Tu e lexu qitash
Letra ime për Igballe Rogova: Shënime për trupat e lezbikeve në shtetet tona të ndryshme hetero kombëtare

Letra ime për Igballe Rogova: Shënime për trupat e lezbikeve në shtetet tona të ndryshme hetero kombëtare

Draga Igballa, E dashur Igballe,

Kosovo 2.0 më kërkoi të shkruaj një ese për jetën time si lezbike dhe vendosa të shfrytëzoj këtë si mundësi për të të shkruar një letër të hapur. Ti je shoqja ime e dashur lezbike dhe njohuria ime e parë rreth Kosovës. Ti je shoqja ime e çmuar që nga viti 1995 kur të pashë për herë të parë me këpucë të zeza të rënda. Gjatë gjithë viteve të luftës ne qëndruam afër pa shumë fjalë, duke mësuar nga një nga lezbiket tona të preferuara, Audre Lorde: Nuk janë dallimet tona ato që na ndajnë. Është paaftësia jonë për të njohur dhe pranuar ato dallime. Dëshiroj të kujtoj së bashku me ty disa nga historitë tona të jetës si lezbike gjatë viteve 1990. Ti ke punuar me gratë e vendeve rurale si aktiviste feministe në Prishtinë në mes të okupimit serb, ndërsa unë punoja me të mbijetuarat e dhunës nga burrat, si aktiviste feministe dhe si një Grua në të zeza kundër regjimit serb në Beograd.

Si fillim më duhet të të tregoj se ku gjendem. O e dashur Igballica, e dashura ime Igballinka! Mund të them se jam në kryeqytetin e Lezbikeve dhe Mekën e Gejave në SHBA — Provincetown, një vend i vogël në oqean përballë Bostonit ku lezbiket dhe gejat janë përqendruar me dekada të tëra. Natyra këtu është e mrekullueshme, por është diçka tjetër, diçka e jashtëzakonshme. Për 50 vitet e fundit ky ka qenë një vend ku fillimisht artistët, gejat dhe lezbiket vinin ta vizitonin, dhe më pas shumë prej tyre u shpërngulën për të jetuar, për shkak të lirisë dhe komunitetit të dashur që kishte.  Kam takuar shumë njerëz të mirë këtu. Nuk mund ta besoj! Në fakt, kuptova se kurrë nuk më është mjaftuar një mjedis mbështetës shoqëror ose politik që të mund të ëndërroja se një vend i tillë mund të ekzistonte me të vërtetë. Aty ku shumë gra ecin dorë për dore, burrat gej gjithashtu, familjet lezbike luajnë me fëmijët e tyre, baballarët gej i mbajnë bebet e tyre, ndërsa flamujt e paqes me ngjyrat e ylberit po valëviten dhe na mirëpresin në të gjithë qytetin. Shoqja ime Michelle, dyke (lezbike) e përjetshme, e cila u shpëngulë këtu 18 vjet më parë për shkak të besimit në këtë komunitet, thotë se kurrë nuk e mbyll derën e saj. Qyteti ka rreth 3000 banorë dhe në verë rreth 30,000 vizitorë. Martesa e të njëjtit seks është legale në Masaçusetst të SHBA-së që nga viti 2004. Ja disa imazhe:

Dy lezbike po ecin drejt meje, me të njëjtën gjatësi, të njëjtën prerje flokësh, të njëjtat syze të errëta. Njëra po e shtyn një karrocë fëmijësh me binjakë. Ua bëj me dorë fëmijëve dhe të katërtit buzëqeshin dhe më përshëndesin me dorë mua!

Pranë oqeanit një verandë prej druri me tinguj muzikor… Unë shoh një burrë gej të moshës së mesme, që duket pothuajse si vetë Elton John. Ai po këndon me zë të lartë me muzikën, dhe më pas merr qenin e tij dhe fillon të kërcejë me të dhe ta puthë përballë rrezeve të diellit! E prekur nga emocionet, mendova, nëse burrat do të kërcenin me qentë e tyre me kaq gëzim, nuk do të kishte më kurrë luftëra!

