Tu e lexu qitash
Dy aktiviste parashtrojnë kallëzim penal ndaj një personi për gjuhë të urrejtjes dhe kanosje në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual

Dy aktiviste parashtrojnë kallëzim penal ndaj një personi për gjuhë të urrejtjes dhe kanosje në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual

Aktivistet me iniciale U.A dhe A.M, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj të dyshuarit me iniciale D.R, duke e akuzuar për gjuhë të urrejtjes, nxitje të dhunës dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.

Sipas kallëzimit, që Dylberizm e ka siguruar, në orët e hershme të mëngjesit të 17 qershorit, i dyshuari përdori llogarinë e tij personale në platformën Twitch për të transmetuar reagimin e tij ndaj një videoje të publikuar nga një medium vendor, që dokumentonte Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Gjatë transmetimit live ku ai komentonte mbi videon, dyshohet se përdori gjuhë fyese dhe ofenduese dhe bëri thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë dhe përjashtim të personave LGBTIQ+.

Pamjet nga ky transmetim u përhapën shpejt edhe në platforma të tjera si TikTok, Instagram dhe YouTube, duke arritur dhjetëra mijëra shikime të tjera. Vetëm deri më 19 qershor, transmetimi “live” kishte mbledhur mbi 12,000 shikime në Twitch, ndërsa një fragment i tij i publikuar në TikTok kishte kaluar mbi 53,200 shikime. I dyshuari ka mbi 75,000 ndjekës në Twitch, çka thekson ndikimin potencial të deklaratave të tij.

“Deklaratat dhe sjelljet e të dyshuarit nxisin urrejtje, përçarje dhe dhunë jo vetëm në mënyrë të përgjithshme, por edhe përmes gjuhës që normalizon veprimet e dhunshme dhe vrasëse, duke krijuar frikë reale dhe serioze te anëtarët e këtij komuniteti të targetuar dhe përkrahësve të tyre”, thuhet në kallëzim. Për më tepër, në disa prej videove të shpërndara në rrjetet sociale, shihen të identifikuara edhe parashtrueset e këtij kallëzimi penal, U.A dhe A.M, duke shtuar dimensionin personal të rrezikshmërisë së këtyre veprimeve.

Kallëzimi bazohet në nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për Nxitje të përçarjes dhe mos durimit si dhe në nenin 181 për Kanosje. Aktivistet kanë kërkuar që rasti të trajtohet me rrethanë rënduese të urrejtjes, pasi deklaratat janë motivuar tërësisht nga paragjykimi mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Bashkë me parashtresën janë dorëzuar edhe prova materiale si video dhe fotografi.

Dylberizm do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe do t’iu mbaj të informuar për çdo veprim të ri nga institucionet e drejtësisë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top