djali i saj.” “JO”-iu përgjigja ‘’Janet është thjesht një mike, shoqe dhome. Nuk jemi bashkë.”

Por pyetja e Julias më bëri të mendoj. Ndoshta mund të flisja me të për ndjenjat që kisha për një kohë të gjatë. “Dua të them…po” vazhdova unë “kam puthur një grua por jam ndjerë e hutuar.” Julia ishte personi i parë me të cilin unë dola hapur për seksualitetin tim. Gjatë rrugës për në Beograd ajo më inkurajoi të pranoja ndjenjat që kisha. Më tha se shumë njerëz në botë jetojnë me këto ndenja e kanë krijuar marrëdhënie; se gratë mund të jetonin bashkë si një familje.

Kur mbërritëm në takimin e parë të Grave me të zeza, u ula pranë teje me këpucët e mija të zeza. I mbaj mend mirë fjalët e tua të para: “Këpucë lezbikesh.” Të shikova, ndoshta e hutuar. “Çka është butch?” mendova vet me veti, se kisha dëgjuar më parë këtë fjalë. Nuk u përgjigja. Ishte takimi im i parë me gratë serbe në Beograd, unë nuk të njihja, dhe nuk kisha besim tek ti.

Më pas shkuam në një protestë. Unë nuk mora pjesë por u ula me një anë të studioja mbi veprimet e grave serbe. Doja të shihja nëse ato që Julia më kishte thënë ishin të vërteta. Me të vërtetë: ti qëndrove në rrugë me banera kundër Millosheviçit, kundër luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kundër veprimeve të Millosheviçit në Kosovë, si mbyllja e shkollave në gjuhën shqipe. Baneri që më preku aq shumë kur e lexova ishte ai qe shkruante: ‘Gratë shqiptare janë motrat tona.’ Disa nga njerëzit që kalonin ishin të zemëruar, ata të shanë dhe të bërtitën. Të tjerë të quajtën ‘kurvat e Rugovës’, pas liderit të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Por ti qëndrove e fortë, siç ke qëndruar çdo të mërkurë që nga fillimi i luftës në Bosnje në 1992. Çdo javë ti qëndroje aty për një orë në heshtje ndërkohë që trupat tuaj flisnin kundër luftës.

Nuk do të harroj kurrë momentin kur një burrë erdhi dhe të pështyu në fytyrë. E pashë pështymën e tij që të rridhte në fytyrë. Ti nuk lëvize. Nëse do të më ndodhte mua do të kisha hequr dorën nga baneri dhe do kisha pastruar fytyrën. Por ti qëndrove e fortë. Me trupin tënd ti i tregove atij burri ‘ti nuk ekziston. Unë po protestoj me trupin tim kundër asaj se çka po ndodhë, dhe ti nuk më ndalon dot, e as pështyma jote.”


Ishte po ai moment që të vlerësova ty e dashur Lepa. Më tregove modelin e një aktivisteje në veprim. Deri atë ditë, veprimi për mua ishte bërtitja. Ti më tregove se disa herë trupi flet më shumë se sa fjalët. Ti më hape një botë të re të aktivizmit. Vite më vonë kur pesë mijë gra qëndruan në heshtje para qendrës kulturore të SHBA-së që shërbente si ambasada amerikane në Kosovë në 1998, ti më frymëzove me idenë për të qëndruar në vend me një çarçaf të bardhë: një anë përfaqësonte paqen dhe ana tjetër ishte bosh, duke ilustruar se shqiptarët nuk kishin asnjë të drejtë, kështu nuk kishim çfarë të shkruanim.

Ti u bëre mentorja ime feministe Lepa. Më dhe libra të mrekullueshëm:  Audre Lorde, Alice Walker, Angela Davis. Më mësove metodat për tu përballur me shtypjen; të mos urreja të gjithë serbët por të urreja regjimin serb.


Atë natë pas protestës time të parë të Grave në të zeza erdha në festën tënde. Dhoma ishte plot me mikesha të vjetra dhe të reja, shumica lezbike. Ne fillim kisha turp. Një vend i veçantë ishte krijuar aty ku motrat lezbike mund të vallëzonin lirshëm. 

Duke u munduar që t’ia thoja këtë lexuesve kosovarë, shumica nuk do e kuptojë. Ata do e lidhin lezbicizmin me seksin jo me solidaritetin. Ata mendojnë se ne organizojmë orgji. Nuk mundet të kuptojnë se dashuria dhe seksi nuk janë e njëjta gjë. Heteroseksualët a shkojnë në shtrat me këdo që takojnë? Jo. As gratë aty nuk po i hidheshin njëra-tjetrës atë natë. Ato po kërcenin të lumtura, të sigurta dhe të lira.