Hyra në një dyqan të vogël, aty ishte një arkëtar pranë derës dhe një lezbike e lezetshme e moshës mesatare që qëndronte në këmbë me një buzëqeshje rrezatuese,  më përshëndeti. U ndjeva sikur më ka goditur një rrufe në zemër! Me siklet shikoja përreth dhe dola jashtë. Çfarë më preku kaq shumë? Para së gjithash ndjeva vetëbesimin e saj, qetësinë, lehtësinë e ngrohtë të trupit të saj si lezbike. Kisha një ndjenjë të plotësisë së ekuilibrit të saj me veten dhe me ambientin e saj. Ajo gjithashtu dukej si pronare e këtij dyqani. Shkëlqyeshëm, mendova, ajo dikur mori vendimin të shpërngulet në këtë qytet dhe të punonte ku të gjithë do të jenë të qetë me të ashtu siç është ajo. Po mendoja më tej: Jo vetëm që e dashuron veten për faktin se është lezbike, por edhe komuniteti i saj e sheh atë si lezbike. E ndjeva energjinë e trupit të saj, plotësisht, jo vetëm me butësinë e përkëdheljeve të të dashurës së saj, por edhe me kujdesin e fqinjëve të saj mbështetës. Nuk është çudi që u dridha, e mendoj përsëri: nuk kam qenë kurrë më parë në një vend ku lezbiket mund të rrethohen nga njëra-tjetra dhe dashamirësinë e shoqërisë aty. Një fuqi e tillë e çliruar e trupit të saj mund të përjetohet nga një lezbike që është e rrethuar nga liria sociale dhe politike. Pastaj mendova se si e ndjej trupin tim më prezent dhe më afër meje në këtë qytet – po eci rrugëve e vetëdijshme se po më shohin lezbiket. Ky fakt i pastër frymëzonte trupin tim me një energji të veçantë erotike. Mes lezbikeve ekziston një formë tjetër e ekzistimit.

II

Ja ku jam duke menduar për këtë letër, e dashur Igballe. A je duke pirë kafe tani? Unë kam çajin tim të gjelbërt dhe çokollatën e zezë për të festuar me ty. E di që nuk të pëlqejnë ëmbëlsirat, por ajvari dhe djathi.

Pamjet e para që më erdhën ishin ato nga festat e grave që i ke organizuar disa herë në Prishtinë në mes të luftës me intensitet të ulët të regjimit serb kundër qytetarëve shqiptarë në Kosovë. Ishte viti 1997 apo jo? Zakonisht ditën e parë dilnim në një restorant pronarin e të cilit e njihje – pra një vend i sigurt – dhe ne ishim me shoqet dhe motrat e tua.

Natën e dytë, ishim në shtëpinë tënde. Më kujtohet në ato ditë partnerja jote Rachel Wareham, ti dhe unë – një ditë të trijave na lindi ideja për të festuar Ditën-C! Po, nëse Eve Ensler mund të shpikte një Ditë V-Vagina, ne mund të shpiknim një Ditë C-Clitoris! Dhe kështu organizuat festa vetëm për gratë gjatë kohës së Krishtlindjeve. Po kërceje valle të nxehta orientale dhe ato i bëje me një gotë verë në kokë, që më thoje se në Kosovë këto i bënin vetëm burrat! Ishin festa fantastike, flisnim për histori lezbikesh, hapnim dhurata të lezbikeve të paketuara me kujdes ndaj njëra-tjetrës, pinim cigare dhe pije pa pushim. Mbaj mend që kthehesha në Beograd e emocionuar dhe miqtë më pyesnin Ku ke qenë? dhe unë ju thosha Një festë vetëm për gratë në Prishtinë!, dhe ata do të thoshin Ku? Me habi totale, dhe do ta përsërisja, në Prishtinë! Jo, ata nuk e kuptonin. Por unë isha krenare. Isha krenare për ty, për bandën tonë feministe, lezbike të revoltuara nga Beogradi, Prishtina, Budapesti, Nju Jorku — sepse e dinim që vallëzimi i grave është politik.

