Tu e lexu qitash
16 qirinjë për 17 shkurt

16 qirinjë për 17 shkurt

16 vjetori i shpalljes së pavarësisë ngërthen në vete emocionet e lirisë, pavarësisë, gëzimit, dhembshurisë, mirënjohjes etj. Por, më së rëndësishmi, në këtë ditë manifestohet të qenurit, e drejta dhe liria për identitet e vetëvendosje.

Shqiptarët e Kosovës kanë qenë grup i  shtypur sistematikisht nga aparatura e shetit jugosllav që nga themelimi i saj e deri te regjimi totalitarian i Millosheviçit, i përfunduar me luftën e viteve 1998-99, ku mbetën të vravë e të zhdukur 13,535 njerëz. Ndër ta edhe  qytetarët rom, ashkali, egjiptian dhe minoritete të tjera të shtypur nga i njëjti sistemi i kohës.  Identiteti shqiptar ka qenë cak i planeve ushtarake për spastrim etnik, dëbim masiv, gjenocid etj. Liria nga kjo shtypje sistemike disa vjeçare erdhi edhe si rezultat i përkushtimit kolektiv për liri e barazi.


Andaj, çdo përvjetor dhe jo vetëm, duhet të jetë rikujtim i pikërisht atij përkushtimi kolektiv dhe bashkimi i forcave kundër shtypjes, diskriminimit, dhunës dhe çfarëdo sistemi që krijon pabarazi. Duhet të na ndërgjegjësojë për përgjegjësinë që kemi sot për barazi shoqërore.

Luftimi i pabarazive shoqërore është jetik për mirëqenien dhe zhvilimin e një shoqërie demokratike. Prandaj, ne duhet që të angazhohemi kolektivisht për sfidimin e një sistemi që mirëmban padrejtësitë shoqërore dhe për interesat e disave dehumanizon të tjerët.

Sot në ditën e pavarësisë, ju bëjmë thirrje të qëndroni në solidaritet e të angazhoheni për të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë njerëzve të shtypur, qofshin ata persona LGBTIQ+, rom, ashkali, egjiptian, turk, serb, myslimanë, katolikë, ateistë, me aftësi të kufizuara fizike, psiqike, intelektuale dhe për këdo që përjeton shtypje.


Në përvjetorin e 16 të Pavarësisë së Kosovës, ne duam të ju rikujtojmë dylberave që kjo pavarësi ju përket edhe juve si çdo qytetari tjetër. Dylberat festojnë sepse dylberat janë këtu dhe do të vazhdojnë të jenë e të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës.

Urime Dita e Pavarësisë të githë kosovarëve kudo që janë!





© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top