Tu e lexu qitash
Tirana solidarizohet me Palestinën në një protestë paqësore

Tirana solidarizohet me Palestinën në një protestë paqësore

Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën të martën në Sheshin Skënderbej në Tiranë, për të shprehur solidaritetin me popullin palestinez dhe për të kërkuar fundin e pushtimit izraelit në Rripin e Gazës. Protesta u zhvillua në kuadër të një vale globale mobilizimesh që dënojnë agresionin, rrethimin dhe gjendjen humanitare që po vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më shumë. 

Protesta në Tiranë erdhi në një moment kur Gaza është futur në fazën e pestë të kequshqyerjes, një shkallë ekstreme që sinjalizon urinë masive dhe kolapsin e plotë të jetës civile. Aktivistët që u mblodhën iu bashkuan thirrjeve ndërkombëtare për drejtësi dhe ndërprerjen e menjëhershme të gjenocidit dhe politikave të aparteidit kundër palestinezëve.

Në mesin e protestuesve ishte edhe aktivistja e njohur suedeze për ndryshimet klimatike, ngrohjen globale dhe të drejtat e njeriut, Greta Thunberg, e cila qëndroi në mbështetje të plotë të lëvizjeve pro-palestineze në Shqipëri. Ajo ritheksoi sesi gjenocidi në Gaza, që po dokumentohet në kohë reale, vjen si rrjedhojë e heshtjes dhe bashkëpunimit në nivel global, duke nënvizuar domosdoshmërinë për të protestuar në mënyrë të vazhdueshme për lirinë e Palestinës.

“[…] kjo që po ndodh në Gaza është rrjedhojë e heshtjes dhe bashkëpunimit që ia mundëson Izraelit të kryejë këtë gjenocid që po dokumentohet në kohë reale. Kjo që po ndodh në Gaza është vazhdimësi e urisë, aparteidit ilegal, rrethimit dhe tani gjenocidit prej të cilit palestinezët kanë përjetuar ndër dekada e dekada.”

Feministja dhe njëra nga aktivistet më të zëshme për të drejtat e dylberave, Xheni Karaj, pohoi se ajo vetë dhe shoqëria jonë e ka përjetuar në lëkurë padrejtësinë nga një sistem që përpiqet të bindë që një jetë vlen më pak se një tjetër, ndaj nuk mundemi kurrsesi të qëndrojmë indiferentë ndaj një populli si Palestina që po i jeton këtë padrejtësi në përmasa katastrofike. Ajo vazhdoi duke thënë: 

“Ne jemi mësuar të besojmë se identitetet tona janë të ndara, se secili popull ka betejën e vet. Por unë besoj se identitetet janë të ndërthuruara, dhe dhimbja e tjetrit nuk është kurrë e largët. Kur një popull dehumanizohet dhe shpallet i padenjë për të jetuar, atëherë ajo dhunë na prek të gjithëve!”, raporton gazeta Nyje.al.

Protestuesit në tentativë për të marshuar, u përballën me kordonin e pakalueshëm të policisë. Ata këmbëngulën për të vazhduar marshimin drejt bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrisë për të riformuluar akuzat politike dhe pozicionimit pro-gjenocid të kryeministrit Edi Rama.

Një prej aktivistëve rimori megafonin për të thënë që Palestina duhet të jetë e lirë! Protestuesit e përmbyllën protestën duke rimarshuar përreth sheshit Skëndërbej duke kënduar këngët për liri për Palestinën, dhe duke nënvizuar që është e rëndësishme që kjo energji e rebelim të vazhdojë çdo ditë, nga gjestet më të vogla deri në manifestime politike kolektive, deri në lirinë e Palestinës.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top