Një nga herët e para që ecëm nëpër rrugët e Prishtinës, u gëzova që isha me ty dhe miqtë e tu dhe thashë, Le të këndojmë disa nga këngët shqipe!! Dhe ti më the: Të këndosh shqip në rrugë!! Çfarë po flet! Duhet të jesh e çmendur!! Nuk do ta harroj kurrë. Jo nuk isha e çmendur, isha totalisht injorante! Nuk e dija ende se sa thellë dhe gjerësisht regjimi serb po kontaminonte dhe kontrollonte çdo segment të jetës suaj gjatë atyre viteve. Nuk mund ta imagjinoja që nuk mund të këndonit në gjuhën tuaj në qytetin tuaj! Dhe për më tepër mendova – por asnjë nga miqtë e mi në Beograd nuk e dinte këtë! Regjimi serb kontrollonte mediat, kështu që qytetarët e thjeshtë të Serbisë në ato ditë nuk duhej ta dinin se qytetarëve shqiptarë në Kosovë iu ndalohej hyrja në institucionet shtetërore (serbe), se fëmijët shqiptarë shkonin në bodrume private të errëta që shërbenin si shkolla, se kontrollet shëndetësore bëheshin shpesh edhe në bodrume, se shumica e njerëzve tuaj u përjashtuan nga puna, se terrori serb po prekte të gjitha dimensionet e përditshmërisë, ditë e natë. Siç e ka thënë qartë Hanna Arendt: Totalitarizmi ka zbuluar një mjet për të dominuar dhe terrorizuar qeniet njerëzore nga brenda.

III

Më kujtohet që një herë gjatë atyre viteve, rreth ’97-ës ke udhëtuar me veturë për në Prishtinë dhe unë isha ulur në ulësen pranë. Krejt papritur nuk ishe e relaksuar më. E ndale muzikën. Nuk e kisha idenë se çfarë kishte ndodhur. Unë thashë çka po ndodh? Ti the, hesht të lutem! Trupi yt ishte duke u dridhur. Vetëm pak minuta më pas mësova se po kalonim pikën e kontrollit të policisë serbe për të hyrë në Kosovë. Atë ditë ndjeva frikën në trupin tënd deri në fund të kockave të mia. U ngriva. Nuk do ta harroj kurrë. Frika jote ishte e thellë dhe e ftohtë si hekuri. Emocioni ishte duke e riformuar trupin të mbrojtur si një kështjellë dhe mendjen me përqendrim për vigjilencë.

Më riktheheshin në mendje pamjet e policisë serbe që kërcënonin qytetarët shqiptarë. Historia e poshtërimit mizor kur të kërkuan të ktheheshe në stacionin policor serb çdo ditë në orën 8 të mëngjesit për të marrë pasaportën tënde. Ku të lanë të presësh në një dhomë të vjetër e të zbrazët dhe të kotë deri në orën 2 pasdite. Pastaj, me zë kërcënues të thoshin të ktheheshe nesër. Dhe kështu për 32 ditë me radhë. Ndërsa pasaporta jote ishte në sirtarin e dhomës së këtij polici-fashist. Në teorinë feministe këto i quajmë ‘akte të pakuptimta’ dhe njihen si model i dhunës në familje, si dhe në regjimet totalitare dhe kampet e përqendrimit. Duke i rraskapitur dhe poshtëruar qytetarët nga ‘aktet e pakuptimta’. Më kujtohet në luftën e Bosnje dhe Hercegovinës në vitet e nëntëdhjeta, shumë herë ushtarët serbë kërkuan nga burrat boshnjakë që të hanin bari para tyre. Në gjenocidin në Burma, gratë që u burgosën kanë dëshmuar se ishin urdhëruar të hanin miza.

