Tu e lexu qitash
Rekord prej 44 sportistësh LGBTQ+ të deklaruar hapur do të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano 2026

Rekord prej 44 sportistësh LGBTQ+ të deklaruar hapur do të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano 2026

Ekipi LGBTQ+ do të jetë më i madhi ndonjëherë në një Olimpiadë Dimërore, dhe numri i sportistëve të deklaruar hapur që do të garojnë për medalje ari në Milano vazhdon të rritet.

Të paktën 44 sportistë gej, lezbike, biseksualë, trans dhe queer të deklaruar hapur do të garojnë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano 2026, që nisën më 6 shkurt, duke shënuar një rekord për Olimpiadat Dimërore.

Sipas platformës mediatike digjitale Outsports, ekipi LGBTQ+ përfshin tetë sportistë amerikanë, rreth 3% të ekipit të SHBA-së, me shtatë gra dhe një burrë (patinatori i shpejtësisë Conor McDermott-Mostowy). Amber Glenn, një nga shpresat kryesore amerikane për medalje në patinazh artistik, është gruaja e parë patinatore artistike LGBTQ+ e deklaruar hapur në historinë olimpike.

Po ashtu, i pranishëm do të jetë sportisti i parë trans i identifikuar publikisht në historinë e Olimpiadave Dimërore: Elis Lundholm nga Suedia, i cili është garues në skijim moguls.

Në total ka 34 gra dhe 10 burra të deklaruar hapur, një raport rreth 7 me 2, dukshëm më i ulët se raporti 9 me 1 në Lojërat Verore. Kjo ndodh pjesërisht sepse sportet dimërore kanë më pak sporte ekipore, ku gratë e deklaruara hapur hasen më shpesh. 

Në Milano do të ketë 22 lojtare hokeji në akull, të gjitha gra, duke e bërë hokejin sportin me numrin më të madh të sportistëve LGBTQ+. 

Sporti i vetëm madhor ku burrat e deklaruar hapur janë më të shumtë se gratë është patinazhi artistik, me të paktën gjashtë burra dhe një grua. Sporte të tjera të përfaqësuara nga sportistë LGBTQ+ janë: skijimi (alpin dhe freestyle) me gjashtë; patinazhi i shpejtësisë, katër; skeleton, dy; dhe nga snowboarding (snoubourdingu), curling (karlingu) dhe biathlon (biatloni), nga një sportist secili.

Rritja e numrit të sportistëve të deklaruar hapur vazhdon të jetë trend si në Lojërat Dimërore ashtu edhe në ato Verore. Në Olimpiadën Dimërore 2022 kishte 36 sportistë të deklaruar hapur, 15 në 2018 dhe shtatë në 2014, që do të thotë një rritje gjashtëfish në 12 vjet. 

Edhe Lojërat Olimpike Verore Paris 2024 shënuan rekord, me 199 sportistë LGBTQ+ të deklaruar hapur. Dhe kurrë nuk i dihet se kë mund të takosh në Pride House Milan – qendra kryesore LGBTQ+ e këtyre Lojërave Dimërore.

Dëshira për dukshmëri LGBTQ+ në Olimpiadat Dimërore

Sportistët olimpikë LGBTQ+ thonë se dukshmëria dhe dëshira për të qenë vetvetja pa u fshehur janë arsye kryesore pse kanë dalë hapur.

“Kam qenë gjithmonë e aftë fizikisht. Kjo nuk ka qenë kurrë në diskutim,” tha Glenn për Outsports. Ka qenë gjithmonë një problem i lidhur me mendjen dhe kompetencat. Kam luftuar për një kohë të gjatë me betejat e brendshme: kur duhej të mbështetesha te pikat e mia të forta dhe kur të punoja mbi dobësitë, kur ta lejoja veten të shfaqesha në akull ashtu siç jam jashtë tij. Kjo vërtet filloi kur dola hapur publikisht.”

Patinatori amerikan i shpejtësisë McDermott-Mostowy nuk e kishte fshehur kurrë nga konkurrentët faktin që ishte gej, por gjithashtu nuk ishte tipi që të valëviste flamurin ylber apo ta diskutonte publikisht, deri në vitin 2021. Një nga shtysat ishte të rrëzonte mitin se burrat gej nuk janë të aftë në sport.

“Mendoj se gjithmonë e kam pasur këtë në mendje,” tha ai kur doli publikisht. “Nuk doja të flisja për të qenit gej, sepse ekziston stereotipi që burrat gej nuk janë atletikë, dhe nuk doja që kjo të përdorej kundër meje ose për të justifikuar një rezultat të keq. Kjo më ka bërë të ndihem i parehatshëm. Por tani mendoj se askush nuk mund të thotë asgjë.”

Pas një sëmundjeje të papritur që e pengoi të hynte në ekipin e SHBA-së në vitin 2022, McDermott-Mostowy shkëlqeu në provat olimpike këtë muaj dhe fitoi për herë të parë kualifikimin. “Mision i përmbushur,” – tha ai pasi ai siguroi vendin.

Për patinatorin francez Kevin Aymoz, dalja hapur si gej ishte një proces shërimi.

“Kur dola për herë të parë, i kisha vënë një fashë një plage,” tha ai. “Por tani… duke folur publikisht dhe duke u çliruar, pata mundësinë ta hiqja atë fashë dhe ta lija plagën të merrte frymë. Dhe nuk ka më plagë. Gjithçka mbaroi. Më bëri të ndihem mirë. Dhe nëse ka ndihmuar edhe njerëz të tjerë, kjo më bën të ndihem edhe më mirë.”

Lista e sportistëve LGBTQ+ të deklaruar hapur në Milano pritet të rritet

Pritet që numri përfundimtar për Milanon të rritet, pasi kjo ka ndodhur në çdo Olimpiadë të fundit pas publikimit të listës fillestare nga Outsports. (Për shembull, tre sportistë u shtuan vetëm një ditë pas njoftimit fillestar.) Ndërsa pothuajse të gjithë sportistët meshkuj dalin hapur përmes mediave (për shkak të numrit të vogël), shumë gra janë të deklaruara hapur në rrjetet sociale, pa marrë vëmendjen e mediave. Shtoji këtu edhe barrierat gjuhësore, dhe është e lehtë që ndonjë sportist i deklaruar hapur të mos vihet re fillimisht.

Një nga mënyrat si përpilohet lista është kontrollimi i profileve në rrjetet sociale të dhjetëra sportistëve, duke kërkuar shenja të qarta se janë LGBT+, dhe më pas kontaktimi i tyre për verifikim.

Një shembull është lojtarja franceze e hokejit Lore Baudrit, e cila kishte postuar një foto të ëmbël të djalit të saj, Sacha, me një lidhje të përbashkët me Marion Allemoz, ish-lojtaren franceze të hokejit. 

Outsports kishte kontaktuar Baudrit-in për të pyetur nëse Allemoz është bashkëshortja e saj dhe ajo e ka konfirmuar. 

Rritja e vazhdueshme e sportistëve LGBTQ të deklaruar hapur në Lojërat Olimpike Dimërore të Milano 2026 tregon fuqinë e dukshmërisë, pranisë dhe përfaqësimit, duke frymëzuar brezat e ardhshëm të atletëve të guximshëm të jenë vetvetja pa frikë. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top