Dominika dekriminalizon marrëdhëniet e të njëjtit seks

Gjykata e Lartë e Dominikës ka hedhur poshtë një ndalim për marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks në një prej ishujve të Karaibeve. Gjykata vendosi se pjesë të një ligji që kriminalizon marrëdhëniet mes të njëjtit seks bien ndesh me kushtetutën e vendit.

Një burrë gej që jeton në Dominika, ngriti këtë çështje dhe tha se ligji shkelte të drejtat e tij kushtetuese. Aktivistët LGBTQ+ e mirëpritën vendimin, duke e festuar atë si “një moment historik i rëndësishëm në luftën e vazhdueshme për të drejtat e personave LGBTQ+ në Karaibe”.

Gjykata vendosi se nenet 14 dhe 16 të Ligjit për Kundërvajtjet Seksuale, i cili kriminalizonte mardhëniet konsensuale ndërmjet të rriturve të të njëjtit seks, ishin jokushtetuese.

Gjyqtarja Kimberly Cenac-Phulgence tha se Gjykata gjeti se ata kanë shkelur të drejtën e lirisë, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e privatësisë personale, siç parashikohet në kushtetutën e vendit.

Paditësi anonim, një burrë gej, deklaroi se ligjet e kishin privuar atë dhe se ai ” jetonte në frikë të vazhdueshme nga sanksionet penale për përfshirje në aktivitete seksuale konsensuale” dhe më tej argumentoi se këto ligje nxisnin “sjellje të urrejtjes dhe të dhunës ndaj tij dhe personave të tjerë LGBTQ+, gjë që ai tha se e pengoi atë “të jetojë dhe të shprehet lirisht dhe me dinjitet”.

Duke reaguar ndaj vendimit, Daryl Phillip, themeluesi i shoqatës bamirëse Minority Rights Dominica (MiRiDom), tha: “Ky vendim e vendos Dominikën në një rrugë premtuese drejt rivendosjes së dinjitetit të njerëzve dhe mbrojtjes së të drejtave të njerëzve LGBTQ+ për privatësi, shëndet dhe liri nga tortura dhe trajtimi jo i mirë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”

Ai shtoi, megjithatë, se vendimi nuk do të thotë “se homofobia do të ndalet nesër”. “Është një proces,” tha z. Phillip.

Outright International, një Organizatë për të drejtat e njeriut dhe pesonave LGBTQ+, tha: “Dekriminalizimi ndihmon në krijimin e një mjedisi ku individët LGBTQ+ mund të jetojnë hapur pa frikë nga persekutimi, duke u mundësuar atyre të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, edukim dhe punësim pa u përballur me diskriminim.”

“Shfuqizimi i këtyre ligjeve diskriminuese është një dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të aktivistëve dhe aleatëve që kanë luftuar prej kohësh për drejtësi dhe barazi. Është fitore për të drejtat e njeriut dhe një moment historik në luftën e vazhdueshme për të drejtat LGBTQ+ në Karaibe”, tha drejtorja ekzekutive e Outright, Maria Sjödin.

Ligjet që kriminalizojnë marrdhëniet seksuale ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks në vendet anglishtfolëse të Karaibeve u imponuan për herë të parë nga britanikët nën sundimin e tyre në vitet 1800, sipas një raporti nga Outright.

Vitet e fundit, një numër i kombeve anglofone të Karaibeve kanë shfuqizuar ligje të tilla, duke përfshirë Antigua dhe Barbuda, Barbados, Belize, Saint Kitts dhe Nevis dhe Trinidad dhe Tobago. Një rast është gjithashtu në pritje në St Lucia.

Kombet e Karaibeve ku marrëdhëniet e të njëjtit seks janë ende të kriminalizuara përfshijnë Guajanën, Grenadën, Xhamajkën dhe Shën Vincentin dhe Grenadinet.

Artikulli u publikua në BBC dhe u përthye nga Dylberizm

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top