Në veturën tënde atë ditë, ende e heshtur, po mendoja se në fakt nuk e di sa netë pa gjumë duhet të keni kaluar ti dhe familja jote në këto vite plot frikë. Dhe kjo ishte ende para luftës së vitit 1999. Nuk mund ta imagjinoja, sepse frika në trupin tënd ishte një çështje e re për mua, nuk e kam ndjerë këtë frikë te ti kurrë më parë. Ky ishte një ndryshim i madh mes meje dhe teje. Adrienne Rich dikur tha: Momenti kur një ndjenjë hyn në trup / është politike. Sa e vërtetë është kjo! Imagjino, gjithmonë kam menduar se ky moment frike në veturë na ndau. Unë isha e shqetësuar dhe mendoja se cila është përgjegjësia ime në këtë situatë? Kur janë dy persona që i përkasin të shtypurit dhe shtypësit – atëherë njëri ka një detyrë. Një mënyrë për të parë identitetet është përmes historisë së dhimbjes. Më kujtohet tani “Parada e Krenarisë Masakra në Beograd 2001”. Rreth 800 burra neofashistë erdhën për të na rrahur, ne ishim rreth 40 lezbike dhe burra gej atë ditë vere në Beograd. Të gjithë mbijetuam dhe në diskutimet tona të gjata më pas ne lezbiket arritëm në përfundimin se ishte mirë të kishim miqtë tanë hetero pranë, pasi ata nuk kishin të njëjtin nivel frike nga sulmet homofobike si shumë lezbike. Na duhej të organizonim shumë punëtori me disa lezbike që u traumatizuan atë ditë, në mënyrë që të lejonim që kjo frikë homofobike të pranohej dhe të zgjidhej.

Në një ditë tjetër në po ato vite të nëntëdhjeta, duhej t’i jepja diçka një miku shqiptar të një miku nga Prishtina, kështu që shkova në një stacion autobusi për t’ia dhënë, një libër mendoj. Ne ishim ulur në një kafene të vogël në stacionin e autobusit dhe ai po fliste me zë të ulët. E vura re krejt papritur se ishte një zë i ulët shumë i aftë. Ai dinte teknikat që nuk i kisha hasur kurrë më parë, shumë mënyra për të folur me këtë zë të ulët, në mënyrë që të tjerët afër të mos dëgjojnë.  Një tekst feminist që Alice Schwartzer, një shkrimtare feministe nga Gjermania e shkroi shumë vite më parë, Ndryshimi i vogël dhe pasojat e tij të mëdha, ku ajo përshkruan shtypjen gjinore dhe e emërton atë përmes termit popullor: dallimi i vogël. Ky është ky ndryshim i vogël mes meje dhe teje, e dashur Igballe, historia e trupave të shqiptarëve gjatë terrorit të regjimit serb. Faktet duken të njëjta: jetojmë në të njëjtën familje, në të njëjtën rrugë, por unë kam frikë nga përdhunimi ndërsa vëllai im hetero jo. Frika ime më mëson të eci natën në anë të dritave të rrugëve, ndërsa ai si një njeri pa frikë në këtë situatë të veçantë mund të endet natën në çdo rrugë. Këtu po hapi temën se si identitete të ndryshme – të qenit e shtypur si shqiptare, si grua, si lezbike – nënkuptojnë emocione të ndryshme që na presin në momente të caktuara historike. Kur ecja nëpër parkun në Beograd, ku rrinë skinheads mikja ime rome më thotë Jo, nuk po shkoj atje! Frika e saj i thoshte të shmangte vendin me racistë. Si të mësojmë për ndjenjat e njëri-tjetrit? Sepse nëse e dini se unë jam e vetëdijshme se si ndiheshi, unë jam dëshmitare e dhimbjes tënde dhe ti ke mundësi të ndihesh më pak e vetmuar. Ky takim i dy miqve me gjurmë të ndryshme dhimbjeje sociale është ajo që më frymëzon sot në këtë letër për ty e dashur Igballa.

IV

A e mban mend kur të gjithë ju më ftuat mua dhe shoqen tonë feministe lezbike, Bobana Maçanoviq, të vinim në Konferencën e Parë për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë në dhjetor të vitit 1999. Ishte pasi lufta u ndal nga marrëveshja e Kumanovës, dhe më në fund shqiptarët mund të pushonin pak nga sundimi serb dhjetëvjeçarë mbi qytetarët shqiptarë. Në atë kohë tashmë ishte e qartë se regjimi serb gjatë luftës së vitit 1999 dëboi me forcë dhe terror rreth 850.000 qytetarë shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu, deri në atë kohë ne tashmë e dinim se më shumë se 11,000 vdekje në Kosovë janë raportuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë. Ky është pothuajse dyfishi i viktimave për Kosovën sesa numri i viktimave të Luftës së Dytë Botërore. Në anën tjetër, pas Marrëveshjes së Kumanovës, mijëra qytetarë serbë u detyruan të largohen nga Kosova, pra në Prishtinë nga rreth 45.000 serbë dhe romë, në atë moment mbetën rreth 400.

