Tu e lexu qitash
Nepali hyri në histori si shteti i parë i Azisë Jugore që njohi martesat e të njëjtit seks

Nepali hyri në histori si shteti i parë i Azisë Jugore që njohi martesat e të njëjtit seks

Nepali është shteti i parë në Azinë Jugore, që njihet si rajon tradicional e konservator, që njeh ligjërisht martesat e të njëjtit seks e që është një fitore mahnitëse për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Gjykata Supreme e Nepalit ndërmori hapin historik me vendimin që të gjitha martesat e të njëjtit seks duhet të regjistrohen ligjërisht.

Përmes një vendimi të përkohshëm, gjyqtari i Gjykatës Supremre Til Prasad Shrestha ka urdhëruar qeverinë nepaleze që të fillojë menjëherë regjistrimin e martesave të të njëjtit seks dhe bashkimeve të partnerëve heteroseksuale jo-tradicionalë, ndërkohë që legjislacioni është përgatitur për të ndryshuar ligjin.

Derisa të futet një kuadër i ri ligjor për të mbështetur përgjithmonë bashkimet e partnerëve  të të njëjtit seks,  Gjykata Supreme vendosi që duhet të krijohet një regjistër i veçantë i martesave për çiftet e të njëjtit seks, i cili thuhet se u jep atyre të njëjtat të drejta si çifteve heteroseksuale.

Sunil Pant, aktivisti kryesor për barazinë martesore në Nepal dhe dikur i pari  e i vetmi anëtar gej i parlamentit foli për reagimin e lumtur ndaj këtij vendimi.

“Njerëzit tashmë po festojnë,” njofton Human Rights Watch. “Ata po kthehen me nxitim në fshatrat e tyre për të mbledhur dokumente për martesat e tyre.”

Pant vlerëson se rreth 200 çifte të të njëjtit seks mund të regjistrojnë martesat e tyre në muajt e ardhshëm.

Vendimi pason dorëzimin e një peticioni në qershor nga aktivistët e komunitetit LGBTQ+, duke kërkuar zbatimin e vendimeve tashmë ekzistuese. Ka vendime që datojnë që nga viti 2007, që udhëzojnë qeverinë nepaleze të njohë martesën e të njëjtit seks dhe të formojë një komitet për të përgatitur një ligj për legalizim. Megjithatë, administratat e njëpasnjëshme i kanë zvarritur punët dhe nuk kanë arritur të sjellin ndryshime legjislative.

Gjykata Supreme e Nepalit ka kërkuar që kundërshtarët e urdhrit të saj të paraqesin kundërshtimet brenda dy javësh.

Vendimi historik i Gjykatës së Nepalit e bën atë kombin e parë të Azisë Jugore që angazhohet për barazinë martesore. Bangladeshi, Butani, India, Pakistani, Shri Lanka dhe Maldivet ende nuk lejojnë që çiftet e të njëjtit seks të martohen.

Brenda kontinentit të Azisë, vetëm Tajvani ka legalizuar martesat e të njëjtit seks.

Në Indi, një panel prej pesë gjyqtarësh i gjykatës më të lartë të vendit filloi debatin në prill nëse qytetarët e demokracisë më të populluar në botë do të fitojnë barazi martesore.

Artikulli është publikuar fillimisht në PinkNews dhe është përkthyer nga Dylberizm.

Kqyre edhe qito
Pride flag raised next to European Union flag.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top