Tu e lexu qitash
“Është koha për llogari, institucionet që heshtin janë bashkëfajtore” me mesazh të qartë fillon Java e Krenarisë në Prishtinë

“Është koha për llogari, institucionet që heshtin janë bashkëfajtore” me mesazh të qartë fillon Java e Krenarisë në Prishtinë

Java e Krenarisë është hapur zyrtarisht sot në Prishtinë, ku mblodhi bashkë aktivistë, dylbera, aleatë, vendimmarrës, ambasadorë e përfaqësues ndërkombëtarë në ngjarjen tradicionale të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, që shënoi fillimin e një jave të planifikuar me plot aktivitete.

Gjatë ceremonisë së hapjes u mbajtën fjalime nga Blert Morina nga CEL Kosova si një ndër organizatorët e Javës së Krenarisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ambasadorë të BE-së dhe Suedisë në Kosovë të cilët folën për sfidat, gëzimin dhe rezistencën që përfaqëson kjo javë.

Në fjalimin e tij përshëndetës, Blert Morina përqoi mesazhin më të qartë se “nuk kemi arritur askund afër atje ku duhet të jemi”.

“Strehimorja nuk ekziston për shkak se shteti ka dështuar t’i mbrojë qytetarët e vet. Sepse martesa mes personave të seksit të njejtë ende është vetëm një kauzë, e jo një e drejtë. Sepse identiteti gjinor i njohur ligjërisht është përjashtim, jo rregull. Sepse shërbimet për personat trans janë të pakta, të paqasshme, të pamjaftueshme – dhe shpesh, të shoqëruar me turp dhe përçmim. E gjuha e urrejtjes jo vetëm që nuk është zbehur – është bërë më institucionale, më e rafinuar, e më e ligjshme.” nënvizoi Morina.

Ndër të tjera, Morina shtoi se “Urrejtja nuk është më vetëm një koment në rrjete sociale. Është një vendim gjyqësor që nuk jep drejtësi. Është një deputet që përdor foltoren për të dehumanizuar njerëz. Është një shkollë që nuk mbron fëmijën LGBTI nga bullizmi. Dhe le ta themi hapur: këtu, në Kosovë, identiteti gjinor dhe seksual janë ende arsye për të mos ndjerë siguri, për të mos pasur të ardhme, për të mos ekzistuar lirshëm.”

“Për shtetin tonë, shpesh ne nuk ekzistojmë. Ekzistojmë vetëm nëpër strategji të papërfunduara. Në draft-ligje që mbeten në sirtarë. Në fjalime që mbahen një ditë në vit – si kjo e sotit. Por ne nuk jemi numra. Nuk jemi agjendë politike. Ne jemi njerëz. Dhe kjo dhunë që përjetojmë – nuk është “mospërputhje vlerash”. Është dhunë e vërtetë. Është përjashtim. Është heshtje. Është ikje nga përgjegjësia. Dhe le ta them edhe më qartë: nuk ka më vend për durim. Kemi pritur. Kemi shpjeguar. Kemi edukuar. Kemi kërkuar. Tani, është koha për llogari.” përfundoi Morina. 

Ndërkaq kryministri në detyrë, z. Albin Kurti e bëri hapjen e Javës së Krenarisë duke mikpritur të pranishmit në qeverinë e Kosovës, “në qeverinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim”. Ndër të tjerash, ai citon nobelistin e shkencave ekonomike Amartya Sen, i cili thekson “Mundësinë për tu shfaqur në publik pa turp”. 

Sipas kryeministrit në detyrë ky është një aspekt i domosdoshëm i barazisë mes qytetarëve. “Pikërisht në këtë drejtim mbajtja e Javës së Krenarisë është një traditë kuptimplote e me rëndësi për Kosovën. Kjo javë dhe të gjitha ngjarjet që do të zhvillohen si pjesë e saj e mbështesin fuqishëm parimin që secili prej nesh ka të drejtë të shfaqet në publik ashtu siç është, pa turp, pa siklet dhe pa poshtërim. Pikërisht pse jemi njerëz të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë, e nëse duhet, atëherë mundemi.”

Ndërsa kryeministri në detyrë fliste për përkushtimin e qeverisë për barazi dhe gjithëpërfshirje, Udhëheqësi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Aivo Orav, theksoi se gjuha e urrejtjes e përdorur në diskurs publik nga deputetët ishte mjaft shqetësuese “…rrugëtimi për barazi nuk përfundon asnjëherë dhe fatkeqësisht, duhet të përmend edhe diskriminimin publik që është bërë përgjatë fushatave zgjedhore dhe gjatë seancave në Parlamentin e Kosovës, këto janë të papranueshme, dhe e vlerësoj tej mase të gjithë ata që e dënuan këtë gjuhë dhe sjellje”.

Ngjarja u përmbyll me fjalimin e Ambasadorit të Ambasadës së Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund, që vuri në pah rekomandimet për Qeverinë e Kosovës për të drejtat e personave LGBTIQ+.

“Ka rekomandime të ndryshme për të forcuar ligjet dhe ndër të parat është ndërtimi i strehimores së sigurtë për personat LGBTIQ+. E dyta është shëndetësia gjithëpërfshirëse për personat transgjinorë. E treta është të ketë njohje ligjore për personat trans në kodin civil dhe e fundit është që ne duhet të vazhdojmë të luftojmë gjuhën e urrejtjes”, tha ai ndër të tjera në fjalimin e tij.

Në ditët në vijim, në Prishtinë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, nga ekspozita dhe diskutime publike, deri te performanca artistike dhe parada tradicionale e Krenarisë.Programin e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top