Kqyre edhe qito

Kjo do të ishte konferenca e parë kosovare për të drejtat e njeriut në 10 dhjetor 1999. Unë dhe Bobana vendosëm të shkonim, por nuk dinim si të arrinim në kufirin ku do të na presë mikja jonë. Pas luftës së vitit 1999 nuk kishte më autobusë Beograd – Prishtinë. Asnjë. Kështu, ne morëm një autobus për në fshatin e fundit në Serbi, dhe më pas ecëm. Ky ishte viti i fundit i policisë së Millosheviçit. Nuk e kishim idenë se si të silleshim në atë kufi të ri. Pritëm para hambarit të policisë dhe njëri prej policëve tha: Ku po shkoni? Unë i thashë Prishtinë, dhe ai tha: atje, qysh atje?,  dukej sikur qëndronte në kufirin për në fund të botës dhe nuk ka asgjë tjetër përtej! Të gjithë njerëzit kanë ikur nga Prishtina, e ju po shkoni? Tingëllonte thuaj se nuk ka më njerëz fare në Prishtinë. Çka keni punë atje? Mbaj mend që më erdhi një valë frike, çka dreqin po bëjmë në Prishtinë? Ne u përgatitëm të mos themi se do të shkojmë në konferencën për të drejtat e njeriut, por në një vizitë private, vetëm për t’u siguruar që do t’ju shohim të gjithë juve. Kështu që kur e bëri këtë pyetje për herë të dytë i thashë, I dashuri është në Prishtinë! Pas kësaj ai tha në rregull, shkoni. Pas kufirit ndërkombëtar të KFOR-it, ne kishim aktivisten më elegante, shoqen tonë të dashur Nazlie Bala, duke na pritur në veturën e zezë që shkëlqente, dhe xhipin e policisë ndërkombëtare në mbështetje, si në filma. Shumë gjëra të ndryshme ndodhën në ato tre ditët e ardhshme. Bobana kishte frikë të fliste gjuhën serbe në rrugët e Prishtinës, kështu që marrëveshja ishte të flisnim në anglisht, por ajo nuk e dinte edhe aq mire. Në ato tre ditë ne kemi fjetur në banesën tënde dhe vetëm aty kemi folur serbisht, për shkak se dëshironim të respektonim dhimbjen e fqinjëve. Unë dhe Bobana dëgjuam histori të tmerrshme të grave që u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Kosovë, si ti dhe familja jote, të frikësuara, të ngjeshura në trena që na kujtonin deportimet e trenave në Aushvic, dokumentet e identitetit të vjedhura, të pështyra në fytyrë, të hedhura mbi kufirin maqedonas apo shqiptar për të pritur ditë e netë. Gjithashtu, histori dhimbjeje të grave që gjatë gjithë kohës së luftës gjatë  vitit ‘99 qëndruan në shtëpi nën terrorin serb të frikësimeve të përditshme, dhunës seksuale, kërcënimeve me vdekje. Kaq shumë detaje të poshtërimit të thellë. Sa turp për njerëzimin ata fashistë serbë, e bënë sërish!

Në konferencë më perceptuan si “trup serb” dhe këtë e mora si përgjegjësinë time specifike. Dëgjova si një motër dhe në të njëjtën kohë e dija se ky është një takim i “Motrave nga Serbia” dhe “Motrave shqiptare nga Kosova”. Historitë që kam dëgjuar më kanë përlotur, deri në skaj të neverisë dhe tërbimit. Krimet e bëra në emrin tim, nga burra të rrugëve të mia, nga burra me uniforma me të njëjtën emblemë kombëtare në pasaportën time, e kanë luajtur me paratë e mia. Vetëm pak vite pas gjenocidit në Srebrenicë! Përsëri, për të thënë.