Pas dy orësh për herë të parë në jetën time e pranova veten për atë kush isha. Ishte si “Bingo! Unë jam një lezbike.” E kuptova më në fund ndjenjat që kisha dhe domethënien e tyre. Ndjeva një shpërthim të papritur gëzimi dhe vallëzova si nuk kisha vallëzuar kurrë më parë. Trupi im ndihej i lirë nga hutimi që kisha ndjerë për shumë vite. Ndihesha e çliruar…e lirë.

Nuk ishte vetëm ajo natë. Ishte rrota e shpërthyer e autobusit. Ishte Julia që më lejoi të flisja për ndjenjat e mia dhe më shpjegoi se cfarë kuptimi ka fjala butch. Ishte magjia që ndjeja kur putha një grua për herë të parë në 1994, por se dija përse. Ishte solidariteti që ndjeva në një dhomë plot me gra që më pranonin ashtu siç isha…siç jam.


Ishte solidariteti i njëjtë që ekzistonte me motrat dhe mikeshat e mia në vendet e sigurta në bodrumet gjatë 1990, kur ti na vizitove. Është ndjenja e Provinstaun. Historitë e tua në Provinstaun me japin shpresë se një ditë do të jetojmë në një botë ku solidariteti për njëri tjetrin vjen para homofobisë që na ka mbyllur ndjenjat për shumë vite.

Kqyre edhe qito

 Kam shumë ndjenja të përziera, kur kujtoj atë kohë e dashur Lepa.

Më kujtohet viti 1999. Ndërkohë që bombat e NATOs binin, ti më telefonoje çdo natë. Mu lute: Largohu tani. E di se çfarë ndodhi në Bosnje. Serbët do të godasin më fort nga bombardimet e NATO’s. Ata duan të hakmerren. Nuk mund ti zësh besë as fqinjit tënd serb.’ Ti kishe shumë të drejtë.

Ja ishe ti, një grua serbe në Beograd të cilën sapo kisha njohur që po mundohej të më mbronte. Dhe aty ishin fqinjët e mi serb të cilët kisha një jetë që njihja, u rrita duke luajtur me djemtë e tyre. Që kur mora rrogën time të parë në 1984, u dhashë para sepse babi im na mësoi të ndihmojmë ata në nevojë. Gjatë bombardimeve, kur ne shqiptarët nuk mund të blinim asgjë e as bukë, shkova dhe i pyeta nëse mund tu jepja para për cigare. Pak më pas, ajo gruaja që kisha ndihmuar gjithë jetën time, informoi policinë se familja jonë ishte akoma në shtëpi duke u fshehur.

Policia erdhi me armë, na nxorën nga shtëpia, na çuan te stacioni i trenit, dhe na detyruan të prisnim në shiun e ftohtë të marsit duke na shtyrë në tren si të ishim bagëti e duke na kërcënuar se do na digjnin të gjallë, përpara se të na detyronim te ecnim në fusha me mina në ‘tokën e askujt’ mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ne u bëmë refugjatë.

Edhe si refugjatë, ne aktivistët punuam me më shumë se 40,000 refugjatë në kampin Cegrane në Maqedoni. Ti erdhe të na vizitoje por nuk mund të thoshe se ishe Lepa nga Beograd, por u prezantove si Maria nga Italia. Prania jote aty ishte shumë rëndësi për ne aktivistët.

Dhe ja ku jemi sot e dashur Lepa, 13 vite pas luftës. Ti qëndron akoma fort në rrugët e Beogradit me pankartat e tua. Ndërkohë që Kosova negocion me Serbinë, ne gratë qëndrojmë bashkë, duke i kërkuar qeverisë tonë dhe botës ‘ku është drejtësia?”. Ku është drejtësia për atë që policët më bënë mua dhe familjes time? Kur pamë fqinjin tonë serb të na vidhte nga shtëpia? Ku është drejtësia për pensionet e humbura të shqiptarëve të Kosovës? Ku është drejtësia për gratë që u përdhunuan, mijëra që u vranë, familjet e personave ende të pagjetur? Ti ishe gruaja e parë nga Serbia që firmosi peticionin tonë që kërkonte drejtësi për krimet e kryera nga regjimi serb. Ti na qëndron pranë edhe sot në solidaritet e dashur Lepa. 

Tani disa mund të thonë që letra ime është politike. Është. Trupat tanë janë politikë. Seksualiteti jonë është politikë edhe nëse duam ose jo. Vetë jeta është politikë apo jo Lepa? Dhe unë mundem vetëm të ëndërroj se një ditë politikat tona do të jenë si ato në Provinstaun: ku njerëzit na përshëndesin në mënyrë të njëjtë pavarësisht gjinisë, etnisë apo seksualitetit.

S’do ta harroj kurrë çfarë ke bërë për njerëzit e Kosovës dhe për mua, mikesha ime lezbike, mentorja ime feministe, motra ime e shpirtit , Bukuria ime.

E jotja Igo.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top