Pas kësaj përvoje komplekse në Prishtinë u ktheva me dy çështje kyçe në trupin dhe mendjen time. Së pari, nuk mund të largohesha nga dhimbja që kam ndjerë nga lufta e Kosovës dhe nuk mund të ndaloja së menduari se çfarë duhet të bëj? A mjafton të shpreh ndjenjën time të pikëllimit të thellë? Cila është përgjegjësia ime si aktiviste feministe nga Serbia? Si një Grua në të zeza,  si të veprohet ndaj krimeve të turpshme që u janë bërë shqiptarëve? Çfarë lloj faljeje për krimet e bëra në emrin tim mund të dëgjoni me besim? Këto pyetje qëndruan tek unë dhe shumë prej nesh aktivistëve për vite të tëra në aktivitete të ndryshme që kryenim në ndjekje të një qasjeje feministe për drejtësinë tranzicionale.

Pasi shkrova një raport nga kjo konferencë dhe u qetësova brenda dy javësh, e kuptova se kisha një dhimbje në bark për një çështje tjetër. U ngrit papritur: Si mund ta gënjeja policin fashist në atë kufi për të dashurin tim? Për të kapërcyer pengesat nuk ndoqa zemrën time të dashurisë lezbike, as vizionin tim politik. Sa herë më parë më duhej të fshihesha? Jeta lezbike në shoqërinë lezbofobike nënkupton gënjeshtra të vazhdueshme. Për të mbetur thjesht gjallë, lezbiket në mjedise patriarkale duhet të gënjejnë në një moment të jetës së tyre. Të gjithë bëhemi gënjeshtarë. Unë e di atë. Por këtë herë thashë OK, e kam bërë, mirë, por mjafton. Pas këtij kufiri vendosa t’i premtoj vetes se nuk do ta përdor më veten time lezbike në maskim. Asnjë kufi fashist, asnjë polici lufte, asnjë pikë kontrolli nuk do të më bëjë ta bëj përsëri këtë. Do të përpiqem të shmang pengesat për disa arsye të tjera! Ah, ndjej lehtësim duke e shkruar këtë për herë të parë tani. E dashur Igballe, faleminderit që më dëgjove. E di qe do më kuptosh. Ne jemi të gjithë në këtë botë mizogjene dhe si aktivistë përfundojmë të bllokuar në një vend sepse kemi frikë, por ne bëjmë më të mirën që mundemi në këto rrethana të caktuara për të mbijetuar. Dhe pastaj mësojmë. Ne themi, OK kjo është ajo! Dhe vazhdojmë! Të dua shumë shoqja ime, vetëm mund ta imagjinoj sa herë je ndarë mes ‘trupit tënd shqiptar’ dhe ‘trupin e një lezbikeje’ në jetën tënde. Dhe pastaj ndonjëherë qajmë, vetëm ose pranë të dashurve tanë, sepse e dimë se duhet të bëjmë kompromise, edhe nëse nuk duam. Për lezbiket në zona të luftës kjo është një dilemë e vazhdueshme. Lezbiket palestineze na treguan edhe historitë e tyre dramatike mbi këtë temë. Kjo është një çështje për lezbiket edhe pa luftë: si të sinkronizohet familja etnike nga njëra anë dhe lezbiket e dashuruara motrat e hënës nga ana tjetër. Muslimane, chicana, afro, aziatike… Nuk do të ndalem kurrë së foluri se sa shumë të admiroj për kapacitetin dhe butësinë me të cilën kujdesesh për familjen tënde dhe komunitetin tënd të lezbikeve në të njëjtën kohë. Mezi pres vallëzimin tjetër me ty. 

Dhe, vetëm për të të kujtuar se je e dashur nga feministët në të gjithë rajonin: Nëse Igballja e bën festën, ne do të vallëzojmë deri në agim! Të puthë dielli sot fytyrën tënde e dashur Igballe. 

~

E jotja Bukurije.

Lepa Mladjenovic.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top